Paçavure Korçe … në Tiranë!

January 20, 2020 || views

Me siguri që shumë nga ju kur përdorin fjalën “paçavure” në përditshmërinë e tyre, kanë parasysh një punë ose send apo situatë të rrëmujshme e të pavlerë, të katranosur shpejt e shpejt por me siguri as që ju shkon nëpër mend se origjina e saj vjen nga një ëmbëlsirë e mrekullueshme korçare. Me thënë të drejtën, që të mos bëjmë kot sikur i dimë të gjitha, edhe unë ashtu e dija domethënien e fjalës “paçavure”, derisa provova ëmbëlsirën tek Taverna Zoto, gatuar nga duart e arta të Valentinës, të zonjës së shtëpisë.

Po pse quhet paçavure?
Sepse është një ëmbëlsirë ku përbërësit, mielli, vezët, sheqeri, arrat, hidhen pa një rregull të caktuar, përzihen shpejt e shpejt dhe në pak minuta është gati. Eh, sa mirë do të ishte sikur edhe ato punët që bëhen shpejt e shpejt, të ishin po aq të mira sa paçavurja!

Kështu pra, nëse keni ndonjë merak të provoni paçavuren, nuk keni nevojë të shkoni deri në Korçë, sepse e keni këtu në Tiranë korçarkën që ju gatuan jo vetëm paçavuren por edhe të gjitha gatimet e tjera të mrekullueshme të Korçës. Dhe mos na kërkoni recetën se nuk e dimë. Le që ç’e duam xhanëm. Po të na shkojë mendja për paçavure, me vrap te Valentina, te Ura e Tabakëve. Juve po e deshët recetën, ndoshta e zonja e shtëpisë jua jep. Po si fillim duhet ta provoni nga duart e saj, atje, tek Taverna Zoto. Do të lëpini gishtat!