Njeriu që fliste me valle
February 6, 2020 || views
Nga Hekuran Halili
Çamëria ka patur, ka e do të ketë shumë valltare e valltarë të mirë, të talentuar, disa prej tyre të rrallë, sepse është djep i këngës e i valles.
Aktiviteti e emrat e tyre janë evidentuar e përmendur të paktën për këto 250 vitet e fundit.
Por si Taip Madani, kanë qënë të rrallë, për të mos thënë, se ai ka qënë i pashoq. Pa e tepruar, mund të themi se ishte një Osman Taka i dytë, valltar që historia i nxjerr në skenë njëherë në 200 vjet. Jo më kot shpesh atij i flisnin edhe Taip Taka.
Për Osman Takën, valltar i rrallë i Çamërisë e krejt perandorisë turke të viteve 1820-1880, janë thurrur shumë këngë,janë thënë shumë gojëdhëna, janë shkruar shumë vjersha e tregime. Ja dy vargje të një poezie shumë të bukur për komitin e valltarin Osman Taka:
… Djalë që për trupin tënd të bukur
Kudo këndohej në Çamëri …
Këto vargje na evidentojnë faktin ,se vallja çame flet me trup,me lëvizje,me mimikën e fytyrës,me muzikën që e shoqëron, me veshjen,me çdo element e lëvizje të atij që e interpreton atë.
Po Taipit…?
Taipit i këndontë e i vallzonte trupi,i këndonte e i vallzonte fytyra ëngjëllore,i këndonte e i vallzonte zemra,i këndonte e i vallzonte shpirti,i këndonte e i vallzonte rrobja e trupit ,kur ish në valle. Ai i gjithi ishte një këngë e valle e pambarimtë,një krijesë e jashtëzakonshme njerëzore, e burrërrore. Vetë vallja e tingujt e muzikës dashuroheshin me të,siç humbiste e dashurohej ai me to.
Me Taipin dashuroheshin e gurët e sokakut ku shkonte e jo më skenat që shkeli e hodhi vallen çame,mbasi këmba e tijë ishte e lehtë si krah zogu në fluturim,dheu nga prekja e tijë çelte lule dhe përkëdhelej. Me Taipin dashuroheshin drurët e pemët kur i përkëdhelta para se ti mbillte aq bukur,para se ti krasiste mjeshtërisht, si agronom me nam po aq sa edhe valltar.
Po njerzit në salla e sheshe,si bëheshin e si ndjeheshin kur ai dilte në valle?!… Vallzonin nga vendi më të,hovnin me të e me fustanellën çame në qiell e beheshin atje re e bardhë,qanin me të,qeshnin me të,gëzonin me të, lumturoheshin me të,bëheshin hark ylberi e binin në urë me të me kurmin mbështetur fort tek dheu i të parëve,psherëtinin me të kur mbaronte vallja,stepeshin një çast,pastaj shpërthenin në duartrokitje e thirrje, përsëri,përsëri,përsëri… Kështu në Shalës,Konispol,Sarandë,festivalet e Gjirokastrës ku rrëmbeu edhe çmimin laurat i festivalit, në Tiranë, në Greqi,Itali,Turqi…
Me vallet e papara të grupit çam të Konispolit me Taipin në krye e me këngët brilante të grupit çam të Rogozhinës në festivalet kombëtare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, do të rilindëte dinjiteti ,historia ,tradita e kultura e një krahine të madhe e martire ,e Çamërisë, e cila ishte nëpërkëmbur nga regjimi komunist në vitët gjashtëdhjetë.
Vallja e Taipit dhe kënga e Refatit në ato kohëra e tejkaluan kufirin e të qënurit thjesht folklor, zbavitje,koncert,festival. Ato u bënë histori,traditë,kulturë,u bënë zë i fuqishëm me të çilën foli Çamëria e çamët për padrejtësitë që u ishin bërë, për dënimet e padrejta ,për persekutimin deri në harrim të tyre,u bënë shpresë,jetë,krenari,mobilizim për arritje më të mëdha.Ato u bënë gjithçka e me to nuk u krenuam vetëm ne çamët ,por e gjithë Shqipëria, i gjithë kombi, si perla mbarëkombëtare…
Ndaj edhe për këtë, ato marrin rëndësi e vlerësim të vëçantë. I dinte këto vlera Taipi,ndaj nuk rreshti së punuari për dhjetra vite me djem e vajza çamë nga Shalsi, Konispoli,Saranda,Vlora, në asamblin e këngëve e valleve me të cilin u përfshi shpesh në koncertet e tijë, për tua mësuar e dhënë edhe atyre vallet e pashoqe çame.
Janë të shumta vlerësimet, titujt, dekorimet e marra nga ai ,brënda e jashtë vendit,si një valltar i rrallë i skenës shqiptare e më tej…
Për të gjitha këto e deshëm shumë Taipin tonë, artist,agronom,familjar,mik e shok i rrallë,por… fatëkeqësisht e deshi edhe vdekja mizore dhe e mori para kohe në gjirin e vet, duke na lënë në një dhëmbje të madhe… Që orën e parë të ikjes ,filloi përjetësimi i jetës e veprës së tijë, që nga dita në ditë do vijë duke u shtuar…
Ti ike,
Ndërsa ne na le pa fjalë në gojë.
Ç’valle vallë le pa kërçyer,
Ç’pemë le pa mbjellë në oborr?…
Mos ndoshta u bëre hark ylberi,
Apo me fustanellën çame në qiell re e bardhë?
Pse ike o Taip Madani,pse ike,
Apo të takoje shpejt Osman Taknë?…
… Ti ike o miku ynë, ike
Ndaj sot gjithçka qanë…
Me humbjen e Taipit, Çamëria humbi një pjesë të shpirtit të saj, atë më të bukurin, që përbën thelbin e egzistençës së saj dhe që është vallja. Taip Madani si askush tjetër na bëri ta shihnim dhe ta preknim nga afër shpirtin e Çamërisë, nëpërmjet valles. Humbje e madhe…
Por ne e Çamëria do ta kemi atë përherë në mendjen tonë, në festat tona, në vallet tona, në arritjet tona…
Vallzoftë përherë mes nesh shpirti i tij!