Një kafe në selanik

January 16, 2023 || views

by Nada Dosti
journalist, traveler

Arrij nga Stambolli në Selanik me autobus, për të qëndruar këtu vetëm për pak orë. “Sa për një kafe” mendoj. Interesante sa të lidhur jemi me kulturën e kafes sa dhe e përdorim si etalon matës të kohës. Kam shumë pak kohë për ta zbuluar këtë qytezë të vogël buzë detit. Edhe pse nuk po më tërheq me shikim të parë. Mendoj: a thua dhe të tjerëve u ndodh e njëjta gjë, që nga disa vende mos të tërhiqesh fare? Vende të cilat as nuk të emocionojnë as nuk të intrigojnë? Ka det por valët e tij nuk më qetësojnë si deti i vendlindjes sime. Ka palma dhe pisha por nuk më joshin si palmat dhe pishat durrsake. Sikur nuk kanë të njëjtën madhështi dhe aromë.

Është koha e pasdites, shumë pranë perëndimit. I gjithë qyteti ndizet në portokalli, ndoshta për shkak të banesave të ulëta, qasjes së gjërë ndaj horizontit apo ekspozimit të pjesës më të madhe të qytetit ndaj diellit dhe rrezeve të tij. Ndoshta ka të bëjë me stinën apo orarin e ditës, por ngjyra portokalli më duket se e përfaqëson më së shumti Selanikun. Një portokalli shumë pranë ngjyrës së tullës dhe kaferremtës. E nëse do më pyesnin “si t’u duk Selaniku?” Për t’ia shpejguar dikujt që nuk ka qenë më parë do thoja: pak si Izmiri, pak si Samsun, pak si Durrësi, pak si Vlora, pak a shumë si të gjitha qytezat bregdetare me port të këtij rajoni.

 

Qyteti paska marrë emrin e Mbretëreshës Thesalonike, bijës së Filipit të dytë me një nga gratë e tij, pra gjysëm motër me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. Një qytet emëruar sipas një gruaje. Jo një grua dosido, por një mbretëreshë. Po fillon të më pëlqejë ky vend. Arrij ta imagjinoj se si më shoqëron pranë bregut, më pas drejt Kullës së Bardhë. Arrij të përfytyroj qëndrimin e saj stoik mbi fron, duke dhënë udhëzime dhe direktiva, duke udhëhequr beteja apo duke pritur delegacione.

Interesant ky vendim për të emëruar një qytet me emrin e një gruaje kur në fakt mendohet se fillimi i historisë së diskriminimit ndaj grave, burimin e ka tek mitologjia greke.

Miti i Pandorës përshembull është tepër simbolik: gruaja e parë dërgohet në Tokë nga Zeusi për të ndëshkuar njerëzit për mëkatin e kryer nga Prometeu, i cili kishte vjedhur zjarrin nga perënditë për t’ua dhënë njerëzimit. Ndryshe nga Eva (në kulturën e krishterë), e cila u krijua për ta bërë jetën e Adamit më të këndshme, megjithëse në një rol vartës, Pandora lindi për të ndëshkuar njerëzimin. Hesiodi kur tregonte për mitin e Pandorës shkruante se ishte “një e keqe aq e bukur” sa që ishte një “mashtrim që nuk mund të shpëtohet prej saj” dhe se “gjinia e mallkuar, fisi i grave” e ka prejardhjen pikërisht prej saj. Për grekët, Pandora ishte tjetërsi. Dhe siç shpjegon Jean-Pierre Vernant, tjetërsia femërore për grekët ishte aq e pakuptueshme sa ç’ishte e krahasueshme me misterin e vdekjes: jo çuditërisht dhe as rastësisht, në botën greke të përfaqësuara shpesh nga figura femrash (Hecate, Persephone, Ker, Sirenat).

 

Pra, me sa duket gratë janë gjithmonë fajtore: “gruaja ka futur shejtanin në shishe”, ashtu sikurse Eva këputi mollën e ndaluar duke u fajësuar kështu për mëkatin fillestar (përsëri sipas kulturës së krishterë). Edhe Pandora u fajësua për të gjitha të këqijat e botës. Kurioziteti i saj e shtyu të hapte një kuti (në formë vazoje), të dhuruar nga Zeusi, të cilën ajo nuk duhej ta kishte hapur dhe që përmbante të gjitha fatkeqësitë e botës. Shpesh përgjegjësitë e burrave janë lënë nën hije ose zhduken plotësisht, si në historitë që ata vetë na kanë treguar për mijëravjeçarë të tërë. Zeusi që i mblodhi të gjitha të zezat në një kuti të vetme, nuk kishte faj. As Adami i cili ishte i pjekur dhe i vetëdijshëm për të kontrolluar veten për të mos u tunduar nga Eva. Pra, i gjithi faji është i grave. Ditët e sotme kemi dhe një skandal të tërë të emëruar Letrat e Pandorës (Pandora Papers).

Nejse!
Lefkós Pýrgos, Kulla e Bardhë, edhe pse nuk është e bardhë, por ngjyrë guri, është simboli i qytetit. Një ndërtesë mbreslënse e cila ka zëvëndësuar fortifikatën bizantine e shembur gjatë zgjerimit të qytetit shekuj më parë. Formën që ka sot, e ka marrë gjatë kohës së Perandorisë Osmane, me urdhër të Sulltan Muratit të Dytë.

 

Por kafja qenka e mirë. Frape-ja qenka shpikur pikërisht këtu. E vetmja gjë që më kujton vendlindjen, sidomos fëmijërinë është trigona, të cilën e dija ëmbëlsirë shqiptare deri në këtë moment. Sa shumë gjëra mendojmë se na përkasin por në fakt nuk është ashtu. E teksa ngjis shkallët e autobusit që vazhdon tranzitin për në destinacionin tim të preferuar, kthej kokën pas për t’i dhënë një shikim të fundit.

 

“Selanik, nuk është faji yt, por jam unë që ndoshta nuk të vlerësova sa duhet. Jepma dhe një mundësi tjetër, le të takohemi edhe një herë për herë të parë. Ta nisim nga e para njohjen tonë, për ta vlerësuar njëri-tjetrin akoma më shumë. Pritmë se do kthehem përsëri!”