Nga Ulqini në Tivar – itinerare shqiptare brenda Ballkanit
February 5, 2020 || views
Nga Ulqini në Tivar, Shën Stefan e Budva
Ulqini i Ilirëve dhe i Balshajve
Trojet shqiptare të Malit të Zi po bëhen gjithnjë e më shumë të vizituara, sidomos në paketat turistike të fundjavës, duke pasur në krye të listës Ulqinin, jo thjesht në verë e jo thjesht për plazh por edhe si një shëtitje fundjave në çdo stinë.
Diku vetëm me çmim transporti e diku me fjetje në një prej hoteleve të Ulqinit, çmimet e lira, nga 15 deri në 35 apo 40 euro për të gjithë fundjavën, janë një joshje e vërtetë.
Ndoshta nuk ka kohë për të përshkuar disa itinerare të ndryshme por një shëtitje në kala, është sigurisht boshti i vizitës në Ulqin, shoqëruar me një kafe të thjeshtë apo edhe me një drekë produktesh deti apo pjatash të zonës, sipas xhepit të secilit.
Një gjë është e sigurt; që brenda mjediseve të Kalasë do të keni plot për të parë, që nga Kulla e Balshajve, e deri tek muzetë, ai Etnografik (Muzeu i Ulqinit), dhe ai Arkeologjik, shoqëruar me kënaqësinë e shijimit të panoramës së Adriatikut nga të gjitha pikat e kalasë apo shëtitjen nëpër rrugicat e ngushta që mbajnë si vulë të fundit arkitekturën veneciane.
Qyteti i vjetër ilir, rezidenca e mëvonshme e Balshajve, Ulqini i sotëm dhe së fundi destinacioni juaj i fundjavës, ka plot se ç`të ofrojë tjetër, përpos zonës hitorike të Ulqinit të Vjetër.
Vetëm një shëtitje në Ada Bojana, do t`ju mbushte mushkëritë me ajër e natyrë, duke ju futur në një botë tjetër magjike. Por edhe një shëtitje më varkë në Liqenin e Shasit do të ishte e rekomandueshme nëse keni planifikuar të qëndroni së paku dy ditë.
Nga Ulqini në Tivar
Një vizitë në Tivar ose Barin e sotëm
Mes luftës së trashëguar nga e kaluara e emrave, ku quhet Antibar apo Antivar, qyteti i quajtur Tivar nga shqiptarët dhe Bar nga sllavët, është sot njëkohësisht edhe porti më i madh i Malit të Zi, përveçse një qytet turistik, ndonëse duket sikur Kotorri është një port më i frekuentuar jahtesh.
Ju mund të ndiqni një itinerar ujor, duke marrë një “water-taxi” dhe në pak minuta jeni në Perast e Kotorr por ne do t`ju sugjeronim një tjetër tur; atë të Pazair të Vjetër dhe Kalasë, ose përmbledhur shkurt: një vizitë në Tivarin e vjetër.
Një shëtitje në Pazar, për një kafe ballkanase, një frut të shtrydhur stine apo edhe një drekë tradicionale në restorantet e vegjël në formën e “konakut”, që Pazari i ka me shumicë, do të përmbyllej shumë bukur më nje shëtitje të gjatë në kala, ku labirinthet e pafundme, mes gjurmëve të dikurshme ilire, do t`ju kthejnë shumë pas në kohë.
Shën-Stefan e Budva
Në një ditë të gjatë vere, ju do të kishit kohë të hidheshit edhe deri në Budva, me një ndalesë në Shën Stefan por nëse fundjavën e këtij itinerari po e përjetoni në vjeshtë apo një ditë të bukur dimri, mirë do të ishte që pjesën e mbetur të itinerarit ta ruanit për të nesërmen, duke zgjedhur ndonjërin nga hotelet e Budvës, ose duke u rikthyer në Ulqin. Në fakt, hotelet e Ulqinit janë shumë të mira e me çmime shumë më të favorshme se ato të Budvës, dhe do të kursenit mjaft.
Një detaj që duhet ta dini për Shën Stefanin është që ishulli i vogël prej kohësh është një rezidencë private dhe ju nuk mund ta vizitoni nëse nuk jeni pjesë e një grupi që e ka prenotuar vizitën paraprakisht dhe me një biletë të kripur prej 20 euro për të rritur dhe 10 për fëmijë.
Megjithatë, edhe nëse nuk arrini ta vizitoni nga brenda Shën Stefanin, Budva e vjetër është një pikë interesi që duhet ta përfshini në ditarin tuaj të udhëtimeve, sepse plotëson mozaikun ballkanik të vendeve të tjera që mund te keni parë deri tani.
Kur themi Ulqin-Tivar-Budva-Kotor, na duket si një zgjedhje modeste se ja, i kemi në derën e shtëpisë por mos harroni; shumica e tyre janë pasuri e UNESCO-s dhe vizitohen prej turistësh nga e gjithë bota, si destinacione që duhen vizituar së paku një herë në jetë.