Nga rrënjët shqiptare për një turizëm të suksesshëm
November 7, 2021 || views
Francine Katerina Talei Wong
Nga këndvështrimi madje edhe këndqëndrimi nga ku po e shkruaj këtë artikull, Shqipëria është për këto kohë atdheu që më ka “birësuar” dhe lënda kryesore përbërëse e kulturës që po studjoj në hartën time botërore. Ndoshta nuk është pikërisht vendi ku dikush do të niste rrëfimet e tij të udhëtimit. Prandaj dhe rrëfimi im është domethënës.
Unë quhem Francine Katerina Talei Wong. Emri im besoj flet vetë për kulturën dhe origjinën time dhe në fakt ndjehem edhe e përulur por edhe entuziaste për këtë mundësi, që të tregoj historinë time se pse Shqipëria është një destinacion unik, madje për disa prej nesh (të huajve), është bërë si shtëpi.
Nuk do t`ju flas as për peisazhet mbresëlënëse, as për ujrat e kaltra, as për ushqimin e shijshëm, ose të paktën, jo qysh tani, në artikullin e parë. Të shohim nëse do të jem aq e zonja t`ju mbaj mes rreshtave si fillim me pikëpamjet e mia të guximshme për për të shtjelluar këtë ekzistencë ekzotike të Shqipërisë në Ballkan.
Unë kam lindur në Australi por origjina ime është Fixhi, një prej ishujve të Paqësorit pra, përzier me pak rrënjë britanike.
Mund të pyesni ju, çne Shqipëria në udhëtimet e tua, nga kaq larg?
Është e thjeshtë.
Kultura dhe familja që mbajnë të paprekur rrënjët e lashta historike dhe e përbashkëta që kemi në këtë pikëpamje.
Dëshira ime për ndihmuar sadopak në njohjen e Shqipërisë, pse jo disi edhe në zhvillimin e saj, erdhi dalngadalë, pas udhëtimeve të shumta si turiste dhe një reflektimi të gjatë ditësh të qeta në plazh, me një tufë librash të zgjedhur në prehër, për t`i lexuar ndërkohë që pushoja.
Personalisht, si shkrimtare apo kandidate për shkrimtare, dhe si emigrante, e konsideroj kontributin tim për Shqipërinë, një rol shumë delikat dhe imponues. Të huajt konsiderohen si fytyra ose zëri i të resë, ata që “do ta vendosin fatin” se si do t`u shkojë filli nëpër botë, kombeve si Shqipëria dhe u duket sikur varet nga çfarë do të thonë ata ajo që do të ndodhë nesër.
Po pse ndodh kjo?
Sepse ne kemi lindur në botën perëndimore, jetojmë në shtete të mëdha me ekonomi shumë të shëndetshme jemi të përkëdhelur e të mbështetur në zhvillimin tonë dhe jetojmë serbes, gjë që na jep iluzionin e të fuqishmit kur vijmë në vende si Shqipëria. E pra, dijeni se e keni gabim.
Ne jemi në krahun tjetër të spektrit dhe kur vijmë, kujtojmë se hyjmë në një botë në fillimet e historisë së njerëzimit ndërkohë që ata kanë mbi kurriz mijëvjeçarë historie e civilizimi, trashëgojnë martesa të lashta, doke e zakone mes një të përditshmeje rrënuese e prapë nuk lodhen.
Thelbi i rrënjëve tek shqiptarët
Unë po guxoj t`i rendis mendimet dhe pikëpamjet e mia brenda një perspektive më të gjerë se pse ky faktor është i rëndësishëm dhe na rrethon çdo ditë si vendas, si vizitorë të huaj ose dhe si banorë zyrtarë shqiptarë.
Më e rëndësishmja, si respektohet kjo pasi turistët që kanë mirësinë të vijnë këtu, marrin mbi pasaportë një vulë tremujore, bëjnë qejf në udhëtimet e tyre dhe kaq. Turizmi është zemra e këtij vendi ekzotik që unë tani e quaj shtëpi, por a po reziston bashkë me zhvillimin e turizmit edhe thelbi i bazave të një jetese që shqiptarët e kanë ruajtur me shekuj?
Përvoja ime si njeri që ndërmori një nismë të quajtur “Vlora e Gjelbër” në Shqipëri, nisi pikërisht nga rrënjët, nga autenticiteti, nga bukuritë natyrore dhe zakonet e këtij vendi të bukur.
Fjala “fshat” është përgjigja e një jete dhe përvoje të suksesshme si i huaj, si sipërmarrës, si shkrimtar dhe si njeri kur shkelni në tokën shqiptare.
Shqiptarët sipas këndvështrimit tim
Do të gënjeja nëse do të thosha që ata janë diellorë apo të qeshur gjithë kohës. Janë kureshtarë, shumë inteligjentë, kokëfortë, seriozë shpeshherë dhe e mbrojnë me fanatizëm të drejtën sipas tyre.
Duke pasur një histori të mahnitshme të shpëtimit të hebrenjve, populli shqiptar ka vulosur me këtë pak a shumë natyrën e tij mbrojtëse. Ata janë luftëtarë guximtarë, që i mbijetojnë mjedisit të tyre të ashpër por të bukur, çdo ditë. Mbijetesa e tyre nëpër shekuj me gjithë ato luftëra dhe përpjekje asimiliuese të pushtuesve ndaj tyre, është e hatashme.
Dhe në luftën e madhe që bëhet sot në emër të turizmit masiv (që nuk është turizmi im i preferuar) këto bërthama që unë kam zbuluar, janë pikërisht ato mbijetueset që çojnë përpara këtë trashëgimi mijëvjeçare. Që sipas meje duhet ruajtur me çdo kusht.
Thesaret që kam zbuluar atje ku kam shkelur
Shën Vlash Durrës
Me kalimin e viteve, koha m`i forcoi bindjet dhe unë mësova të vlerësoj thesaret që Shqipëria ka.
Shqipëria nuk është e njëanshme me fenë, nuk është fanatike në besimet fetare, ato janë të hapura dhe pranojnë të gjitha besimet shpirtërore, gjë që e bën këtë destinacion një vend të qetë për familjet, çiftet ose një komb unikal në botë.
Në Durrës, Shën Vlashi si manastir është një vend me rëndësi të madhe për Shën Vlashin si fshat që mban emrin e shenjtorit. Qindra mijëra besimtarë mblidhen çdo vit aty, ortodoksë dhe jo vetëm si edhe ata që e kanë me pasion historinë dhe teologjinë.
Udhëtime argëtuese
Safari në Akërni dhe në Lagunën e Nartës
Nëse doni të përjetoni aventura misterioze dhe fantastike në Vlorë, duhet të bashkoheni me skuadrën e Juxhin Mustafaraj, themeluesi i TRIPS 4 FUN!
Vitin e shkuar zhvilluam një sërë aktivitetesh, shumë prej të cilave edhe me natyrë bamirësie dhe ndër të cilat edhe gara noti prej dy miljesh. Linda ishte e përzgjedhura imë për këto aventura ujore!
Një udhëtim safari në dunat ranore të Nartës nuk duhet ta humbisni kurrsesi! Adrenalina që përftoni është e fortë dhe dëshira e zbulimit të atyre zonave krejt të virgjëra do t`ju pushtojë gjithashtu. Por nuk ka rëndësi tokë a det, e rëndësishme është që të përjetoni aventurën!
Fshati Tragjas
Unë jam një ish-notare dhe të jesh notar/sërfist/zhytës, e imagjinoni vetë dashurinë për ujin. Por kur zbulova Tragjasin, ishte një tjetër dashuri. Një rimbushje energjie e një lloji tjetër, të gjelbër, të fortë, dehëse…
Në Tragjas zbulova gjurmë nga ato që i dashuroja, të rrënjëve, të të vjetrës, të kulturës, të historisë. Dhe njerëz, njerëz të paqtë e mikpritës në ato bujtinat e tyre të vogla e aq të ngrohta… nuk po ju them më shumë…. Shkoni vetë dhe zbulojini dhe ju!
Konkluzioni im
Turizmi masiv është tashmë një realitet i pakontrollueshëm në zhvillim e ekonomive në nivel botëror, që fatkeqësisht ndikon drejtpërdrejt në shkatërrimin e sistemit të ruajtjes së trashëgiminë kulturore. Kjo është një thikë me dy presa sepse vendasit kanë nevojë të punësohen, infrastrkutura botërore nuk është më një gjë e diskutueshme dhe nga ana tjetër është një grup gjithnjë e më i vogël njerëzish që po luftojnë fort të mbahen pas rrënjëve të tyre të hershme.
Artizanati është ai sektor i turizmit që po përpiqet të përshtasë luftën për ruajtjen e rrënjëve si një ofertë interesante turistike. Për fat të mirë edhe turisti (jo ai masiv) po e pëlqen këtë.
Unë vetë, kohët e fundit ndërmora një nismë “VISH SHQIP”, një dyqan online që tani do të shesë veshjet e thurura me dorë të bëra nga gratë shqiptare që kam njohur në udhëtimet e mia. Nuk është as e para as e vetmja përpjekje por le të jem edhe unë një prej tyre. Kështu që ndiqni në vazhdim se si do të zhvillohet kjo histori.
Shqipja është diçka që deri tani unë e kam shmangur dhe e ndjej që kam gabuar por tash e tutje kam ndër mend t`i hyj seriozisht.
Nëse je një poliglot, gjuha shqipe është një dhuratë për shkrimtarët e pasionit, besoj, prandaj shtojani listës suaj të gjuhëve të huaja dhe filloni nga mësimet e para.
Çfarë do t`i thosha unë një udhëtari: ji një turist i vëmendshëm dhe shiko; përtej peisazheve të bukura malore dhe plazheve marramendëse të detit Jon, ekziston një kulturë e pasur në një tokë që qëndron e fortë, duke i bërë ato unike. Kërko, lexo dhe inkurajo botën të mësojë për këtë qoshe ende të fshehtë për shumë banorë të saj. Ka shumë për të mësuar, më beso!