Në Malinat te Kantina “Vila Hadaj”, ku vera shijohet me aromë pylli

26 Tetor, 2021 || 1192 views

Flora Xhemani Baba

Një udhëtim në Beratin që nuk e njihni ende

Keni qenë ndonjëherë në Malinat? Jo?
Epo tani ka ardhur koha të shkoni. Nëse nuk e dini ku bie Malinati, po ju themi që është një fshat i bukur i zonës së Beratit, 17 kilometra nga qyteti, me një natyrë të mrekullueshme, ku aromat e verërave që do të shijoni, përzihen me aromat e pyllit e frutave të egra rrethe qark. Vërtet është ca rrugë e vështirë deri atje por ia vlen. Dhe në fakt më mirë se në shqiptarët, këtë e dinë të huajt, që kur vjen puna për të rendur pas të bukurës, interesantes dhe vlerave të vërteta, janë të parët që vrapojnë për atje.

Ne zakonisht vendet e veçanta i zbulojmë duke udhëtuar por edhe duke u takuar me miq e bashkëpunëtorë të shumtë që kemi nëpër Shqipëri dhe jo vetëm. Edhe kur takuam Çimin, të zotin e kantinës, ndodhi përmes miqve të përbashkët. Por pastaj nuk ishte e vështirë që të dalloje pasionin e dashurinë për verën e gjithë ç`vjen para e pas saj, për të kuptuar se pse turistët rendën menjëherë në Malinat për të shijuar atmosferën e Kantinës Hadaj dhe kilometrat e vizitës deri atje, i quajtën pjesë e një turi të bukur.

Berati është me nam për vreshtat e tij dhe jo më kot ka shumë kantina. Sot për fat të mirë kjo ka krijuar një traditë në qytet për turistët, që është ajo e tureve të verës, pra vizitave në kantina. Nuk mjafton më ka kohë, vetëm shijimi i verës në shishe a gotë, diku në ndonjë restorant të Beratit apo edhe ta blesh në një dyqan vere. Duhet patjetër të shijohet atmosfera që kantina përcjell, të shkosh e të shohësh nëpër vreshta, se si vendasit e rrisin rrushin me aq dashuri e përkujdesje, si të ishte fëmijë, si e trajtojnë çdo kokërr e gjethe me mënyrën e duhur, me qëllim që prej tyre të dalë rrushi më I mirë e për rrjeshojë edhe vera më ë shijshme dhe e veçantë.

Kështu është edhe tek Kantina Hadaj, ku tradita në fakt, shkon përtej viteve të sotme të shekullit të ri. Sepse pinjollët e familjes Hadaj, e kanë kultivuar vreshtin prej më shumë se dhjetë dekadash. Dhe teknikat e kultivimit, vreshtarisë, fermentimit, procesit të vjetërimit e plot faza të tjera të rrugëtimit të verës, bëhëen nga profesionistë të vjetër e sot dalë nga shkollat më të mira të somelerisë.

Por nëse Berati ka shumë kantina, atëhere pëse duhet të shkojmë pikërisht tek Vila Hadaj?
Po ju japim disa arsye:
Sepse shija e verërave vjen vetëm e vetëm nga rrushi i vreshtave të asaj zone, që është një kodër e bukur (pikërisht kështu është quajtur edhe njëra nga verërat) pranë Tomorrit, të cilën e puth dielli mjaftueshëm për të nxjerrë kokrrat perfekte për një shije unike. Asnjë lloj rrushi tjetër nuk futet në fermentim, për shtim produkti apo çfarëdolloj aryseje tjetër, duke ruajtur kështu origjinalitetin e kesaj vere.

Sepse mjedisi rreth e qark kantinës, është ruajtur thuajse natyral, arkitektura e ndërtesës ka respektuar traditën e ndërtimit të fshatit dhe peisazhi përreth kantinës është në sintoni të plotë me natyrën, duke ju dhënë një ndjesi të pafundme paqeje dhe qetësie.
Sepse të zotët e shtëpisë do t`ju presin në një mënyrë të tillë që mikpritjen nuk do ta konceptoni si një ansambël rregullash të mirësjelljes që janë mësuar në shkollë por si dashuria e një miku që ju ka thirrur në shtëpinë e tij për drekë. Dhe kur një mik të thërret në shtëpinë e tij, mikpritja si ndjesi, është më e bukura e të gjithave nga ato që do të marrësh me vete kur të kthehesh.
Sepse fshati Malinat ka një histori shumë interesante, me të cilën mund të mbushni me emocion ditët tuaja të udhëtimit. Në kohën e sistemit të diktaturës komuniste, Malinati ishte një fshat të internuarish. Pra, të gjithë ata që dënoheshin nga regjimi, u syrjgynoseshin familjet në fshatra të largëta, ku lëvizja në atë kohë ishte thuajse e pamundur fizikisht, përveç lejeve të shumta që duhet të merrje. Sot fshati ka mbetur thuajse i paprekur dhe kudo mund të shihen gjurmë të së kaluarës, si të ishte një muze në natyrë, ashtu siç është edhe vetë Berati.

Ne kemi plot arsye të tjera se përse duhet të shkoni tek Kanita Hadaj. Por duam që të mos i themi të gjitha. Sepse sado që t`i themi ne, do të ketë gjithmonë arsye të tjera e përveç kësaj, mikpritja nuk tregohet. Ajo shijohet atje ku ofrohet. Ju duhet të takoni Çimin dhe gjithë familjen Hadaj, në shtëpinë e tyre e të shikoni me sytë tuaj se çfarë ndjesish të mrekullueshme provohen, kur bëhen bashkë mjedisi, shija e duhur e verës, natyra, peisazhi e sidomos atmosfera.
Që të shkoni në Berat, nuk është më rekomandim, është një vizitë e pamungueshme në axhendën tuaj të udhëtimeve. Por që të shkoni tek Kantina Vila Hadaj, po. Është një rekomandim. I fortë madje. Jemi të bindur që do të na jepni të drejtë e do të na kujtoni. Me në dorë një gotë verë “Kodra e Bukur”.