Në kërkim të Spinaricës: Ku gabojnë historianët….!!!

March 17, 2020 || views

Nga Ilirjan Gjika

Në vitin 1981 studjuesi francez Alen Dyselje botoi në Selanik librin e tij ‘’Faqja bregdetare e Shqipërisë në Mesjetë’’, ku trajtonte shumë çështje dhe probleme të historisë së kohës së mesme të Arbërisë bregdetare. Në këtë botim ai shkruante nëpërmjet të tjerave edhe për Spinaricën, ku hodhi hipotezën se, vendodhja e saj duhet kërkuar rreth fshatit të sotëm të Zvërnecit (Alain Ducellier, La façade maritime de l’Albania au Mouen Age, Durazzo et Valona du XI au XV sicle, Tessalonike 1981, p. 36). Për qarqet shkencore të Shqipërisë së asaj kohe ‘’libri përbënte një kontribut në studimin e historisë mesjetare të Shqipërisë sepse trajtonte aspekte të shumta të saj’’. Kështu shkruante midis të tjerave në analizën që i bënte kësaj vepre në vitin 1982, studjuesi Aleksandër Meksi, në shkrimin e tij ’’Monumentet në një vepër historike’’, botuar në revistën ‘’Monumentet’’ (Aleksandër Meksi, Monumentet në një vepër historike, Monumentet, 2, Tiranë 1982, f. 146).
Kaq mjaftoi dhe një pjesë e madhe e studjuesve dhe e botimeve të mëpasshme e përdorën apriori këtë hipotezë të Dyseliesë, duke i dhënë karakterin e një teze të mirëfilltë. Kjo ndodhi edhe me Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim zyrtar i Akademisë së Shencave në vitin 1985, ku në zërin Spinarica shkruhej: ”Qytet mesjetar me rëndësi në bregdetin e Adriatikut, buzë kanalit të lagunës së Nartës. Emri ruhet ende në emrin e fshatit Zvërnec të Vlorës, ku në një ishull, gjendet dhe sot një kishë e stilit bizantin’’ (f. 978). Apo në zërin tjetër te i njëjti botim, Zvërneci, ku thuhej se ‘’Gjatë mesjetës ishte qytet me rëndësi me emrin Spinarica’’ (f. 1205).
Por në të vërtetë, a ndodhej në Zvërnecin e sotëm Spinarica mesjetare?!
Pavarësisht hipotezës së mësipërme një gjë e tillë është vështirë të thuhet. Gabimi nis pikërisht te përcaktimi hipotetik i Dyseljesë i cili u mor si i mirëqënë nga shumë autorë të tjerë. Dhe siç ndodh shpesh në historiografinë tone, eskluziviteti i të qënit hipotezë e parë e shndërron atë në tezë të mirëqenë.
Pavarësisht asaj që ndodhi të cilën fatkeqësisht po e ndeshim edhe sot, rezervat rreth kësaj teme janë shprehur nga autorë të ndryshëm. Kështu, në artikullin e mësipërm ku i bën një analizë librit të Dyseljesë, në lidhje me kërkimet dhe studimet e bëra në Shqipëri rreth monumenteve të kulturës, Aleksandër Meksi, midis të tjerave thekson se: ‘’Që nga koha e shkrimit të librit, në Shqipëri janë kryer mjaft kërkime e studime në fushën e monumenteve, të cilat mund të gjenin një vend më të mirë në këtë monografi dhe për këtë duhen të kihen parasysh gjatë studimit të saj” (Meksi, 1982: 143).
Ndërsa përcaktimin e Dyseliesë për vendodhjen e Spinaricës në Zvërnec, ai, e konsideron vetëm një hipotezë. Më tej, Meksi, thekson se: ‘’Përsa i përket vendodhjes së Spinaricës ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndonjë të dhënë materiale. Do të donim të shënonim se hipotezat e Dyseliesë për ta kërkuar atë rreth fshatit të sotëm të Zvërnecit ku duhen të kërkohen gjurmë mesjetare, nuk janë pa vlerë’’ (A. Meksi, po aty, f. 146).
Në fakt verejtjet e Aleksandër Meksit në adresë të Dyseljesë për këtë temë nuk ishin pa vend. Edhe sot, kur kanë 38 vjet nga ky përcaktim, në Zvërnec nuk janë gjetur nga arkeologët gjurmë mesjetare, përjashto ato me origjinë parahistorike dhe antike, fakt që e bënë të pamundur identifikimin e Spinaricës me Zvërnecin.
Edhe gërmimet dhe kërkimet arkeologjike që nisën në këtë zonë, në vitin 1975 dhe që kanë vijuar deri më tani, kanë gjetur këtu gjurmë të jetës humane që nisin nga periudha e paleolitit dhe shkojnë deri në shekullin e II në periudhën antike. Këto dëshmi vërtetohen nga një sërë studimesh dhe shkrimesh, që i gjejmë jo vetëm në revistat shkencore por edhe në shtypin e kohës.
‘’Në kërkimet e bëra në zonën e Treportit nuk përfituam ndonjë gjë për periudhën mesjetare, megjithëse emri lidhet me zbarkimet e normanëve në gjirin e Vlorës’’. Kështu shkruajnë në studimin e tyre ‘’Kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës-2012’’, zhvilluar në vitet 2011-2012 grupi i kërkimeve arkeologjike të Shkollës Doktorale të Arkeologjisë të Qëndrës Ndëruniversitare të Kërkimeve Arkeologjike (S. Xhyheri-S. Muçaj-E. Halilaj-L. Sheremetaj, Kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës, Iliria, XXXVII, Tiranë 2013, f. 458).

Pra, koha tregoi se përcaktimi i Dyseliesë në këtë rast ishte i gabuar. Gjithsesi tonet kritike në adresë të tij kanë qenë edhe për çështje të tjera të historisë mesjetare të Shqipërisë. Edhe historiani Pëllumb Xhufi ngre disa objeksione në lidhje me veprën e Dyseljesë për historinë e Vlorës në shekujt XII-XV. Për këtë qëllim ai shkruan te libri i tij ‘’Nga Paleologët te Muzakajt’’ se: ‘’Pas C. Jireçekut, një tjetër historian i njohur, francezi A. Ducellier, iu qas vitet e fundit temës sonë. Por vetë titulli i zgjedhur: Faqja bregdetare e Shqipërisë në Mesjetë: Durrësi dhe Vlora në shek. XI-XIV, paralajmëron lexuesin për të njëjtin kufizim metodik që reflektoi edhe Jireçek, dhe që e ngushton zonën në shqyrtim vetëm në traktin bregdetar me qytetin e Vlorës’’ (Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, SH. B. 55, Tiranë 2009, f. 11).
Ndërsa për temën në fjalë, Xhufi, duke ju përmbajtur dëshmive të ‘’Acta Albaniae’’ shkruan te i njëjti libër se: ‘’Përgjithësisht, vendodhja e Spinaricës është përcaktuar në derdhjen e Vjosës’’, megjithëse po aty, ai citon për vendodhjen e saj jo vetëm Dyselienë por edhe Shuflain (Po aty, f. 35).
Ndërkohë për temën tonë vlen shumë përcaktimi që Pëllumb Xhufi e bën duke dhënë edhe shëmbuj konkretë kur krahason disa vepra të Dyseljesë. Kështu ai thekson se: ‘’Por duhet thënë, se në punime të mëvonshme, A. Ducellier reflekton ide të ndryshme, nga ato të shprehura në Façade’’ (Po aty, f. 11).
Pra, në këtë vështrim hipoteza e Dyseljesë për vendodhjen e Spinaricës në Zvërnec është piknisja e një përcaktimi të gabuar mbi vendodhjen e Spinaricës. Ndërkohë le ta trajtojmë pak më gjerë problemin. Që Spinarica ndodhej në derdhje të Vjosës një fakt i tillë pranohet nga të gjithë studjuesit sepse një gjë të tillë e dëshmojnë pa përjashtim të gjithë dokumentat e kohës (Acta Albaniae, I, 130). Por që lumi Vjosa nuk është derdhur asnjëherë në lagunën e Nartës edhe ky është fakt që pranohet edhe nga studimet gjeografike.
Në studimin e tij të titulluar ’’Disa karakteristika gjeomorfologjike të bregdetit shqiptar të Adriatikut dhe të dinamikës së sotme të tij‘’, publikuar në vitin 1988, gjeografi Mevlan Kabo shkruan se: ‘’Vjosa formon një deltë të vërtetë në formën klasike të një trekëndëshi e ndarë nga gryka e saj në dy pjesë, thuajse simetrike në veri e në jug të grykës së sotme, vërehen gjurmë të grykëderdhjeve të vjetra të saj’’ (Mevlan Kabo, ’’Disa karakteristika gjeomorfologjike të bregdetit shqiptar të Adriatikut dhe të dinamikës së sotme të tij, Studime Gjeografike, 3, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1988, f. 11).
Ndërsa në një faqe tjetër të po këtij studimi, Kabo, thekson se: ‘’Laguna e Nartës vepër e prurjeve të gurta të Vjosës, ndahet nga deti me shigjetën e vjetër ranore të Zvërnecit (Kavalonës), e cila ka lidhur me njëri-tjetrin dhe me tokën dy ishujt e dikurshëm, që sot formojnë kodrat e Dalanit (47 m) dhe të pllakës (81 m)…Një nga ishujt e dikurshëm është edhe sot, Brenda lagunës së Nartës. Ky është ishulli i vogël i Zvërnecit (ose i manastirit)…(Po aty, f. 9).
Pra këtu bie shumë lehtë edhe përcaktimi i Dyseliesë, pasi jo vetëm Vjosa nuk është derdhur në këtu por edhe laguna e Nartës ka qenë dikur një gji detar, pjesë e gjirit të madh të Vlorës.
Kjo lagunë është krijuar si rezultat i aluvioneve që Vjosa ka shkarkuar në derdhjen e saj në det, të cilat nën veprimin e dallgëve dhe të rrymave bregdetare, kanë lëvizur përgjatë tabanit të tij. Nën ujë këto aluvione lumore pasi formojnë ledhe vijnë duke u zmadhuar dhe duke u ngritur dalin mbi ujë në formën e shigjetave dhe harqeve ranore (Po aty, f. 13).
Ndërkohë që të dhënat dokumentare dhe hartat e ndryshme mesjetare të hartografëve italianë dëshmojnë se midis Vlorës dhe Spinaricës, pikërisht në Zvërnecin e sotëm ndodheshin dy porte të vegjël si: Kavaloni (Cavo de Cauroni) dhe Porto Novo.
Kavaloni të cilin na e dëshmon Ana Komnena, nuk është gjë tjetër veçse vendi ku zbarkoi në Vlorë, në kohën e kryqëzatës së parë, Boemundi i Tarentit, gjatë rrugës së tij për në Jeruzalem (Alex. Vol I. Lib X 8. f. 81-85).
Ndërsa për Porto Novon kemi dëshmi të qarta nga Aleksudhi, metropoliti i Beratit (1855-1887). Në vitin 1868 në librin e tij ’’Përshkrim i Shkurtër Historik i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit’’, ai shkruan se: ‘’Jo shumë larg këtij manastiri ndodhet porti i njohur prej kohësh ‘’Porto Nuovo’’ (Porti i Ri) ku vijnë për tu mbrojtur në raste furtune të gjitha ato anije tregëtare që janë duke kaluar përgjatë bregut të Adriatikut dhe ato që gjenden në ishujt në veri të Korfuzit që quhen Otone’’, (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 84).
Pra sipas kësaj dëshmie nuk mund të ndodheshin në të njëjtin vend njëhkohësisht Spinarica Kavalonit apo Porto Novo. Prandaj Spinarica duhet kërkuar në veri të Zvërnecit aty ku shihen gjurmët e grykëderdhjeve të saj. Për këtë hipotezë tashmë ekzistojnë më shumë argumente se për çdo vend ku mund të aludohet për vendodhjen e saj.
Një prej këtyre grykëderdhjeve të Vjosës është edhe ajo pranë Povelçës në Fier, aty ku ndodhet edhe kisha mesjetare e Shën e Premtes, ku një argument i fortë është edhe afërsia e kësaj kishe me Apoloninë dhe rrjetin e saj rrugor që arkeologët e kanë dokumentuar këtu.
Ekzistenca në këtë vend e një kriporeje, ullishtave dhe toponimeve të tilla si ‘’Portiqi’’ (Porti) dhe ‘’Laçaj’’ (djajt-piratët) janë të tjera fakte plotësuese. Por midis tyre është edhe ekzistenca e mundshme e kështjellës së saj. Për të në tekstin e Historisë së Shqipërisë thuhet se: ‘’Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella më të vogla. Të tilla janë sidomos kështjellat që u ndërtuan në grykat e lumenjve të Shqipërisë si në Spinaricë (në grykën e Vjosës), në Pirg (në grykën e Semanit), në Bashtovë (në atë të Shkumbinit), në Rodon (gryka e Ishmit), Shëngjin (gryka e Drinit), etj (Selim Islami, Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, Vëllimi I, Instituti i Historisë, Tiranë, 1959, f. 233).
Lidhur me këtë fakt, kështjellat e Rodonit dhe të Bashtovës janë të prekshme edhe sot. Ndërsa Kulla e Pirgut u zbulua nga arkeologët vetëm në fund të viteve 70 (Neritan Ceka. Pirgu i Myzeqesë. Monumentet historike në vendit tonë. Tiranë 1978. f. 68-71).
Kurse për kështjellën e Spinaricës kemi vetëm dëshmitë e Aleksudhit i cili kur e vizitoi atë diku në gjysmën e shekullit të XIX dha këtë dëshmi: ‘’Ky lum në lashtësi shtratin e kishte në Handaka, atë që sot e quajmë lumi i vjetër e dilte në Adriatik ose gjirin e Jonit afër fshatit Gryka jo shumë larg nga aty ku derdhet sot lumi drejt vendit Laçani (qëndër demonësh) ku ndodhet një pirg i vjetër i cili ndoshta përdorej nga Apolonasit për të mbrojtur këtë port, si pasojë nga moskujdesja dhe lënia pas dore e portit erdhi deti dhe e ktheu në dy lumenj duke i quajtur ‘’Krinixhan’’ dhe tjetrin ‘’Portiki…’’ (Alexoudes, f. 42).
Pra ky ‘’pirg i vjetër’’ që përmend Aleksudhi nuk mund të ishte gjë tjetër mbetjet rrënojë të kullës apo kështjellës së Spinaricës, të përmendur nga autorët e mësipërm të Historisë së Shqipërisë. Ndoshta bëhet fjalë për fortesën që ndërtoi Justiniani sipas Prokopit, për të cilën Milan Shuflai thekson se është Spinarica e kohës së mesme (Milan Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët, Sh. B. Bargjini, Tiranë, 2001, f. 17).
Ndërkohë fshati Grykë që përmend Aleksudhi ndodhet sot disa kilometra në V-P të Laçanit (kishës së Shën e Premtes) pranë plazhit të sotëm të Semanit. Në pjesën veriore të këtij plazhi ndodhet edhe sot një ligatinë që quhet ‘’Gjoli i Gjemisë’’ (anijes), një tjetër argument në favor të hipotezës sonë, që tregon se në gjirin apo estuarin ku dikur kishte grykëderdhjen Vjosa, futeshin anijet (gjemitë).
Po kështu edhe pohimet e Jireçekut te shkrimi i tij ‘’Vlora në mesjetë’’ sjellin të tjera argumenta shtesë. Aty midis të tjerave ai shkruan se: ‘’Edhe dheshkrojët (hartat-shënimi ynë) e Ortelit dhe Merkatorit në shekullin e XVI e përmendin emrin Spinarsa rreth Polinës’’ (Apolonisë-shënimi ynë), (Kostantin Jireçek, Vlona në kohë të mesme, Agimi, 6, 1920, f. 88).
Pikërisht vendi që përmend Jireçek për Spinaricën duhet kërkuar te kisha e Shën e Premtes i cili ndodhet disa kilometra në perëndim të Apolonisë.
Si përfundim mund të themi se Spinarica nuk ndodhej në Zvërnec të Vlorës. Ndoshta qyteti-port ndodhej përgjatë shtratit të vjetër të Vjosës, në Povelçë të Fierit, ku ruhet që nga shekulli i XIII kisha mesjetare e Shën e Premtes. Por le të presim që ‘’fjalën’’ tashmë ‘’ta thotë’’ arkeologjia sepse siç shprehet rreth këtij problemi edhe studjuesi Agron Luka, ‘’Rezultati definitiv do edhe mbështetje arkeologjike’’.