Më të bukurat e Prishtinës

January 15, 2023 || views

Kryeqyteti i Prishtinës ofron mjaft atraksione dhe aktivitete për t’i bërë dhe një ditë nuk mjafton për ta njohur nga afër këtë qytet. Shëtitja nëpër pjesën e vjetër të qytetit përfshin disa pika të interesit: Muzeumi i Kosovës, Pazari i Vjetër, Xhamia e Gurit, Xhamia e Jashar Pashës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Madhe Sulltan Mehmet Fatih, Hamami dhe Muzeu Etnologjik etj.

 

Muzeu i Kosovës
I themeluar në vitin 1949, me
departamente të arkeologjisë, etnografisë dhe shkencës natyrore, në të cilën një departament për studimin e historisë dhe Luftën Nacionalçlirimtare u shtua më 1959. Muzeu përbëhet nga tre pjesë të muzeut: vetë Muzeu i Kosovës, Kompleksi Strehimor i Emin Gjikut ku është prezantuar ekspozita etnologjike dhe Muzeu i Pavarësisë. Muzeu përbëhet nga katër sektorë, sektori arkeologjik, sektori etnologjik, sektori historik dhe sektori natyror. Ndërtesa kryesore e muzeut përbëhet nga 3 salla ose galeri dhe njëra prej tyre shërben si sallë për ekspozita të përhershme arkeologjike, por ekspozita të ndryshme prezantohen edhe në oborrin e brendshëm të muzeut, si dhe në lapidariumin përkatësisht në Parkun Arkeologjik, që është që ndodhet pranë ndërtesës së muzeut, ose në anën e djathtë të tij. Në bodrume të muzeut gjenden depot e mijëra gjetjeve, artefakteve dhe fragmenteve të lëvizshme të materialit arkeologjik, sistematizuar dhe mbajtur në kushte të veçanta me vëmendje dhe kujdes të veçantë.

Muzeu etnologjik
është pjesë përbërëse e Muzeut të Kosovës. Ky muze është hapur më 27 Korrik 2006″, respektivisht, për publikun në muajin shtator të vitit 2006.
Kjo ndërtesë dikur ka qenë pronë e familjes së njohur Gjinolli. Prej vitit 1957 ky grup ndërtesash, duke përfshirë këtu shtëpinë e shërbëtorëve, shtëpinë e mysafirëve dhe shtëpinë e familjes, i takon Muzeut të Kosovës.
Emin Gjinolli ka qenë i njohur me nofkën ‘Emin Kücük – nga turqishtja ‘Emini i vogël’ – që më pas u shndërrua në ‘Emin Gjiku’. Në anën e majtë, prej derës kryesore të oborrit, mund të shihet e vetmja ndërtesë që ka i mbijetuar shkatërrimit të Çarshisë së Vjetër. Është bartur këtu në vitin 1963. Gjatë viteve 90, ky kompleks është përdorur si muze i natyrës. Në vitin 2003 ka filluar rnovimi i kompleksit me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, për ta shndërruar atë në muze etnologjik Ky kompleks etnologjik është margaritar i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përbëhet nga katër ndërtesa të shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, dhe ekspozitën etnologjike jashtëzakonisht interesante, e cila tregon jetën në Kosovë në aspektin etnologjik gjatë (shek.XV-XX).

Biblioteka Kombëtare
e Kosovës është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, dhe ka për qëllim kryesor mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë intelektuale të Kosovës dhe për Kosovën. Koleksionet e saj janë një thesar i çmuar të trashëgimisë kombëtare, rajonale dhe asaj botërore. Biblioteka është themeluar në nëntor të vitit 1944 dhe selia e saj ka qenë në Prizren. Pastaj është bartur në Prishtinë më 1946. Më 1952 Biblioteka është mbyllur dhe fondet e saj janë përvetësuar nga ish-Biblioteka Miladin Popoviç. Më 1956 Biblioteka prapë rithemelohet në objektin prapa objektit të tanishëm të BKUK-së, që tani është Galeria e Arteve e Kosovës. Më 1982, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (e njohur në atë kohë si Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës), e fillon veprimtarinë e vet në objektin arkitektonik të stilit të veçantë me kupola, në të cilin ndodhet edhe tani. Për shkak të rrethanave historike dhe politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, ka kryer funksionin nën praktikat dhe shtrëngesat e sistemit ideologjik e politik, duke u njohur me emra të ndryshëm. Nga viti 1999, ky institucion qendror bibliotekar i Kosovës njihet me emrin Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke kryer funksionin si qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar, që mbledh, përpunon dhe ruan materialet bibliotekare me vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën.