Mbërrin në Tiranë charteri i parë me 189 turistë nga Bjellorusia, si një marrëveshje e Aler Group

June 12, 2020 || views

Lajm i mirë sot për turizmin shqiptar. Mbërriti çarteri i parë me turistë nga Bjellorusia. Marrëveshja mes ALER Group dhe operatorit bjellorus Aerotravel, u kurorëzua më në fund sot me datën 12 qershor, kur ministritë e të dyja vendeve dhanë pëlqimin për ardhjen e turistëve të parë, ardhje që do të vijojë me dy fluturime në javë nga Bjellorusia, e ndjekur nga Ukraina, fluturimet prej së cilës nisin javën e ardhshme.

Charteri i kompanisë ajrore “Belavia” zbarkoi në aeroportin e Rinasit me 189 turistët e parë nga Bjellorusia.

“Është charteri i parë turistik në Europë, shumë mirë që e filluan nga Shqipëria. Presim dhe nga Ukraina, Polonia dhe vende të tjera balltike për të pasur një sezon të qëndrueshëm në Shqipëri” tha Ministri i Turizmit Blendi Klosi duke falënderuar kompaninë që pranoi të sillte tre chartera në javë në Shqipëri.

Shqipëria momentalisht i ka të hapura kufijtë me të gjitha vendet e rajonit përfshirë Greqinë, ndërsa i ka të mbyllura me vendet e tjera të Europës deri në datën 1 korrik, kur do të merret një tjetër vendim nga Unioni bazuar mbi gjendjen epidemiologjike të COVID-19.