Many Hands of Albania/ Fuqia e kujtesës së ushqimit, mes pasionit dhe nostalgjisë

January 16, 2023 || views

by Jonida Shano & VIS Albania

Për të disatin edicion radhazi Shqipëria iu bashkua eventit më të madh ndërkombëtar të ushqimit, “Terra Madre – Salone del Gusto” , i cili zhvillohet çdo dy vjet, kushtuar politikave ushqimore, bujqësisë së qëndrueshme dhe mjedisit, që këtë vit numëronte edicionin e tij të 14-të.

5 ditët e eventit të zhvilluar nga data 22-26 shtator 2022 në Parkun Dora të Torinos, këtë vit iu kushtuan RIGJENERIMIT. Nëse vitet 2020 dhe 2021 do të ishin vitet e rimëkëmbjes, ky vit do të ishte ai i një rinovimi rrënjësor të nevojshëm për një tranzicion të vërtetë agroekologjik, i cili – sipas Slow Food – mund dhe duhet të fillojë nga përmirësimi i praktikave bujqësore, sistemet e prodhimit dhe shpërndarjes, dietat dhe zakonet e konsumit, në qytete dhe fshatra të vegjël.
Komuniteti i Slow Food në Shqipëri, i mbështetur për herë të parë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, konceptoi dhe u prezantua me një zinxhir ushqimor kushtuar drithit, kësaj kulture bujqësore kaq bazike por po aq të rëndësishme për jetët tona. Zinxhiri nis me drithin, i cili më pas bluhet, sitet, zihet brumë dhe shoqërohet me produkte tipike vendore, të prodhuara nga fermerët e prodhuesit e vegjël dhe të gatuara nga shefat e kuzhinës të Aleancës Slow Food, të cilët ruajnë traditën, biodiversitetin dhe shijen shqiptare. Pikërisht këtu zë zanafillë edhe slogani “MANY HANDS OF ALBANIA” me të cilin Shqipëria u prezantua në këtë event.

Një zinxhir i tërë që bënë bashkë shumë duar. Pasi bluhet drithi, sitet sipas traditës shqiptare në sita druri dhe më pas amvisat shqiptare të krahinave të ndryshme e gatuajnë sipas përkatësive dhe traditës territoriale nga ku vijnë. Përmeti si byrek apo mesnik, Dibra si jufka, Korça si petka, Lezha si laknur, Gjirokastra si Osa dhe një pjesë e mirë e zonave të tjera si byrek të llojeve të ndryshme. I gjithë ky zinxhir, i cili promovon kulturën buknore shqiptare, shijet origjinale të territoreve tona të larmishme biologjikisht, ka një qëllim: RigjenerAKSION, të rigjenerojmë tokat tona duke ruajtur historinë, traditën dhe identitetin.

I fokusuar tek fermerët e prodhuesit e vegjël dhe prezantimit të traditës, kreativitetit të mendjes dhe të duarve, aktiviteti bashkoi komunitete të cilat kishin si qëllim ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e ushqimit dhe të produkteve tipike vendore.

 

Udhëtimi i Shqipërisë në “Terra Madre
Salone del Gusto” 2022

Lëvizja globale e rrjetit Slow Food mblodhi rreth 3000 delegatë nga 130 vende të botës, ndër to edhe Shqipëria, e cila me pjesëmarrjen e 20 delegatëve si prodhues, shefa kuzhine, aktivistë dhe bota akademike u prezantua në Torino me një triumf shijesh, aromash dhe ngjyrash, në harmoni të përsosur me konceptet e filozofisë së Slow Food: ushqim i pastër, i mirë dhe i drejtë.

Gjithçka ndryshon me ndryshimin e epokave, zakoneve, mendimeve, madje edhe shijet për ushqimin.

Çdo gjë ka kohën e vet.

Patjetër, derisa atje, nëpër rrugë, mes njerëzve, nëpër sheshe, nëpër shtëpi, në qytete, në botë, u përhap aroma e atyre recetave të lashta, të gatuara ngadalë, pa nxitim. U përhap edhe aroma e grurit apo misrit të sapo bluar, bukës së gatuar në furrë druri, e djathit “Mishavinë” nga Kelmendi, domateve dhe hideve në vaj, “Osave” të Gjirokastrës të gatuara me mishin e thatë nga Malësia e Madhe e Zadrima.

Dhe ja tek u zgjua menjëherë ajo lidhje e pazgjidhshme mes ushqimit dhe kujtesës, e aftë për të ngjallur kujtime të një epoke të shkuar dhe që na shoqëron gjatë gjithë jetës, si ëmbëlsirat tona të parapëlqyera kur ishim fëmijë, eksperimentet tona të para në kuzhinë, drekat e gatuara nga gjyshja, receta familjare që kalojnë brez pas brezi, ai ushqim i veçantë që prej vitesh ka shënuar momentet tona të lumtura.

Ndaj është e natyrshme të mos habitemi përse stenda e Shqipërisë në Terra Madre – Salone del Gusto 2022 ishte më e dyndyra me njerëz nga mëngjesi herët deri në orët e vona të mbrëmjes.

 

Ishte një pjesëmarrje madhështore që erdhi si rezultat i sinergjive pozitive ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), VIS Albania, DeP Dora e Pajtimit, Mrizi i Zanave, Luga e Argjendtë, komunitetit Slow Food në Shqipëri nga veriu në jug, si: Slow Food Elbasan, Slow Food Fishta, Slow Food Gjirokastra, Slow Food Sofra e Kelmendit, Slow Food Tirana, aktivistëve të Klosit, Shkodrës, Durrësit e Malësisë së Madhe, Universitetit Bujqësor të Tiranës, Engim dhe Aleancës Slow Food të Kuzhinierëve me përfaqësues Altin Prenga dhe Naim Bashmili.

Skenari i një stende druri tërësisht ekologjike, i zbukuruar nga prania e mullirit të gurit të prodhuar në mënyrë artizanale nga dy të rinj nga Tale në krahinën e Shëngjinit. Një ide e realizuar brenda 24 orëve nga Altin Prenga i “Mrizi i Zanave”, Besmir Rrjolli i “DeP Dora e Pajtimit”, shefi i kuzhinës Arbër Kukaj dhe vullnetarë shqiptarë me banim në Itali.

Një stendë e furnizuar me energji elektrike nëpërmjet paneleve diellore dhe që donte të demostronte kuzhinat e një kohe të shkuar por aktuale në shumë zona të Shqipërisë, ku gatuhej me furra dhe soba druri dhe ku, shumë shefa kuzhine nga vende të tjera të botës, përgatitën recetat e tyre, duke e shndërruar stendën e Shqipërisë në një hapësirë pa kufij dhe shkëmbimi të ndërsjellë, me në fokus biodiversitetin dhe trashëgiminë gastronomike.

Aty ku fuqia e kujtesës së ushqimit, mes pasionit dhe nostalgjisë, bëri që kuzhinierë shqiptarë, të cilët kanë emigruar në Itali prej më shumë se 20 vitesh, të vinin për të bashkëpunuar në stendën e Shqipërisë.

 

Shefa kuzhine të cilët së bashku me kuzhinierët e Aleancës Slow Food, kanë bërë të pamundurën për të promovuar punën e vazhdueshme të kryer nga Komuniteti i Slow Food në Shqipëri. Me një vokacion inteligjent inovativ, por gjithmonë duke respektuar traditën, kanë mundur të transformojnë cilësinë e jashtëzakonshme të brumit, lëndëve të para dhe specialiteteve agroushqimore shqiptare, në xhevahirë gastronomikë.

TERRA MADRE – SALONE DEL GUSTO 2022 DITË PAS DITE

DITA I

Këtë vit përveç një prezantimi dinjitoz të Shqipërisë, çelja e eventit na bëri të ndiheshim akoma më shumë krenarë me prerjen e shiritit të eventit nga Altin Prenga i “Mrizi i Zanave”, një shef kuzhine tanimë i njohur edhe përtej kufijve shqiptarë dhe një mbështetës i kahershëm i lëvizjes Slow Food në Shqipëri, një nga themeluesit dhe promotorët më të fuqishëm të saj. Në prani të themeluesit të Slow Food International Carlo Petrini, të Kryetarit të Bashkisë së Torinos Stefano Lo Russo, ish Kryeministrit italian dhe Komisionerit Evropian për Ekonominë Paolo Gentolini, Presidentit të Rajonit të Piemontes Alberto Cirio dhe shumë autoritete të tjera prestigjoze, kështu u festua çelja e këtij edicioni të ri.

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Znj. Frida Krifca vizitoi stendën e Shqipërisë dhe shprehu mbështetjen që ka dhënë Ministria me besimin në punën e përbashkët të fermerëve të vegjël, të cilët mund të grupohen në komunitete të vogla Slow Food në Shqipëri dhe që kanë mbi një dekadë që bëjnë një punë fantastike për ruajtjen e vlerave tradicionale, produkteve tipike, të bujqësisë shqiptare që ka aq shumë për të folur dhe pjesëmarrja në këtë event është pikërisht për të dëshmuar dhe prezantuar punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo shtoi se nëpërmjet politikave të ministrisë janë mbështetur rreth 70 subjekte të tilla që kanë si objektiv aktivitetin e organizuar ekonomik, të cilët mund të aksesojnë në financime deri edhe tek fermerët më të vegjël që prodhojnë në mënyrë të qëndrueshme. Së fundmi është kaluar edhe ligji mbi skemat e cilësisë ku po identifikohen një sërë produktesh të origjinës së mbrojtur, si djathi “Mishavinë” i cili prodhohet në Kelmend, mjalti i Bedunicës, Kallmeti etj. Ministria është në proçes nëpërmjet politikave të saj për ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin të këtyre produkte.

 

DITA II

Dita filloi që në çelje të saj me vizitorë të shumtë dhe adhurues të ushqimit, të mahnitur nga larmia e produkteve dhe e përpunimit të tyre dhe të shijeve e aromave unike, me interes rreth produkteve të veçanta e për të ditur më shumë rreth përgatitjes së tyre.

 

Gjatë kësaj dite Shef Naim Bashmili nga Aleanca Slow Food e Kuzhinierëve përgatiti në një nga sesionet shijuese të RigenerAction kushtuar “Petëve, djathit, e të tjera – të gjitha format e byrekut”, Krypanecin me presh, një gatim tipik të zonës së Elbasanit. Pjatat tipike shqiptare të sjella nga e shkuara e largët e traditës dhe tashmë të rifutura në “Arka e Shijes” ishin disa nga surprizat e panairit më të madh të ushqimit në botë.

Shumë duart e Shqipërisë ofruan për shijim përveç gatesave të gatuara në moment në sobat me dru, produkte tipike të zonave të ndryshme të Shqipërisë nga Veriu në Jug.

 

Nga Veriu i Shqipërisë shijuan raki, reçel e liker boronice, fiq të thatë, mish të thatë, aguliçe, mjaltë, djathë nga zona e Malësisë së Madhe, si “Mishavinë”, një djathë i bjeshkëve e staneve të Kelmendit, i vlerësuar në vitin 2021 me çmimin e tretë në “Slow Cheese”, një event kushtuar barinjve dhe prodhuesve të djathit artizan, të cilët refuzojnë mënyrat e shkurtra që ofron teknologjia moderne dhe punojnë me respekt për natyralitetin, traditën dhe mirëqenien e kafshëve dhe që është tanimë një Presidium i konsoliduar i Slow Food; turshi të llojeve të ndryshme, djathë, sallam të tymosur, miell gruri e misri, groshë, verëra nga zona Zadrimës; raki manaferre, reçel fiku dhe qershie nga zona e Klosit, Burrel. Shqipëria e Mesme me vajin e ullirit Valmi nga zona e Elbasanit dhe reçelëra e pekmez nga zona e Fierit, ndërsa Jugu i Shqipërisë me “Osat e Gjirokastrës”.

 

 

DITA III

Në ditën e III-të stendës ekologjikisht të qëndrueshme të “Many Hands Of Albania” i’u bashkuan edhe disa duar të rajonit, të cilët gatuan në të njëjtën kohë receta të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

 

Gjatë kësaj ditë Dhurata Thanasi – “Luga e Argjendtë” dhe Gjystina Grishaj – burrnesha e Malësisë gatuan byrek me spinaq, shumë i kërkuar dhe preferuar nga të gjithë vizitorët e stendës, qumështori i Librazhdit nga Shef Naim Bashmili, byreku me qepë dhe patate nga Lendita Hyseni nga Dukagjini i Pejës dhe hallvë nga Shef Amir nga Mali i Zi. Të gjitha gatesat u ofruan për vizitorët e stendës, të cilët padyshim dhanë vlerësimin e tyre maksimal për shijen e tyre.

 

Kuzhina e qëndrueshme, sobat me dru dhe stenda e ndërtuar në mënyrë të tillë ishte bërë një pikë referimi dhe mbështetje për shumë kuzhinierë dhe shefa të rrjetit Slow Food, të cilët vinin për të gatuar recetat e tyre ku i’u bashkoheshin në gatim edhe përfaqësuesit e Slow Food Shqipëri.

 

Gjatë të gjithë ditëve të panairit vajzat e grupit të Shqipërisë mbanin të veshura pjesë të veshjeve tradicionale shqiptare të zonave të ndryshme. Këto pjesë të veshjeve ishin padyshim manifestim i fuqishëm i kulturës dhe traditave shqiptare.

 

 

DITA IV

Edhe në ditën e IV-të në stendën e qëndrueshme të “Many Hands of Albania” u gatuan shumë receta të vjetra tradicionale shqiptare, ku Dhurata Thanasi nga “Luga e Argjendtë”, kërkuesja e palodhur e recetave të vjetra kudo nëpër Shqipëri, së bashku me Manjolën nga Slow Food Gjirokastra dhe “Edua Gjirokastër” dhe vajzat e tjera të grupit gatuan Osat e Gjirokastrës dhe petulla me gjalpë.

 

Petullat e shoqëruara me shurup pishe apo dredhaniku i gatuar me lakra, osat me mishin e thatë nuk do të harrohen kollaj nga adhuruesit e ushqimit.

Po ashtu pula me patate dhe qepë nga Lendita Hyseni, Krypaneci i Elbasanit nga Naim Bashmili, groshet laramane të Zadrimës me mish të thatë nga Arbër Kukaj (Mrizi i Zanave), vera kallmet, turshitë, vaji i ullirit nga Elbasani, djathi “Mishavinë” dhe reçelërat nga Malësia e Madhe zgjuan kërshërinë e vizitorëve për t’i shijuar, e që konfirmuan se aromat që zgjonin shqisat e tyre, zgjuan edhe qiellëzën e tyre me shijen e veçantë të çdo gatese.
Pjesëmarrësit nga Shqipëria u bënë pjesë edhe e disa takimeve dhe punëtorive me tematika të ndryshme, të cilat ishin në interes të punës së tyre të përditshme dhe për të ndarë përvojat e tyre e për të shkëmbyer praktika të mira.

 

 

DITA V

Gjatë kësaj dite në stendën “Many Hands of Albania” u derdhën pa kursim grimca tradite dhe shumë dashuri me ushqimet e përgatitura nga grupi shqiptar.

Në këndin kushtuar BIODIVERSITETIT, ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, takime, zgjerim njohurish, promovim të shumë produkteve tipike nga e gjithë bota, promovuam edhe dy produkte tipike të Malësisë së Madhe: fiq të thatë dhe boronicë e egër.

Një moment takimi midis ekspozuesve dhe vizitorëve të pasionuar dhe të magjepsur nga historitë, produktet dhe territoret.

 

Një emocion unik që tregoi edhe një herë se sa energji dhe sa pasion sjell rrjeti Slow Food, por mbi të gjitha, tregoi një Shqipëri të mrekullueshme që më në fund ecën në unison, duke lartësuar pasuritë e saj mjedisore, natyrore, peizazhore, identitare dhe agro-ushqimore.