Soap Arcadia, kopshti i mrekullive të Anxhelës

August 6, 2019 || views

Na pëlqejnë shumë njerëzit që e duan natyrë dhe mjedisin. Jemi gjithmonë pozitivë e të prirur t`i tregojmë historitë e tyre me shumë dëshirë. Dhe kemi pikërisht një mikeshë të natyrës, me të cilën duam t’ju njohim edhe ju, një person që mbështet të ardhurat e saj tek pasioni që ka për kujdesin vetjak. Anxhela Panxhi dhe filozofia saj është #ikigai. Nuk tingëllon shumë si diçka shqiptare, por ajo bën një kombinim shumë të mirë të slloganit “mendo globalisht dhe vepro lokalisht”. Ajo i jep punës së saj nota lokale dhe ndërkombëtare, duke u marrë me përgatitjen e krijimeve e produkteve të përkujdesit vetjak, të cilat ajo i disponon gjerësisht në Shqipëri, në shtetet ballkanike, në Belgjikë, Hollandë, Gjermani dhe në të gjithë botën. Ajo themeloi 8 vite më parë Soap-arcadia Home-magic Crafts dhe Herb-Arcadia Superfood Tirana.

Po përse Anxhela e quajti biznesin e saj Soap Arcadia?

Sapuni është produkti i parë i përdorur për pastrim dhe arcadia do të thotë, një kopsht gjithmonë i gjelbër, ku njerëzit jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin dhe natyrën. Ky është përbërësi etik që shoqëron tërë punën e saj.

– Dua që tërë krijimet e mia të jenë të qëndrueshme e autentike dhe që përfshijnë çdo person në gjetjen e asaj se çfarë i përshtatet më shumë, duke kombinuar rutinën e brendshme dhe të jashtme.

Çdo person që ajo ndihmon me krjimet e saj, kalon një fazë fillestare konsulence, në mënyrë që të përcaktojë se çfarë i duhet këtij personi. Gradualisht ajo i prezanton me një rutinë të stilit të jetesës që adreson shkakun e një problemi të lëkurës. Pra, kur i kërkoni një sapun apo krem për fytyrën, nuk aplikohet asgjë standarte. – Po thotë ajo, secili është i ndryshëm dhe duhet trajtuar në mënyrë të tillë. Ajo e bën këtë bazuar në parimet e shkencës së ajurvedës dhe traditave lokale mbi kujdesin e lëkurës, dhe përkujdesin vetjak në përgjithësi. Për këtë arsye, ajo ka zhvilluar linjën e saj të superfoods. Ajo ka studiuar Holstic Health & Beauty dhe ende vazhdon të studiojë.

Çfarë të entuziamon më shumë rreth kësaj?

– Unë gjej përbërësit më të mirë që vendi ynë ofron dhe shumë të tjerë i gjej në evente bio- organike, në vende që janë shumë përpara në aktivizmin ambiental. Përbërësit vijnë nga biznese të vogla rreth botës të cilët dua t’i ndihmoj dhe ata më ndihmojnë mua duke më dhënë element, që janë rritur në mënyrë të qëndrueshme, me përgjegjësi dhe me impaktin më të vogël ekologjik. Pra t’u jap klientëve të mi eko-luks të vërtetë.

Made in Albania: Soap Arcadia, kopshti i mrekullive të Anxhelës     

Po kjo është fantastike. A mund të na flasësh për krjime specifike?

– Nga krijimet më të shitura janë kremi i fytyrës eco-luxe, pastruesi delikat dhe eliksiri i flokëve. Unë e kam filluar këtë punë si pasion, i cili më vonë u shndërrua në një profesion me kohë të plotë, duke përgatitur locione trupi. U desh ca derisa sapuni i parë përfundoi. Që prej atëherë nuk mund të rresht së krijuari receta të reja, duke i testuar tek miqtë e mi dhe të afërmit, dhe duke i përmirësuar gjatë gjithë kohës. Deri më tani kam arritur kërkimet e mia, të cilat aplikohen ndryshe në persona të ndryshëm.

Përse është pastruesi delikat më i kërkuari?

– Ky është pastrues i cili nuk e largon nivelin e nevojshëm të yndyrës nga fytyra. Largon papastërtitë por nuk është agresiv, është delikat.

Cili është vizioni yt afatgjatë?

– Jam duke punuar mbi një qendër ekologjike në Belgjikë dhe Shqipëri, dhe nëpërmjet saj të udhëzoj shumë të tjera në tërë Ballkanin;, sjelljen e bimëve dhe çajrave nga Ballkani në vendet e veriut; sjelljen e dijes së pionierëve nga Hollanda e Belgjika në tërë Ballkanin. E kam fjalën, për njerëz që japin mësim rreth natyrës, nxitjes së një biznesi të gjelbër dhe ndërlidhjen e shumë talenteve. SoapArcadia është vetëm një pjesë e një serie eventesh.

Faleminderit shumë! Revista Travel do të jetë po ashtu, pjesë e këtij rrugëtimi.