Kullat malësore me termoizolim natyral – aty ku malsorët merrnin leje krijimtarie për me krijue Eposin e Kreshnikëve
February 7, 2022 || views
Nga Ilir Seci
Kullat malësore me termoizolim natyral – aty ku malsorët merrnin leje krijimtarie për me krijue Eposin e Kreshnikëve. 4-5 muej dimën kalonin kështu… 4-5 muej kur malsorët merrnin leje krijimtarie, rroknin lahutat e shkruenin ose redaktonin “Eposin” apo kangë tjera që janë fryti i atyne stinave e moteve…sepse vetëm njerëz që kanë nge, si kanë pasë ata malësorë asokohe, kanë mujtë me shkrue Epose të tilla…
Tue e kqyrë nji dokumentar për banesat tradicionale në katundet e Zvicrës, kur doli nji arkitekt specialist e foli për strukturën e këtyne banesave shekullore, mes atyne çka tha, më bani përshtypje nji fakt që specialisti e theksoi :
– “Në shpiat e moçme zviceriane kanë mbajtë bagëtinë në katin e parë, (në ahër ose ahur), në katet mbi ahër kanë banue familja dhe nën mbloje, (çati), kanë mbajtë sanën e dimnit, ushqimin e bagëtive që mbanin në ahër…Në këtë mënyrë katundarët zvicerianë kishin gjetë mënyrën ma origjinale me krijue sistemin bio të ngrohjes mbasi kurmet e ngrohta të bagëtive në ahër dhe sana e palueme nën mblojë shndërroheshin në termoizolimin natyral ma të përsosun. Kjo ishte e dosmosdoshme për me mbijetue në dimnat e ashpër të Alpeve Zviceriane dhe falë kësaj praktike tradicionale malsorët zvicerianë ia kishin dalë me mbijetue shëndetshëm.”
…Fill me shkoi mendja te Kullat tona në Malsi…te Kullat shekullore trekatëshe që pa përjashtim katin e parë e kanë pasë ahër. Njajtë si malësorët zvicerianë edhe te na i mbanin bagëtinë në ahër dhe kulla merrte ngohjen nga njana anë, e nga ana tjetër bagëtia për veti ishin të mbrojtuna po ashtu…sepse në dimnat e atyne moteve binin ka 2-3 metra borë që nuk dejej, (shkrihej), deri në muejin Prill. Ishte edhe ma praktike me zbrite shkallët përmbrenda Kullës drejt e në ahër pa qitë kambën jashtë e me shkelë në borë. Zbrit shkallët e ahrit, shtaviti, (pjesëtoju), bagëtive ushqimin nëpër biga dhe grazhde, sanë ose dushk të thatë, ldirua, (pastroju), plehun, mjel ato që mileshin edhe kryhej dita e malsorit dhe të tanë robtë mblidheshin në katin e dyte përreth zjermit në oxhak… 4-5 muej dimën kalonin kështu… 4-5 muej kur malsorët merrnin leje krijimtarie, rroknin lahutat e shkruenin ose redaktonin Eposin e Kreshnikëve apo kangë tjera që janë fryti i atyne stinave e moteve…sepse vetëm njerëz që kanë nge, si kanë pasë ata malësorë asokohe, kanë mujtë me shkrue Epose të tilla…
Lexo edhe: Turizmi autentik i kullave
Kulla me termoizolim natyral, zjermi në votër, buka në magje, veshun e mbathun me tesha të leshta ba me krrabza nga duert e nanave e grave të vyeme e të kanuna, të papërtueme, që banin tesha të leshta me lesh delmje apo çorapë të bame me lesh dhie per me ecë me rrathë mbi borë e mos me të hy kurrë lagshtina në kambë, “çorapë të dhiñta” u kanë pasë thanë… nuk u lagshin, e tue mos u lagë nuk u ngrijshin dhe malsori ecte me rrathe bore sa të mundej…
Lexo edhe këtu
Në shtat veshnin teshat e leshta punue me lesh demlje bardhokë…prej se lindnin e deri në vdekje veshun me tesha të leshta… prandaj malsori kur betohej shprehej “Prej se më bani Nana e rashë në lesh të delmes”… Teshat e leshta, Tirqit e leshtë, Çorapet e leshta, Kraholet, (kanatieret), e leshta thurun me krrabza nga Loket tona, me lesh delmje të cilat kanë qenë ma të shëndetshmet në botë… Leshi i delmes natyrisht që ka me qenë ma i miri sepse me atë lesh delmja mbron trupin e vet, dimën e verë dhe të parët tanë plot me mençuri nga përvoja e morën atë mësim dhe e perdorën për veshje…
Prandaj mbajshin njerëzit veshun tesha të leshta verë e dimën. Në dimën të mbanin nxehtë si furrë e verës si freskuese…
Mbasandej “koha solli në skenë najlonët e sejlonët, teritalet e materialet sintetike”… Dhe Njeriu mërdhiu…