Kopshti “Princi i Lumtur” ose si të investosh për një model qëndrueshmërie në shoqëri!

February 8, 2025 || views

Të flasësh për një kopësht fëmijësh ndoshta nuk është e zakonshme në një revistë turizmi, por të tregosh për kopshtin “Princi i Lumtur” në Tiranë, mendoj se ia vlen, nëse don ti prezantosh dikujt një model të shkëlqyer për tu ndjekur në rastet kur ky dikush po aspiron për një strukturë të qëndrueshme e të shëndetshme jetësore, shoqërore, financiare, estetike a turistike qoftë.

Si e zbulova unë kopshtin “Princi i Lumtur”, ndërkohë që vetë nuk jam më një nënë fëmijësh të vegjël që shkojnë në kopësht? E zbulova nëpërmjet njohjes së të zonjës së tij ose të themelueses së këtij institucioni parashkollor tashmë njëzetvjeçar, znj. Eda Bano Losha.

Kur e kam hasur për herë të parë emrin e Eda Banos në ekranet televizive dhe rrjetet sociale, përshtypja e parë që krijova, ishte ajo e një gruaje të bukur që udhëtonte shumë dhe që ndante me pasion përvojat e saj të shumta nga çdo cep i botës. E shoqëruar kjo me një zili dashamirëse nga larg për dy arsye kryesore: listën e panumërt të destinacioneve anekënd globit dhe kombinimin e mahnitshëm të veshjeve plot ngjyra, që së bashku me buzëqeshjen rrëzëllitëse të Edës, i jepnin të gjitha fotove pamje kartolinash.

Pastaj rasti e solli të ishim bashkë në një panel televiziv, ku pata mundësinë ta njoh nga afër, njohje të cilën e thellova duke i kërkuar një intervistë në “Travel” për udhëtimet e saj të shumta. Dhe nga kjo njohje pashë përtej fasadës – sidoqoftë të bukur e plot ngjyra – një shpirt po aq të bukur, që e shpërfaqte veten në një kompleksitet dimensionesh, duke bërë bashkë ngjyra, formë e përmbajtje, me një trinom të përkryer fizik, shpirtëror dhe estetik.

Duhet të theksoj se nuk kam parë ende deri më sot një njeri që të kujdeset kaq shumë, por gjithaq pa tepri, për çdo destinacion, foto, veshje, kombinim ngjyrash dhe aspekt emocional, deri në detajet më të imëta, duke treguar açik një respekt dhe adhurim për të bukurën.

Doli që kjo nuk ishte aspak e rastësishme, çka ma forcoi edhe më shumë vlerësimin dhe më rriti dëshirën për të rrëmuar më thellë.

Metodika e rreptë e një vajze që ka mbaruar shkenca ekzakte (përkatësisht me profesion Eda është inxhiniere) por që e respekton dhe vlerëson kaq shumë të bukurën, nuk mund të nxirrte gjë tjetër në dritë përveçse një produkt të përsosur.

 

I tillë ishte edhe kopshti “Princi i Lumtur”; një “Edë” e përsosur por e shfaqur në dimensione të tjera. Kopshti në dukje është një strukturë edukative si të gjitha strukturat e tjera, por po të shikosh me vëmendje detaje ose të ndjekësh ecurinë e përditshme, e kupton që nuk është ashtu.

Fjala vjen, jo në çdo faqe të rrjeteve sociale të kopshteve të tjera private (pa dashur kurrsesi të heqim paralele), sheh të publikohen vaktet gati përditë. Duket si një gjë e zakonshme, por në fakt është një akt transparence. Ose për shembull, nëse shikon aktivitetet e përditshme, ato nuk janë thjesht lojëra fëmijësh në klasat e kopshtit, në lëndinë apo në ndonjë park qyteti. Jo.

Ato janë aktivitete të vërteta me një bosht logjik që gjithmonë të shpie diku. Janë ekskursione ose vizita në site historike, muze, destinacione turistike, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse i njohin fëmijët me bukuritë e vendit qysh në vitet e para të jetës, duke i injektuar dashuri për të përmes anëve të tij më të mira.

Shëtitjet nëpër qytet nuk janë thjesht dhe vetëm për t’i nxjerrë në ajër të pastër, por “ekspedita” me qëllime të përcaktuara, dhe objektivi i vizitës (nuk ka rëndësi nëse është stadiumi apo parlamenti), është njohja e Agorasë, rregullat e funksionimit të së cilës duhet të mësohen patjetër qysh në vegjëli, para se të afrohet rreziku i zëvendësimit të tyre nga zakonet e këqija.

Biblioteka e mbushur dingas nuk shërben vetëm si dekor për të treguar që kemi libra, por për ta eksploruar thellë dhe përditë, me orë të dedikuara, ku studimi përbëhet edhe nga procesi i njohjes dhe miqësimit me librin.

Pra, gjithçka flet qartë me gjuhën e një organizimi të përsosur.

Aktivitetet fizike nuk janë thjesht ushtrime gjimnastikore për të mbushur kohën, por sporte të organizuara, që i çojnë vogëlushët drejt krijimit të një disipline të caktuar.

 

Dhe ti kupton që “Princi i Lumtur” nuk është gjë tjetër veçse pasqyrë e Edës, që ka shprehur aty në forma të tjera gjithë karakterin dhe brendinë e vet.

Uniformat, pastaj, me emrin e fëmijëve të qëndisur bukur mbi gjoks, janë qershia mbi tortë e këtij “shteti” të vogël, të organizuar kaq në përsosmëri me një disiplinë të vërtetë “ushtarake”, por njëkohësisht të bukur e plot ngjyra.

Gjithçka në këtë strukturë solide flet për një bërthamë, që po rritet e shëndetshme, e gatshme për të dalë nesër në jetë jo vetëm e veshur bukur, por edhe me parimet e duhura, me të cilat duhet të edukohet një brez, i cili në të ardhmen duhet të marrë në dorë fatet e shoqërisë.

A nuk duhet të ishte kjo forma dhe mënyra me të cilën mund të organizohen dhe funksionojnë një staf, një kolektiv, një qytet, një shtet?

📍 Adresa: Rr. Endri Keko, Tiranë
📞 Tel: 068 20 66 120