Konkursi që na bëri me krahë
January 15, 2023 || views
Më 25 tetor Travel Magazine shpalli konkursin “Fotoja më e bukur me kostum popullor”, konkurs që u zhvillua prej më shumë se një muaji, duke sjellë një paradë atdhedashurie të pashoqe, meqë periudha e zhvillimit të tij përkonte me atmosferën e Festave Kombëtare.
Më shumë se tetëdhjetë foto, që erdhën jo vetëm nga trevat shqiptare por edhe nga Diaspora kudo nëpër botë, u bënë pjesë e konkursit, duke shpalosur pothuajse të gjithë gjeografinë e kostumeve të mrekullueshme popullore nga Veriu në Jug, brenda e jashtë Shqipërisë.
5 fotot më të bukura në konkursin e fotografisë “Fotoja më e bukur me kostum popullor” në Travel the Balkans Magazine, përzgjedhur nga një juri profesioniste, ishin pa dyshim një paradë kostumesh të mrekullueshme popullore, edhe pse fotot ishin krejtësisht amatore dhe një pjesë e elementëve të kostumografisë mungonin. Qëllimi i këtoj konkursi ishte nxitja drejt traditës, trashëgimisë tonë materiale dhe vlerave të paçmuara që bart ajo dhe vërtet pjesëmarrja ishte mbresëlënëse dhe me një shtrirje jo vetëm nga Shqipëria e trevat shqiptare por edhe nga Diaspora.
Ky konkurs u organizua në bashkëpunim me Kraal Hotel në Vlorë, i cili edhe vitin e shkuar organizoi një sërë aktivitetesh me qasje kombëtare, për t`i dhënë Festës së Flamurit vlerat dhe vendin që i takon, pikërisht në qytetin ku 110 vjet më parë, Shqipëria u bë shtet i pavarur.
Kraal Hotel ofroi dy çmime ne formën e një fundjave të shpenzuar në Vlorë në ditët e Festave, me qëllim që fituesit të kenë mundësi të prekin atmosferën e bukur të atyre ditëve.
Njëri prej çmimeve i takon fotos më të votuar nga publiku në faqen e Travel magazine në Instagram dhe tjetri fotos së vlerësuar nga juria e revistës, si fotoja më e bukur e konkursit.
Fotoja më e votuar nga publiku, deri në momentin e mbylljes së konkursit, ishte ajo me kostumin 100-vjeçar të Elbasanit, sjellë nga koleksioni privat i etnologes së njohur Luljeta Dano, i vitit 1905, që i përkiste familjes Kumi në Elbasan dhe i kaluar më pas te familja Jegeni, kryetari i së cilës ka qenë prefekt i Durrësit dhe Tiranës. Kostumi është mirëmbajtur mrekullisht dhe ishte një copëz historie e përcjellë ndër breza.
Në konkurs e solli me një foto të sajën Enida Stafa.
Omer Mustafa me kostumin e Çamërisë është fituesi i konkursit, votuar unanimisht nga juria, si fotoja që përcjell jo vetëm vlerat e konkursit por edhe shpirtin e paepur, levizshmërinë, luftën. kërcimin, gëzimin e jetës, forcën e karakterit dhe vazhdimësinë, të gjitha në një.
Më poshtë po ju tregojmë edhe listën me fotot më të vlerësuara të konkursit, që përveçse shumë të bukura, janë edhe një larmi e admirueshme etnografike e trevave tona nga veriu në jug.
Në kuadër të festimeve të Pavarësisë, Kraal Hotel ka menduar të hapë një ekspozitë me fotot më të bukura të konkursit, të cilat do të qëndrojnë në mjediset e Kraal Hotel gjatë të gjitha ditëve të festive.
Travel Magazine falënderon të gjithë pjesëmarrësit por edhe ata që u bënë pjesë e konkursit me votat e tyre, duke e bërë këtë maratonë njëmujore shumëngjyrëshe një ngjarje të bukur, mbushur me traditë.
Shihemi në konkurset e tjera!
1. Kostumi i Çamerise (Omer Mustafa)
2. Çifti: Gruaja kostum arbëresh, burri nga Veriu
(Kristian Zefi, Xhesika Dedaj)
3. Kostumi i Dardhës (Silvia Çala. Në foto: Jura)
4. Veshje aristokrate te Shqiperise së Mesme (Eva Dori)
5. Kostumi i Zadrimës nga Colors of Zadrima
(në foto: Fiona Gazulli)
6. Kostumi i Pogradecit (Johan Karafili)
7. Jelek me motive popullore (Miranda Karpuzi)
8 Kostumi i Labërisë (Deon Nasko)
9. Kostumet e Lunxhërisë dhe Mirditës (Motrat Koçollari)
10. XHubleta e Malësise së Madhe (Florida Peraj)
11. Kostumi i Medvegjes (Bleta Beqiri)
12. Veshje aristokrate te Shqipërisë së Mesme (Eva)
13. Kostumi i Mokres (Ardian Fezollari)
14. Kostumi i Dukagjinit (Kristian Zefi)
15. Kostumet e Medvegjes (Adelindë Pajaziti)