Klosi, fshati që po pret turistët dhe kazmat e arkeologëve
August 11, 2020 || views
Nga Ilirjan Gjika
Klosi është një nga fshatrat më të njohur të Mallakastrës, i cili ngrihet mbi truallin e qytetit antik të Nikaias. Rrënojat e një teatri, stadiumi, të një shëtitoreje, të disa banesave dhe të një vargu të gjatë muresh rrethuese, janë dëshmi të qytetërimit që gjallon këtu që nga antikiteti. Për të vizituar sitin arkeologjik të Mallakastrës u nisëm përgjatë autostradës Levan-Tepelenë dhe u ngjitëm sipër kodrave për të mbërritur fillimisht në Bylis dhe më pas në Klos. Të dy qendrat arkeologjike nuk janë veçse 1.5 km nga njëra-tjetra.
Klosi, fshati i Luftës
Pas një rruge të shkurtër u ndalëm fillimisht në sheshin kryesor të fshatit ku vëmendjen ta tërheq lapidari, shkolla dhe një shtëpi e madhe dykatëshe prej guri. Është shtëpia familjes së njohur Klosi, pjesëtarët e së cilës luajtën një rol të rëndësishëm në lëvizjen e rezistencës partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë krahinë. Edhe lapidari aty pranë lidhet me luftën. Pikërisht këtu, në 4 shkurt 1943, u krijua formacioni i parë partizan i krahinës, “Çeta Plakë’’ e Mallakastrës.
E kështu, aty në qendër të fshatit, pasi kundruam panoramën dhe shtëpitë me vreshta, ullinj shekullorë dhe dru frutorë, kaluam në portën monumentale me qemer të Klosajve, që shërben edhe si hyrje për në qytetin antik të Nikaias. Pikërisht në pikën më të lartë, pranë rrënojave antike ndodhet një nga lagjet e tij, e quajtura si ”Mëhalla e Shkëmbit”.
Këtu duhej të na priste Etnori, arkelologu por njëkohësish edhe banor i fshatit, i cili prej kohësh merret me kërkime historike. Në përpjekjet e tij për ta bërë sa më të njohur Nikaian, ai na kishte premtuar që në vizitën tonë të parë për atje, do të na shoqëronte duke në vënë në dispozicion edhe familjen. Por situata e njohur e pandemisë nuk e lejoi të kryente ritualin e përvitshëm, kthimin në vendlindje.
Gjithsesi me mjetet moderne të teknologjisë, komunikuam menjëherë me të dhe nëpërmjet tyre realizuam edhe guidën tonë.
Nikaia, qyteti antik ilir
Qyteti antik i Nikaias ishte vendosur në pjesën më të lartë të kodrës së sotme të fshatit Klos, e cila përbëhej nga dy maja dhe një pjesë e gjerë dhe e rrafshët midis tyre. Ai ishte themeluar si vendbanim diku në shekujt VI-V P.K. dhe dalëngadalë u shndërrua në qytet rreth fundit të shekullit të V P.K. apo fillimit të shek. IV P. K..
Nikaia kishte një sipërfaqe prej 18 HA dhe rrethohej nga mure që arrinin një gjatësi prej 1850 m dhe lartësia e tyre arrinte 8-9 m. Por meqenëse kodra ku shtrihej qyteti ishte e vogël dhe nuk u përgjigjej kërkesave për zgjerim të banorëve, autoritetet vendosën që në kodrën tjetër që shtrihej në veri-perëndim të saj, të ngrinin një qytet të ri. Kështu lindi qyteti i Bylisit, fillimisht në formën e një dyqytetëshi në mesin e shek. IV P. K. dhe që i ngjante shumë qytetit “nënë”.
Nikaia kishte banesa, shëtitore, teatër dhe disa vepra të tjera publike të vendosura në mënyrë të rregullt sipas planit arkitektonik të Hipodamnit, arkitektit të njohur të lashtësisë. Nga gërmimet arkeologjike janë gjetur vula qeramike me emra të tillë, si: BAΛANEIOY, BANAKSI, DIMOΣIA, ΛEΩNIDA dhe një sërë mbishkrimesh, si ato të teatrit, ku ndeshim emra prytanësh e dekrete për lirim skllevërish dhe dhënie qytetarie. Të gjitha këto fakte tregojnë se Nikaja ishte qytet i rëndësishëm brenda Koinonit Bylin.
Ndër monumentet e ruajtura më mirë të këtij qyteti është teatri. Ai është i vendosur 60 m larg mureve rrethuese në pjesën veriore të tyre. Me një kapacitet prej 700 spektatorësh ai përbëhej prej 17 shkallaresh me diametër prej 11.30 m, të gdhendura të gjitha në shkëmbin e kodrës.
Të tjera monumente që kanë mbetur janë porta e qytetit në pjesën veriore dhe një pjesë muresh në pjesën jugore të tij, ku në segmente të caktuara kemi mure te kështuquajtura “ciklopike” ku pjesa më e madhe e blloqeve përbëhet nga ata poligonalë dhe trapezoidalë. Mund të përmendim edhe disa banesa qytetare të gdhendura në shkëmb dhe një stoa me gjatësi 40 m, e cila nuk është zbuluar tërësisht nga arkeologët. Ndërkohë që në pjesën veri-perëndimore të qytetit, gjenden mbetjet e mureve të një kulle dhe një porte të vogël e tipit posterula , të cilat i kanë shpëtuar deri diku shkatërrimeve.
Merita e gërmimeve arkeologjike në Nikaia, zbulimi dhe restaurimi i monumenteve të saj u bë nga Lazër Papajani në vitet 1970. Rezultatet e tyre ai i botoi në formë studimesh në revistat “Studime historike”, “Iliria” dhe ‘’Monumentet’’. Ndërkohë, të tjera studime dhe botime të pjesshme për të, ka botuar në vitet 80-90 të shekullit të kaluar edhe Neritan Ceka. Përveç shkrimeve, arkeologu i njohur, ka edhe një sërë trajtesash për këtë qytet, të cilat i ndeshim edhe në libra të veçantë të tij. Të tilla janë titujt “Udhëtim në kështjellat ilire” apo librin me bashkautor “Bylisi, historia dhe monumentet” botime të viteve 2000.
I çuditshmëm është fakti se gërmimet arkeologjike këtu janë ndërprerë qysh në mesin e viteve ‘70. Arsyeja nuk dihet por qetësia u prish vetëm në vitin 2017, kur, kur arkeologu Etnor Canaj i bëri të njohur Institutit të Arkeologjisë zbulimin rastësor të varrit monumental dhe të nekropolit të mundshëm të qytetit të lashtë. Për të cilin ju folëm në fillim. Këtë njoftim kaq të rëndësishëm e morëm vesh pikërisht kur përfunduam guidën tonë përgjatë kodrës së rrafshët të Klosit.
Klosi, fshati që po pret turistët e parë
Kishte ardhur koha për një kafe të cilën së bashku me ujin e ftohtë e shijuam në një nga shtëpitë e ‘’Mëhallës së Shkëmbit’’. Të ndërtuara me gurë, me strukturë solide dhe të vendosura në një pozicion panoramik ato mund të shërbejnë fare mirë si shtëpi-bujtina për vizitorët dhe turistët. Aq më tepër që dendësia e madhe e monumenteve e mundëson një qëndrim të tillë. Dhe nuk është vetëm Bylisi që ndodhet aty pranë, por disa kilometra në veri ndodhet Ballshi, me rrënojat e katedrales së njohur të Gllavinicës, ku mendohet të jetë kurorëzuar cari bullgar Borisi në vitin 866.
Në jug të kodrës ndodhen edhe shpellat karstike të Katafiqit që mund të jenë një aktraksion jo vetëm për një vëzhgues të thjeshtë, por edhe për studime që kanë lidhje me gjeologjinë për këtë zonë. Ato janë cekur dhe përshkruar në studime të ndryshme por asnjë nuk është marrë në mënyrë konkrete me to.
Po kështu, aty pranë ndodhet Poçemi, vendi ku janë mbledhur tre kuvendet historike të Mallakastrës, të quajtura ndryshe edhe “Besëlidhjet e Poçemit”, në vitet 1847, 1920 dhe 1943.
Lugina e Vjosës dhe e Povlës janë të tjera atraksione turistike për turizmin shkencor apo atë të aventurës. Ndërsa një vlerë e shtuar është edhe kuzhina vendase ku prodhimet bio, vaji i ullirit, vera, rakia dhe gatimet tradicionale si zogu në saç apo revanija janë të përkryera nga duart e grave mallakstriote.
Këtë të ofron Klosi ku natyra e bukur, historia dhe njerëzit mikpritës dhe bujarë përbëjnë resurset e e turizmit të ardhshëm, ku vizitorët mund të shohin edhe kazmat e arkeologëve
Varri monumental që mund të rikthejë gërmimet në Klos
Një zbulim i ri
Gërmimet arkeologjike këtu janë ndërprerë qysh në vitet 1970. Arsyeja nuk dihet. Qetësia u prish vetëm në vitin 2017, kur arkeologu Etnor Canaj i bëri të njohur Institutit të Arkeologjisë zbulimin rastësor të një varri monumental dhe të nekropolit të mundshëm të Klosit të lashtë.
Dhe historia nis kështu. Etnor Canaj është pikërisht nga Mëhalla e Shkëmbit. Ai ka kryer studimet e larta në Universitetin e Bolonjës dhe aktualisht jeton dhe punon në Itali që prej vitit 1994. Ndërkohë që asnjëheë nuk i ka humbur lidhjet me vendlindjen dhe pasionin tjetër, arkeologjinë, duke u fokusuar për më tepër se 10 vjet. Me këtë sit arkeologjik që njihet si Nikaia e lashtë. Pikërisht të dyja dizertacionet universitare të tij kanë qenë për Klosin.
Dhe pikërisht në 11 shtator 2017, pasdite, pasi kishte përfunduar punën e vet ditore në Bylis dhe ishte duke u kthyer në shtëpi, e ndal një bashkëfashatri i vet duke e informuar që në pjesën perëndimore, sapo nis ngjitjen për të hyrë në kala, prej rrëshqitjeve të dheut disa kohë më pare, kishte dalë në dritë një strukturë që atij i ngjante si një varr. Duke njohur faktin që Etnori kishte studiuar për këtë fushë dhe bënte pjesë në misionin e përbashkët arkeologjik në Bylis, bashkëfshatari i kërkoi nëse mund t`i hidhte një vështrim dhe të lajmeronte institucionet përkatëse.
Kështu nisi shqyrtimi i objekteve së bashku me fotot të cilat po atë ditë u nisën në adresën e drejtori të Institutit Arkeologjik. Të nesërmen, arkeologu Canaj, e shoqëroi atë së bashku me Prof. Neritan Cekën për një vëzhgim të mëtejshëm, ku, pas këti zbulimi dhe evidentimi, institucionet përkatëse priten të fillojnë tashmë gërmimet arkeologjike.
Ne, turistët e pakët të Klosit
Gjatë vizitës që bëmë në Bylis, ndalesa në Klos na u duk më interesantja. Sepse nëse në Bylis e dinim çfarë do të gjenim, ajo që pamë në Klos ishte thuajse një thesar i pazbuluar. Një qendër fshati që shumë mirë mund ta shihje të mbushur me turistë, një shtëpi madhështore, që mund të ishte hiç më pak se muze etnografik por pse jo edhe një bujtinë, një lokal tipik nga ata që mund t`i përdorësh edhe si qendër informacioni, ku rakia të servirej mbi gurët e lashtë, marrë sidoqoftë padrejtësisht prej siteve arkeologjike por origjinale si mënyrë megjithatë. E meqë këtu kishte plot për të ofruar dhe jo vetëm thjesht një ide se si Klosi mund të shndërrohej në fshat turistik, thirrëm në ndihmë Ilirjan Gjikën, bashkëpunëtorin tonë të përhershëm, që të shpjegonte se çfarë ofronte Klosi rreth e përqark, që të ishte një destinacion i vlefshëm për një qëndrim fundjave. Shënim i Redaksisë