Klodi Toptani: Kalaja e Tiranës vendi më i bukur në kryeqytet, krenare që jam pjesë e këtij emri
November 20, 2022 || views
Një grua e realizuar, nënë e lumtur, sipërmarrëse mjaft e angazhuar, emri i saj është kthyer në personfikimin e Kalasë së Tiranës dhe të mbiemrit Toptani në mjediset publike të kryeqytetit dhe jo vetëm. Klodiana Toptani, një grua hijerëndë në dukje por me një thjeshtësi të habitshme, që shpesh mungon edhe tek njerëzit pa angazhime, vjen në një intervistë të gjatë e të plotë, ku emocionet ishin jo të pakta, dhe që duhet ta lexoni deri në fund.
Flora Xhemani Baba
Toptani është mbiemri më intrigues i historisë së familjeve të vjetra tiranase, me një kronologji të ndërlikuar e të ndërthurur në një mënyrë të atillë që është e vështirë ta perceptosh nga jashtë një të vërtetë solide, qoftë nga ana historike, qoftë nga ajo e pronësisë. Ti je njeriu që i di më mirë se kushdo të gjitha të vërtetat që lidhen me këtë mbiemrin. A do ta kishe të mundur të përmblidhje aq sa e lejon një intervistë, të vërtetat e familjes Toptani?
Toptani është një emër që peshon shumë, pa diskutim shumë dhe unë e konsideroj veten me fat që jam pjesë e kësaj familjeje. Por në njëjtën kohë është edhe një barrë shumë e madhe, sepse duhet të kuptosh rrënjët e familjes ku ti ke hyrë dhe në momentin që kupton rrënjët, ke një përgjegjësi edhe më të madhe sesa një individ i një familjeje të panjohur. Për këtë arsye mua më është dashur të punoj disafish më shumë në këtë drejtim, për të mos humbur lidhjen me rrënjët dhe këtë gjë jam munduar ta bëj edhe me fëmijët e mi dhe kam punuar shumë fort, sepse edhe sistemi i sotëm ku jetojmë nuk është ai që meriton një shoqëri e tregut të lirë. Dua që edhe fëmijët e mi, ta trashëgojnë jo vetëm emrin dhe gjakun por edhe të qenit një individ i dobishëm për komunitetin, siç ishin paraardhësit e tyre në pjesën më të madhe.
Emri Toptani ka pa dyshim edhe problematikat e veta, sepse duke qenë se flitet për shtresën më të lartë të shoqërisë së atëhershme të Tironës, kemi parasysh që është edhe pjesa që goditet më fort. Gjatë regjimit komunist një pjesë e madhe e historisë, emrave, trashëgimisë jo vetëm materiale, u masakrua qëllimisht, sepse ashtu ishte politika e sistemit komunist por sadoqë që u mundua, gjakun nuk na e bëri dot pis.
Po t`i shikosh edhe sot pinjollët e familjes Toptani, janë prej atyre njerëzve që duhet t`u ngrihesh në këmbë për vlerat dhe integritetin që kanë. Për të mos folur pastaj për historinë që në zanafillën e familjes, (që sipas historianëve vjen nga Topiajt e Krujës), ku ka figura të jashtëzakonshme. Pa dyshim secili me tiparet komplekse dhe me dritëhijet e tyre por cili prej nesh nuk i ka?
Shumica e zhurmës së emrit vjen prej pronave, që janë të vendosura në qendër të kryeqytetit, sepse e gjithë zona, që njihej si zona e Toptanëve dhe jo vetëm Sarajet, ishte një tregues i nivelit të asaj kohe, ku familja më e pasur, blinte pikërisht zonën e qendrës së një qyteti. Sot jo të gjitha pronat i përkasin familjes por informacioni që qarkullon është gjithmonë i gabuar, sepse përcillet i tillë tek publiku.
Këtu unë do të përfitoja për t`i bërë një thirrje gazetarëve dhe mediave, që para se të marrin përsipër të flasin, ose t`i vënë mikrofonin përpara çdo njeriu që vjen nga rruga dhe pretendon pronësi ose mendon se ka kopetencë për të folur, le t`i drejtohen burimeve serioze, njëra prej të cilave është Arkiva e Shtetit dhe Hipoteka (ASHK). Fjala vjen ajo që njihet masivisht si Sarajet e Toptanëve, ka mbi një shekull që nuk është më pronë e Hamind Bej Toptanit por e familjes Kazazi dhe Familjes Kosova, si blerës të fundit të asaj prone. Dhe prej këtej lindin të gjitha abuzimet dhe informacionet e shtrembëruara, që nganjëehrë etiketojnë familjen Toptani si familje që nuk e do kulturën dhe që do të shembë Sarajet për të ndërtuar kulla e përfituar shuma marramendëse. Sarajet nuk janë pronë e familjes Toptani. Kjo që sot kam ndërtuar dhe që quhet Kalaja e Tiranës dhe që gjithe e shikojnë me sytë e tyre se çfarë është ndërtuar, është pronë e familjes Toptani.
Sot ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për çfarë duam të trashëgojmë sepse rrënjët, themelet, origjina, janë shumë të rëndësishme për këtë brez që po vjen. Prindërit tanë, janë kujdesur shumë që pas çdo brezi dhe çdo ndryshimi historik, qysh nga koha e themelimit të qytetit, të na përcjellin ngjarjet e sakta, shpeshherë të dokumentuara, se çfarë është një vend ose pronë e caktuar, çfarë ka qenë më përpara dhe çfarë synon të bëhet, me qëllim që të shmangim atë lloj kaosi drejt të cilit kemi shkuar sot dhe që duhet ta shtjellojmë njëherë e mirë, sipas fakteve historike dhe dokumentave e jo sipas oreksit të gjithësecilit.
Nëse në vitin e parë të hapjes së mjediseve të Kalasë, mund të kishte plot skeptikë që e shihnin me mosbesim, sot besoj se nuk ka mbetur askush që të vërë në dyshim faktin se Kalaja e Tiranës është vendi më tërheqës, më i vizituar dhe më trendi në kryeqytet, duke tejkaluar jo vetëm ish-Bllokun por edhe Pazarin e Ri, që ishte spoti që do të thithte turistët në Tiranë. E kishe menduar deri këtu rezultatin?
Në fakt, unë e kam pasur shumë të qartë atë që po bëja. Nuk kisha asnjëherë dyshime se do të dilte diçka e bukur dhe që do të kishte sukses. “Lufta” ka qenë në drejtim të përsosjes së vazhdueshme të projektit, se çfarë forme përfundimtare duhet të merrte, si duhet të vinte tek qyteti, që të kishte jetëgjatësi. Sepse ky projekt ka zgjatur shumë në kohë. Fillimet i ka në kohën kur kryeminstri i sotëm Edi Rama ka qenë kryetar bashkie, më vonë vazhdoi përpjekjet edhe në kohën e Lulzim Bashës, për t`u përmbyllur në kohën kur në bashki erdhi Erion Veliaj, që gjej rastin ta falënderoj, bashkë me kryeministrin Edi Rama, sepse ka qenë një mbështetje shpatullash, jo krahësh po shpatullash dhe jam e bindur se pa një bashkëpunim të gjithanshëm nuk do e kishim finalizuar dot. Tirana, biznesi dhe zhvillimi i sotëm në shoqërinë tonë janë një realitet kompleks dhe shumë gjëra mund të mos shkojnë ashtu siç duhet por mua më pëlqen që gjërat t`i thërras me emrin e tyre dhe për këtë projekt, që është sot Kalaja e Tiranës, unë ndjej detyrim të falënderoj për mbështetjen Edi Ramën, Erion Veliajn, Mirela Kumbaron dhe Arta Dollanin, pa ndihmën e të cilëve mund të isha akoma me letra e projekte nëpër sirtare. Siç duket Veliaj e nuhati që ky projekt do të dilte një gjë e bukur dhe e re për Tiranën dhe që unë e doja shumë. Dhe më tha “Klod ti do bësh një gjë të bukur për Tiranën, dhe do ta menaxhosh vetë”. Dhe u bë edhe sepse e doja shumë. Dashuria lëviz botën e jo më një projekt.
Edhe diçka; nuk më pëlqen ta krahasoj Kalanë as me Pazarin, as me Bllokun, as me Toptani Center, sepse ky projekt është unik dhe nuk ka asgjë të përbashkët me asnjë objekt apo kompleks në Tiranë. Dhe nuk bëhet fjalë për disa dyqane bashkë në një zonë të lakmuar, që e tregojnë suksesin me hapjen e tij por për një produkt i cili është ushqyer nga unë si një fëmijë i vogël, është rritur me mua dhe nëse nëse nuk menaxhohet e nuk ushqehet me dashuri e përkushtim çdo ditë, nuk mund të ecë përpara. Unë me këtë projekt kam dashur me shpirt që tironcit (dhe po e them “tironcit” e jo “tiranasit”, pavarësisht se e flas shumë mirë shqipen letrare), të kishin një vend ku të identifikoheshin. Jo më kot mbi muret e këtij objekti kam vënë me germa të mëdha “Kalaja e Tiranës” dhe emrin e familjes “Toptani”, sepse kalaja ka qenë aty, ka historinë e vet, nuk e ka bërë Klodi. Klodi vetëm po mundohet të ngrejë çdo gur në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që brezat e ardhshëm, të vazhdojnë të flasin për këtë kala, të bëhen kureshatë për historinë e saj dhe kalojnë tek brezat e tjerë.
Duke dashur që këtë bisedë ta shtrijmë vetëm në rrafshin turistik e historik, në respekt të lexuesve të revistës, a ke menduar ndonjëherë të shkruash ndonjë libër përmbledhës për të gjithë historikun e familjes Toptani? Ka interes të lartë në publik për një prej familjeve themeluese të kryeqytetit, përveç interesit të turistëve kuptohet. Kështu do të ngopej kureshtja e madhe por edhe do të qartësoheshin njëherë e mirë shumë mjegullnaja mbi përkatësinë e mjediseve të ndryshme të Kalasë dhe pjesë të tjera të kryeqytetit, që ju faturohen juve por që në fakt nuk janë tuajat.
Është një argument shumë i vështirë për t`u trajtuar. Ne kemi një histori të shpërbërë, e cila në vite është shkruar si është dashur dhe siç e ka trajtuar për interesa të caktuara pushteti i çdo periudhe që ka kaluar, për të përfunduar me masakrimin përfundimtar të kohës së komunizmit. Unë kam punuar për shumë vite në Arkivin e Shtetit, se më është dashur të hulumtoj për pronat e mia, më vonë kam mbaruar për master arkivistik dhe mund të them që Arkivi është një thesar. Por një thesar që ti duhet të dish se si ta kërkosh. Në gjykimin tim, ajo që është shkruar deri tani nga Blendi Fevziu, Ajden Toptani, Ilir Ikonomi, Ervina Toptani etj., dhe materialet që janë botuar deri tani, janë shumë të mira, sepse janë përpjekje serioze për të qëmtuar të vërtetën, përmes kërkimeve të gjata nëpër arkivat botërore dhe evropiane. Dhe kjo e pastron ndjeshëm historinë nga mbeturinat që i janë hedhur përsipër në vite, jo si nevojë për pastrim por si nevojë për të nxjerrë sa më të pastër të vërtetën e historisë.
Unë nuk e di a do ta shkruaj dot ndonjëherë ndonjë libër dhe nuk di a duhet ta bëj këtë por di të them që lexoj shumë dhe çdo gjë që ka lidhje me historinë e Toptanëve. Ndoshta ka plot njerëz që mendojnë se kanë diçka për të thënë dhe mund të duan të shkruajnë por unë mendoj se historia i përket historianëve dhe duhet të shkruhet prej tyre. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë, siç kemi bërë për shembull në rastin e Ilir Ikonomit, në lidhje me figurën e Esad Toptanit, është të sugjerojmë që nëse dikush do të vendosë të shkruajë për figurat e njohura të Toptanëve, të cilët pa dyshim janë figura komplekse me dritëhijet e tyre, t`i referohet vetëm dokumentacioneve të shkruara, mundësisht nëpër arkiva, qoftë në arkivin shqiptar, qoftë në ato jashtë Shqipërisë, sepse arkivi është një institucion ku e vërteta ëshë një garanci e historisë.
Një prej objekteve më të përfolura në këtë drejtim është edhe e famshmja ndërtesë që zakonisht quhet Sarajet e Toptanëve. Në fakt si është e vërteta për të dhe për ndërtesat e tjera rreth Kalasë? Dhe a ke dijeni për destinacionin e saj të ardhshëm, përpos atyre që deklarohen në media? Si do të kishte dashur ti të ishte e ardhmja e këtyre ndërtesave?
Pjesën e ndërtesës së famshme që sot njihet nga të gjithë si Sarajet e Toptanëve, siç e sqarova edhe më lart, po përfitoj nga rasti ta theksoj edhe njëherë se përsa i përket pronësisë, ajo nuk i përket më familjes Toptani. Ajo mund të vazhdojë të quhet ashtu për forcë zakoni apo edhe si ish-pronë e Toptanëve por kur vjen puna për të ngritur akuza në publik për shitje të vlerave të vjetra për përfitime financiare marramendëse, mediat duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se ajo nuk i përket familjes tonë. Ajo që ishte në pronësi të familjes tonë, është kjo qendër unike që sot Quhet Kalaja e Tiranës dhe që besoj se ka risjellë shumë bukur vlerat e dikurshme në një mjedis të kohës.
Për pjesën tjetër të kompleskit të Kalasë, pronat e familjes Libohova, apo ato të familjes Kazazi dhe Kosova, di që sa është folur në media dhe rrjetet sociale, që do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës por nuk kam informacione më shumë se kaq. Zemra do të ma donte që i gjithë kompleksi të mbetet kështu siç është, si një ansambël, ose të zhvillohet duke ruajtur historinë siç kemi bërë ne, që e gjithë zona të jetë në harmoni, sepse edhe turistët kur vijnë kërkojnë Kalanë e Tiranës dhe do të donin që të shikonin sa më shumë elemente të së vjetrës. Ndoshta turistët kur vijnë, presin të shohin një kala të vërtetë por kjo ka qenë një kala fushore, në qendër të qytetit, ku sot kanë mbetur disa mure dhe kaq. Do të doja që mbi çfarë ka mbetur, të mos prekej asgjë por të ruhej e gjitha si destinacion turistik, që ka shumë interes dhe vizitorë.
Si të duket Kalaja tre vjet pas hapjes? Dhe për çfarë ka nevojë akoma sipas shijeve të tua?
Falënderoj Zotin për çfarë kemi arritur dhe jemi. Na qëlloi në një periudhë të vështirë sepse këto dy vjet është gjunëzuar bota e jo Kalaja apo Shqipëria por fatmirësisht ajo e ka ruajtur ritmin që ka pasur edhe përpara pandemisë edhe për vetë natyrën e profilit që ka, si një vendtakim për njerëzit.
Për çfarë ka nevojë? Ndoshta, duke patur parasysh edhe llojet e bizneseve që u bënë pjesë qysh në hapjen e saj, mund të kishte nevojë për rifreskime të herëpashershme, diçka të hiqet e diçka të shtohet, që të mbajë interesin e njerëzve vazhdimisht në nivele të larta, jo ta shohin si një gjë të vjetër ku nuk ke çfarë sheh se i ke parë më përpara. Ky aktivitet është një mekanizëm i gjallë dhe ka nevojë për lëvizje të vazhdueshme. Kuptohet, kjo nuk mund të bëhet aq shpesh sepse edhe marrëveshjet ose kontrata me bizneset janë afatgjata por ka plot mënyra, aktivitete, ngjarje, që e bëjnë interesante jetën e Kalasë e jo vetëm thjesht mjediset.
Nisur nga pamja jote, jo pak e komentuar, për përkujdesjen estetike deri në detaje, ku unë personalisht shoh dëshirën për ruajtjen e tisit aristokratik të shekujve kur gratë toptanase sillnin shkëlqimin e Perëndimit dhe të Lindjes në të njëjtën kohë në Tiranën e zymtë të kohës, a ke ndikuar në arkitekturën e rindërtimit të Kalasë, në arredimin e njësive tregtare, në përzgjedhjen dhe larminë e tyre, apo i ke lënë të lirë të ushtrojnë shijet e tyre?
Meqenëse e fillove pyetjen me stilin tim të përfolur, po them nja dy fjalë për këtë argument. Unë jam mbesë bejlereshe, nëse do ta përdorim këtë titull shqiptar fisnikërie. Gjyshja ime, nëna e babës tim, ka qenë e bija e Sabri Bej Kodrës, beut të Dibrës së Madhe. Ajo ka qenë një nga zonjat më të bukura të asaj kohe, kjo mund të shikohet edhe nga fotot e saj, ku sharmi, veshjet me kapele, qëndrimi, flasin për një grua vërtet impozante. Gjyshi im, Aqif Dibra, ka qenë gjithashtu një person me shumë prezencë, përveçse një njeri i rëndësishëm, që ka ndikuar edhe në historinë e Shqipërisë. Edhe gjyshja nga mami ka qenë gjithashtu një grua e bukur, sqimatare, e pastër deri në sterilitet, gjyshi një burrë që dallonte për nga e folura, qëndrimi, veshja, sjellja. Ndoshta kjo që unë jam, është thjesht trashëgimi i geneve të tyre, edhe pse duhet ta pranoj që një ndikim të madh në atë se si unë jam sot e si jam rritur, ka pasur edhe motra ime. Por veshja është edhe pjesë e personalitetit pa dyshim. Unë jam mësuar të vishem kështu dhe nëse vishem e krihem ndryshe, nuk jam unë. Dhe nuk është çështje e të prezantuarit në publik sepse unë edhe në shtëpi, duke zgjedhur veshje të rehatshme kuptohet, vishem njësoj, me të njëjtin stil.
Kurse përsa i përket stilit dhe arredimit të Kalasë, gjithçka ka kaluar në filtër të hollë. Dua të përmend këtu studion e arkitekturës “Eftimi”, Olsin, arkitektin, që ka qenë me ne në çdo hap të zhvillimit të projektit, Ergys Krisikon, që ka qenë detajisti që ka kaluar nëpër gishta çdo objekt, kam dy njerëz shumë të rëndësishëm, Iglin dhe Arin, pa të cilët kjo kala nuk do kishte frymë, sepse kanë qenë oksigjeni i këtij projekti dhe të gjithë ne bashkë kemi qenë një forcë më e madhe për t`i çuar gjërat përpara. Kurse për dyqanet, ku secili ka hapësirën e tij, kanë sjellë projektet, ne i kemi parë, i kemi miratuar ose kemi sugjeruar aty-këtu që elementët e arredimit të jenë në harmoni të plotë me linjën e Kalasë dhe deri tani, mendojmë se kjo harmoni është dominuese.
Sot Kalaja e Tiranës është me shume vende bosh, spoti më i vizituar në kryeqytet nga turistët e huaj. Fakti që, n
dryshe nga Pazari i Ri, Kalaja është më e mbledhur por edhe më e menaxhueshme, meqë drejtohet nga një dorë, e bën atë më të mbrojtur nga abuzimet për shkak të fitimeve. A do ta toleroje “rrëshqitjen” nga thelbi si destinacion turistik e argëtues, duke përfshirë njësi që e prishin këtë harmoni vetëm për përfitime më të mëdha financiare?
Kjo është jashtë çdo diskutimi, sepse edhe bizneset që kanë hyrë të parat në kala, kanë kaluar përmes një filtri, i cili sigurisht nuk ka qenë pagesa. Ne kemi bërë fillimisht një përzgjdhje të njerëzve që do ta popullojnë këtë vend, sepse unë jetoj këtu, fëmijët e mi jetojnë këtu dhe nuk mund të toleroja që të rrezikonim shkaqe të problematikave të ndryshme, sepse do të thuhej që kjo gjë ndodhi te Kalaja dhe jo tek biznesi ku ishte. Nuk do të tolerohet në asnjë rast rrëshqitja, sepse do të jetë shumë e vështirë për t`u ringritur, edhe pse ngritjen e kemi bërë graduale dhe, edhe po të biem, do të zbresim një shkallë, pavarësisht se unë as këtë gjë nuk e kam lejuar ndonjdëherë në jetën time. Në këtë drejtim, edhe me ata që përbëjmë sot Kalanë unë punoj fort çdo ditë, që t`i forcoj themelet e saj dhe të shmang tronditjet. Prandaj thashë që qysh në fillim kam zgjedhur njerëzit, njerëz që e duan punën, që i rrinë në kokë asaj vetë çdo ditë dhe jo njerëz që mund të vijnë këtu me një thes me para dhe të presin që ato të shtohen nga fama e Kalasë. Sa i dhemb të zotit, nuk i dhemb punëtorit, pavarësisht se edhe punëtorët duhet ta kuptojnë se kjo është shtëpia e tyre, vendi ku ata ushqehen. E dimë që në Shqipëri është shumë e vështrirë të gjesh staf të kualifikuar dhe kjo është problematikë për të gjitha bizneset por besoj se diku në një institucion kopetent, duhet të krijohet një databazë me staf të kualifikuar por edhe me staf problematik, që biznesi të dijë ku të zgjedhe dhe të dijë kujt t`i shmanget. Sepse Kalaja është si një shtëpi dhe ti atë punëtor zëre se po e fut në shtëpi dhe duhet të jesh i kujdesshëm kur punëson dikë. Na hape temë të gjerë me këtë pyetje. Por që ajo rrëshqitja që përmende ti, nuk diskutohet fare.
Tani, si argument të fundit në lidhje me Kalanë. Kemi folur dy apo tri takime të shkuara, për mundësisnë e hapjes së një qendre informacioni, nisur nga numri i lartë i turistëve që vizitojnë Kalanë. Kur mendon se mund të hapet?
Jemi duke e menduar. Në fakt një Infopoint ka qenë në plan qysh në pikënisje të Kalasë, si një pjesë përbërëse e natyrshme e një destinacioni turistik. Por duke pasur parasysh edhe se si janë zhvilluar ngjarjet këto dy vjet, ka mbetur si në plan të dytë. Duhet patjetër për një vend si Kalaja por duhet të gjesh edhe njerëzit e duhur për ta bërë, njerëz të përkushtuar e jo punëtorë që i vënë çelësin në orën katër, njerëz që të njohin jo vetëm gjuhën por edhe komunkimin e shkëlqyer sepse do të jenë një pasqyrë e Shqipërisë për turistë nga e gjithë bota.
Dhe në fund, mendoj se mund t`i bëjmë edhe nja dy pyetje personale, apo jo? Sepse në fund të fundit, gjithçka që ka të bëjë me persona është personale, e kur bëhet fjalë për njerëz si ti, që je kthyer në personfikimin e Kalasë dhe të mbiemrit Toptani, personalja ka shumë interes publik.
Ti njeh ligjet po aq mirë sa biznesin dhe artin e letërsinë. Je padyshim një grua e realizuar, nënë e lumtur, sipërmarrëse mjaft e angazhuar, dhe emri yt duket sikur lidhet me të gjithë fisin Toptani në rrafshin publik. Ke pengje në drejtim të përmbushjes? Çfarë të ka mbetur pa bërë?
Dua të jem shumë realiste. I vetmi peng që më ka mbetur në jetë, është shfrytëzimi i rinisë time, ose më mirë mosshfryëzimi i saj. Sepse unë qysh e vogël, jam marrë me pronat e familjes, në çdo institucion të mundshëm të shtetit shqiptar dhe në vend që të shijoja kohën më të bukur të jetës, të rrija me fëmijët, familjen, prindërit, motrën, miqtë, mikeshat, kur shoqet e mia udhëtonin nëpër botë, unë kaloja orë e ditë të tëra duke gërmuar nëpër arkiva e duke pritur nëpër institucione e gjyqe. Dhe më beso, çfarëdo që të kesh fituar ti më pas në drejtim të pronësisë, nuk ka çmim ajo që ke humbur, koha e çmuar për njerëzit e dashur. Dhe me pretenduesit e pronave, që kanë qenë të shumtë, sepse sa më e madhe të jetë prona, aq më shumë pretendues dalin rrugës, kam bërë njëherë një bisedë në një nga takimet e pafundme, ku u thashë: – “Çfarëdo që të kemi kaluar në gjithë këtë kalvar, mund t`jua fal, se jemi një gjak dhe gjaku nuk bëhet ujë por kohën që kam shpenzuar për ju e larg fëmijëve të mi, nuk jua fal”. Edhe pse unë fëmijët i kam bërë shpejt dhe tani janë djem të rritur, sot them që mund të kisha kaluar më shumë kohë me ta (përlotet).
Do kisha dashur që kjo intervistë të kishte qenë televizive, sepse lotët në letër nuk është se i nxjerrim dot dhe emocioni gjithashtu do ishte më i drejtpërdrejtë. Por po vazhdojmë.
Në bisedat që kemi bërë bashkë, më ka bërë shumë përshtypje koha që ti gjen për t`iu përkushtuar familjes. Një “businesswoman” kaq e angazhuar sa ti, mund edhe të kërkojë ndihmën e një personeli shtëpiak për të bërë drekën fjala vjen dhe nuk duket aspak tepri. Ka njerëz shumë më pak të angazhuar, që ia japin vetes privilegjin e kursimit të kohës. Pse ti jo?
Shiko, unë dua që të paktën gjella njëherë, pra vaktet, të jenë nga duart e mia, për disa arsye. Më kryesorja është se ata janë mësuar me kuzhinë shtëpie e nga duart e mia dhe pavarësisht se unë jam shumë e angazhuar, nuk dua që kjo gjë t`u mungojë. Më thonë që gatuaj mirë plus që e kam pasion, unë vdes të gatuaj dhe mendoj edhe vetë se nuk jam kuzhiniere e keqe. Edhe këtë e kam të trashëguar nga gjyshja, ime motër po ashtu gatuan në mënyrë të shkëlqyer dhe tani kjo është kthyer në një gjë të pazëvendësueshme. Për pjesën tjetër pastaj, nuk e di nuk më vjen mbarë që të kem njerëz të tjerë nëpër shtëpi, jo se është çështje besimi por sepse shtëpia është shumë intime. Është ajo vatra e ngrohtë që na mbledh e ku njeriu do të donte të rrinte vetëm me gjërat e veta, me njerëzit e vet dhe rehatinë e tij. Kështu edhe unë nuk dua ta ndaj me të tjerë, maksimumi me mamin e babin tim. Ata po, që mund të vijnë e më japin edhe një dorë herë pas here.
Po si ia del? Ku e gjen kohën?
Po, unë shkoj të fle, në orën një, në orën dy, asnjeherë më shpejt, madje Sara, asistentja ime, që e kam pranë zemrës, sepse ka qenë edhe ajo bashkë me mua në këtë rrugëtimin tonë, shpesh ma kujton orën, sepse unë e humbas sensin e kohës. Një mbrëmje, dhe do ta them këtë se është edhe për të qeshur, ndërkohë që jepnim e merrnim me mesazhe pa fund, për gjërat e shumta që kishim për të bërë të nesrërmen, më shkruan: “- më fal po e ke parë orën? Është 12.30 e natës. Fiki ata motorë e shko fli gjumë se do ngrihesh prapë nesër”. E kështu, unë shkoj të fle më motorët ndezur e ngrihem me motorët ndezur. Kështu jam mësuar t`i bëj gjërat qysh në fëmijëri. Me vrap. Më quanin “fëmijë tritol”. Unë te kursi, unë te pallati pionierëve, me vrap te mësimet, me vrap te misi, te gjimnastika. Nuk e di,kam një energji të brendshme që duket sikur nuk ka nevojë të karikohet. Edhe këtë besoj e kam të trashëguar nga prindërit. Ata duken sot aq të rinj sa nuk e beson dot moshën e tyre.
Më bëj një pasqyrë të dhjetëvjeçarit tënd të ardhshëm. Nuk po them ku e sheh veten sepse mendoj se ti i ke arritur ato që ke dashur në çdo aspekt por sidoqoftë, çfarë mendon se do të ndodhë gjatë këtyre dhjetë vjetëve?
Eeee, shumë e bukur kjo pyetja, nuk e kisha menduar. Një gjë është e sigurt njëherë, që do të jem dhjetë vjet më e madhe (qesh me gjithë shpirt) por duke i pasur genet e mira, shpresoj që ky dhjetëvjeçar nuk do na ndikojë tek mosha dhe tek pamja (qesh përsëri).
Në aspektin njerëzor, kam filluar të largoj nga jeta ime të gjithë njerëzit që më japin energji negative. Unë jam, shumë besimtare dhe nëse ndjej energji negative rreth vetes, ajo më pengon të jem produktive. Besoj shumë tek energjia pozitive dhe e jap atë me shumicë, kështu që nuk do lejoj për asnjë arsye në botë, që dikush kushdoqoftë, të ma pakësojë këtë burim. Plus që do kem pranë çunat, nipër, mbesa, do më kenë pranë edhe ata mua, do përpiqem t`i mësoj por edhe t`i dëgjoj, për t`i ndihmuar të zgjedhin në jetë, jo vetëm me sy por edhe me zemër, do shpresoj me gjithë shpirt si nënë por edhe si pjesë e një familjeje të rëndësishme që nënat e ardhshme të fëmijëve të tyre të jenë një bekim për familjen tonë. Ishalla na qëllojnë edhe genet e mira, se kush nuk e do të mirën? Por një gjë është e sigurt, që unë do të jem pjesë e padiskutueshme e rrugëtimit të fëmijëve të mi. E kam peng edhe që s`kma një gocë (përlotet përsëri) po siç duket Zoti kur e bën diçka, e mendon mirë, se ja çunat i kam të mirë, të dashur, të edukuar, shokë, dhe nuk e ndjej edhe aq mungesën e gocave. Plus, ne mamat e çunave, siç edhe ti, e kemi një “privilegj”, se do jemi gjithmonë mbretëresha me kurorë dhe nuset do jenë princeshat (qesh).
Në aspektin profesional, ndoshta, ku i dihet, një projekt të dytë si ky i Kalasë por pa pasur një plan biznesi nuk e them dot me siguri, sepse duhet studiuar qyteti, vendi, njerëzit, sa turistë e vizitojnë dhe të dhëna të tjera të nevojshme për krijimin e një projekti. Por edhe po nuk bëmë një projekt të dytë, ndoshta mund të jem një model, pjesë e ndonjë shkolle, t`i flas një grupi studentësh, se si mund të bësh biznes pa u bërë pis, duke qëndruar njeri dhe duke ruajtur integritetin. Se paraja është e rëndësishme pa asnjë dyshim por ajo nuk duhet kërkuar me çdo kush e me çdo çmim. Njerëzit që lakmojnë vetëm paranë janë të destinuar të dështojnë dhe sado shumë ta shtojnë pasurinë, nuk do të bëhen kurrë njerëz të mirë e me integritet sepse do t`u mungojë shpirti. Sepse gjëja më e vështirë në jetë, nuk është të bësh para por të mbetesh njeri.
Kur ramë dakord për intervistën, diskutuam edhe variantin e pyetjeve të shkruara, siç ndodh sot zakonisht por mua më vjen shumë mirë që ti më the se nuk kishe kohë për t`u ulur e për të shkruar përgjigjet dhe që mund ta bënim bisedë nga afër. Të falënderoj që nuk kishe kohë, sepse në të kundërt nuk do t`i kisha shijuar këto emocione kaq njerëzore e kaq natyrale. Druaj se pyetjet dhe përgjigjet e shkruara nuk mund të të shaktojnë as të qeshura me gjithë shpirt, as përlotje e as mallëngjim. Kemi kaq shumë nevojë sot për ndjesi të verteta.
Faleminderit Klodi Toptani!