Kisha e Shën Marinës në Dërnënas, një objekt kulti me origjinë nga mesjeta

September 24, 2020 || views

 

Nga Ilirjan Gjika

Fotot nga Musa Çela

Dërnënasi është një nga vendbanimet e Myzeqesë së Madhe që shtrihet midis lumenjve Shkumbin dhe Seman. Ai ndodhet 27 km nga Lushnja dhe 24 km nga Fieri, paçka se largësia e tij nga deti Adriatik është vetëm 3 km. Gjithsesi rruga drejt tij është e thjeshtë. Vizitorët dhe turistët që vijnë nga Tirana mund të kthejnë mjetet e tyre te ‘’Klubi i Shoferit’’, disa kilometra në të dalë të Lushnjes dhe pastaj nëpërmjet unazës së Myzeqesë rruga kalon në Këmishtaj, Gradishtë, Babunjë, Agim, për të mbërritur më në fund në Dërnënas. Pikërish këtu, në periferinë perëndimore të fshatit ndodhet një objekt kulti që ka ç`të dëshmojë për historinë: kisha e Shën Marinës.

Dikur në vendin ku ngrihet sot kapela e rindërtuar e Shën Marinës ndodhej kisha e vjetër me të njëjtin emër. Mendohet se ajo ka qenë kisha ose një nga kishat që i ka shërbyer dikur banorëve të qytezës mesjetare të Pirgut (1308-1417). I vendosur pranë fshatit Dërnënas të njësisë administrative Libofshë (Fier), rrënojat e Pirgut ndodhen disa km nga deti Adriatik përgjatë fushës, të braktisura prej kohësh edhe nga shtrati i dikurshëm i lumit Seman.

E frekuentuar gjatë gjithë kohës nga popullsia vendase, kisha e Shën Marinës, kulti i së cilës përkujtohet çdo vit gjatë stinës së verës, do të bëhej dikur pikënisje për kërkimet arkeologjike.

Gjatë viteve 70’ të shekullit të kaluar, arkeologu Neritan Ceka, zbuloi këtu pranë rrënojat e një kulle mesjetare, e cila kishte një planimetri pesëkendëshe, ku dy nga brinjët e saj ishin 17 m, ndërsa tre të tjerat kishin një gjatësi prej 14 m.

Rezultatet e gërmimeve u publikuan në vitin 1978, në revistën studimore “Monumentet historike në vendin tonë”, ndërsa një vit më pas u shpallën si monument kulture.

Ndërkohë nga historia dihet fakti se Pirgu (Devolli) u krijua nga familja feudale Matrënga, e cila e zotëroi këtë trevë në vitet 1297-1370. Ajo e ngriti skelën për të shtuar të ardhurat nga tregtia e jashtme fitimprurëse, si dhe kullën-fortesë (Pirgun), që do t`i jepte edhe emrin qytezës.

Në vitin 1360, sevastokratori Vlash Matrënga, vendos në Pirg rezidencën e tij dhe kështu, do të ishte republika detare e Raguzës që vendos këtu përfaqësuesin e saj tregtar, “Sindikun”.

Nga Pirgu eksportoheshin për në perëndim, kryesisht në Raguzë dhe Venecia artikuj të tillë si grurë, kripë, bagëti, lëkurë, lëndë drusore, dyll, dhe importoheshin cohëra, metale, artikuj luksi, etj. Pranë skelës u ngrit edhe qyteza dhe dogana. Në këtë qytezë banonin dhe strehoheshin tregtarët, detarët si dhe ndodhej rrjeti i shërbimeve. Për nevoja të kultit u ngrit edhe kisha e Shën Marinës e cila pas braktisjes së qytetin në vitin 1417 do ishte dëshmitarja e vetme e ekzistencës së Pirgut.

Duhet theksuar se Shën Marina, është një nga shenjtoret që nderohet nga të dy kishat, si nga ajo e lindjes ashtu dhe nga ajo e perëndimit. Kisha Ortodokse e kremton këtë figurë në datën 17 korrik të çdo viti ku ajo njihet si mbrojtësja e fëmijëve. Ndoshta këtë mision ka patur edhe ky objekt kulti në këtë pjesë të Shqipërisë bregdetare, ku ekzistenca e kënetave dhe ligatinave kanë sjellë tradicionalisht në të kaluarën, një vdekshmëri të lartë, kryesisht foshnjore.

Ky funksion duhet të ketë qënë shkaku që edhe pse larg qendrës së fundit të banuar në këtë zonë, Ndërnënasit, kleri dhe popullsia ortodokse, organizonte në këtë kishë ceremoni fetare dhe lutje. Si duket ndikimi i kultit të saj që vinte që nga mesjeta, ishte akoma i fortë te besimtarët e kësaj zone. Për këtë kemi dy dokumenta që vërtetojnë ekzistencën e kishës deri në vitin 1930.

E para është dëshmia e Aleksudhit, mitropolitit ortodoks të Beratit, cili në librin e tij të botuar në vitin 1868, shkruan midis të tjerave se “Enoritë e Ndërnënasit, Hondanit, Hasturkasit dhe Havaleasit përmbledhin 101 familje që ritet fetare i kryejnë në kishat e Evangjelizmoit të Shën Mërisë në Ndërnënas dhe të kishëzës së Shën Marinës”.

Ndërsa në një dokument të datës 26 mars 1930, dërguar Prefekturës së Beratit nga zv. Prefekti i Lushnjes, gjejmë informacion për meshimin nga ana e priftit të Ndërnënasit në kishën e Shën Marinës.

Sipas këtyre dokumentave, përmendja e saj me termin kishëz tregon se ajo ka qenë një faltore me përmasa të vogla, e cila do të funksiononte deri në vitet 1960, kur zhvendosja e vendbanimeve aty pranë dhe fushata kundër fesë solli edhe braktisjen dhe rrënimine saj. Vetëm në vitet e fundit mbi rrënojat e saj u ndërtua një kapelë e vogël, investimin e një banori besimtar të kësaj zone. Sot, kishëza, ngrihet pranë rrugës që të çon drejt bregdetit dhe hidrovorit të Ndërnënasit.

Arkitektura e saj është e thjeshtë në formën një kryqi të jashtëshkruar, ku krahu perëndimor i saj është më gjatë se krahët e tjerë. Kisha mbulohet nga një tambur poligonal me kupolë ndërsa krahët janë të pajisur me çati dyujëse. Objekti ka vetëm një hyrje nga ana perëndimore, ndërkohë që një radhë dritaresh në naos dhe tambur shërbejnë për hyrjen e dritës.

E rrethuar nga një sërë selvish dhe qiparisash, kisha e Shën Marinës, bën një kontrast të dukshëm me ngjyrën e bardhë të mureve të saj. E hapur në çdo kohë për besimtarët dhe pelegrinët ajo ngrihet në mes të fushës si një dëshmitare e së kaluarës së historike të trevës së Myzeqesë.