Keni provuar ndonjëherë Figaro në Tiranë? Apo nuk e dini ç’është?

January 20, 2020 || views

Tirana sa është e rrëmujshme, aq është edhe tërheqëse. Nëpër rrugët e saj mund të zbulosh thesare që as ta pret mendja se gjenden aty. Dhe kur them thesare, e kam fjalën për të gjitha llojet e thesareve. Dyqane të vjetra me sende antike, taverna të vogla të fshehura qosheve ku hahet lirë, shtëpi karakteristike, rrugica të harruara që nuk i di njeri se ekzistojnë më. Dhe nganjëherë edhe lloje ushqimesh të veçanta, madje në lokalet buzë rruge, mu para syve tuaj por që ju nuk keni pasur sy për t’i parë. Vetëm se kuptohet, duhet të ecni në këmbë për t’i gjetur.

Kështu më ka ndodhur edhe mua me Figaron, ëmbëlsirën me vàfer, që për hir të së vërtetës, duhet thënë se gjendet vetëm në një vend në të gjithë Tiranën. Nëse do të jeni duke kaluar përgjatë bulevardit “Xhorxh Bush”, në drejtim të Ushtarit të Panjohur, shikoni me radhë dyqanet në të djathtën tuaj dhe gjeni Kafe Aromën. Vetëm aty do ta gjeni Figaron.

Por kush e solli në Tiranë Figaron?

Pronari i këtij biznesi është shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Për shkak të luftës në vendlindjen e tij para shumë vitesh, ai u detyrua të emigrojë së bashku me familjen në Kroaci. Atje punoi në pastiçeri dhe mësoi receta të ndryshme tradicionale të vendit.

Njërën recetë të veçantë e solli në Shqipëri, pikërisht atë të ëmbëlsirës Figaro. Një shije autentike dhe tejet e veçantë.

Po çfarë është kjo ëmbëlsirë interesante?

Figaro është një ëmbëlsirë me origjinë orientale. Shtresat e vaferave të brishtë fshehin mes tyre një krem të butë me arra dhe sheqer, që i japin një aromë unike kësaj ëmbëlsire. Për shkak të intensitetit të aromës, kjo ëmbëlsirë shkon në mënyrë të shkëlqyeshme me një kafe të fortë turke, shoqëruar edhe me një gotë ujë.

Një version i recetës së Figaros është ky:

Përbërësit:

  • 22 lugë ujë
  • 400 gr margarinë
  • 700 gr sheqer
  • 5 lugë kakao
  • 400 gr arra të bluara dhe të grira
  • 400 gr biskota të bluara
  • 2 fletë vaferi

Hapat:
Përziejmë ujin dhe sheqerin derisa sheqeri të shkrihet.
Shtojmë margarinën dhe kakaon, përziejmë dhe shtojmë gradualisht arrat dhe biskotat e bluara duke e përzier vazhdimisht.
Në një vend të rrafshët shtrijmë një fletë vaferi, e lyejmë me kremin e përgatitur me biskota dhe arra, dhe e mbulojmë me fletën e dytë të vaferit.
Sipër i vendosim një tabaka me peshë të rëndë, në mënyrë që të ngjitet sa më shumë fleta me kremin.
Ëmbëlsirën Figaro e lëmë të ftohet mirë dhe e presim në katrorë të vegjël, sipas dëshirës.

U bënë vite që unë e shijoj me qejf një Figaro, sa herë që më bie rruga andej. Por edhe ju mund ta shijoni njëzë me shoqet, pasdite, pas pune. Vetëm se duhet të keni kujdes që atë ditë të mos hani më darkë sepse do t’i keni plotësuar kaloritë.