Kantina Duka – një histori e bukur me shije tradite dhe aromë vreshtash

August 4, 2024 || views

Të shfryëzosh të mirat e natyrës dhe të mjedisit deri në “pikën” e fundit, për t’i ofruar vizitorit një destinacion jo vetëm plot shije por edhe të bukur. Kjo është ajo që ka bërë Kantina Duka me restorantin e saj buzë liqenit artificial të Topanës, duke kombinuar një paketë për një ditë perfekte në natyrë, që fillon me një vizitë në vreshta, vazhdon me një degustim vere, pasurohet me një drekë me gatime të zgjedhura nga kuzhina shqiptare por jo vetëm dhe përmbyllet me një shëtitje me kajak rreth e qark liqenit. Dhe e gjitha kjo merr vlera të tjera po të mendosh se krijon një argëtim krejtësisht të veçantë vetëm pak kilometra larg plazheve të Durrësit, për pushues që vijnë pikërisht për detin.

Sa shumë mund të ofrojmë nga Shqipëria jonë e bukur, nëse kemi pasionin dhe dëshirën për ta bërë këtë! Sa shumë alternativa kemi mundësi të ofrojmë brenda pak kilometrave katrore nëse dimë t`i shfrytëzojmë siç duhet!

Durrësi, që mendohet gjithmonë si një destinacion që zgjidhet vetëm për detin, ose për pasuritë arkeologjike nga tremijë vjet histori, ka një anë tjetër kaq të ndryshme e të bukur, siç është ajo e fuqisë së pashtershme të natyrës, e cila e bashkuar me punën e njeriut, krijon një ofertë të përkryer ku natyra kombinohet me  aventurën dhe gastronominë. është një shkëputje totale nga aroma e jodit dhe bluja e detit, që I jep një vlerë të jashtëzakonshme paketave turistike të pushimeve balnerae.

Vreshti si zanafillë

Vreshti Duka është krijuar në vitin 2004 dhe shtrihet në një kodër rrethur nga pyjet.  E gjithë sipërfaqa e vreshtit është 5.5 ha dhe varietetet që kultivohen në të janë Merlot, Cabernet Sauvingnon dhe Tempranillo, duke bërë që fokusi i kantinës të jetë prodhimi i verërave të kuqe. Trajtimet e kryera ndaj vreshtit janë organike. Kështu çdo gjë e mbetur nga verëprodhimi kthehet sërish në tokë. Ky material ushqen dhe shërben si një fertilizues natyral. Kultivimi i varieteve kushtëzohet nga një mikroklimë e krijuar nga pyjet, liqeni Topana dhe deti Adriatik. Vjelja e varieteteve bëhet përgjatë muajit shtator dhe me dorë duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për të përzgjedhur veshulë rrushi të shëndetshëm.

Kantina si vazhdimësi

Kantina Duka është e ndarë në dy hapësira në të cilën zhvillohen proceset kryesore të prodhimit, ruajtjes dhe moshimit të verës, shumë pranë vreshtit. Kjo hapësirë përbëhet nga kantina dhe bodrumi. Në kantinë ndodhin procese si mbërritja e lëndës së parë, fermentimi, trajtimet stabilizuese të verës, analiza organoshqisore dhe kimike të saj deri në momentin final. Këtu pjesa më e madhe e verërave mbushet në shishe dhe pjesa më potenciale shkon për vjetërim në bodrumin e verës. Bodrumi ndodhet nën tokë dhe funksionon si vend ruajtës dhe moshues i verës e rakisë. Në bodrum ndodhet koleksioni i shisheve të  prodhuara ndër vite, me prodhimin e parë që daton në 2007. Si edhe voza lisi franceze në shërbim të prodhimit të verës Reservë. Risi e bodrumit janë amforat.

Produktet si rrjedhë e natyrshme

Produktet e kantinës Duka janë verërat monovarietale si Cabernet Sauvignon, Merlot, Tempranillo, Shesh i Bardhë, Reserva Duka, Rakia e Gjyshit e vjetëruar, Rakia e Gjyshit tradicionale/klasike, Rakia e Pjergullës.

Shërbimet si paketë e përsosur

Kantina Duka me vendodhje në Lalëz, Ishëm, është një destinacion i cili ndërthur verëbërjen me restoracionin duke bërë që shërbimet të orientohen drej enokulturës dhe gastronomisë.Disa nga shërbimet e kantinës Duka janë turi i verës, degustimi i verërave, drekimi/darkimi, shëtitje me varkë në liqenin Topana, kayak.

Turi i verës

Turi i verës synon të njohë dhe promovojë verërat dhe destinacionin e kantinës Duka. I gjithë turi përmbahet në këto pika: njohja nga afër me varietetet e rrushit,  shpjegimi i procesit të verëbërjes dhe moshimit të verës. Turi vijon me degustimin e verërave dhe përmbyllet me shijimin  e sporteve ujore.Degustimi i verërave zhvillohet në restorant dhe është krijuar i tillë në mënyrë që verërat të jenë në kombinim me gatesat tipike lokale.

Liqeni Topana, një “Koman” i Vogël buzë detit

Krijuar më 1978. Kapaciteti 2.5milione metër kub. Gjatësia e diges 200m linear. Lartësia e digës 24m linear. Siperfaqja e pasqyrës se ujit 22 ha. Peshku i kultivuar krap, ballëgjere, amur. Të gjitha këto të dhëna teknike mjaftojnë për t`ju krijuar një ide mbi përmasat e madhështisë së këtij liqeni i cili I ofron Durrësit vlerën e paçmuar të pasjes së peisazheve gati alpine, të ngjashme me Komanin apo Vaun e Dejës, fare pranë bregut të detit, çka bën që brenda një rrezeje prej pak kilometrash, larmia gjeografike të jetë mbresëlënëse.

Çmimet

  • Silver Medal – Cabernet Sauvignon – Wine Vision Open Balkan 2022
  • Silver Medal – Merlot – Wine Vision Open Balkan 2022
  • Silver Medal – Shesh i Bardhe – Wine Vision Open Balkan 2022
  • Bronze Medal – Tempranillo – Wine Vision Open Balkan 2022
  • Bronze Medal – Kabernet – Kategoria Vera e Kuqe e Vjetëruar – Wine Contest Albania 2018
 
Ishëm, Lalëz, Albania
068 901 1222