Kampionatin e Rafting e fiton skuadra e Osumit/ Aventurë dhe sporte në natyrë

March 25, 2024 || views

Është zhvilluar më 23 Mars 2024 Kampionati Kombëtar i Rafting dhe Festivali “Last Adventure of Europe”.

Kjo ngjarje sportive dhe turisitike është organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky aktivitet bërë bashkë edhe sportet e tjera në natyrë si alpinizmi, çiklizmi, kayak, aktivitete në natyrë etj.,  duke rritur prezencën e tyre për publikun e gjerë dhe bashkëpunimin mes tyre, për t`i dhënë Përmetit një hapësirë të re të ngjarjeve turistike.

Në kuadrin e festivalit treditor, u zhvillua edhe Kampionati Kombëtar i Rafting, i cili sivjet erdhi në edicionin e tij të shtatë dhe mund të thuhet se ishte ngjarja më e spikatur e festivalit.

Kampionati Kombëtar i Rafting 2024 u zhvillua për herë të parë në lumin e fundit të egër të Europës, në Vjosë,  pasi ky sport turistik ka sjellë me mijëra turistë në luginën e Vjosës duke u bërë kontribuesi kryesor në shpalljen e saj Park Kombëtar.

Ekipet garuan në disiplinat Slalom (gara me pengesa), sprint me eliminime dhe gara me kronometër.

 

Në Kampionat morën pjesë 8 ekipe.

Ekipi i “Osumit” me kapiten Ali Spathara, ekipi i “Vjosa 1” me kapiten Endri Hoxha ,ekipi i “Vjosa 2” me kapiten Jorgo Nano, ekipi i “Vjosa 3” me kapiten Robert Tabaku, ekipi i “Shkumbinit” me kapiten Gentian Guni, ekipi i Drini i Zi me kapiten Gojart Rudi, ekipi Bistrica me kapiten Bledar Kule dhe ekipi “Bënça” me kapiten Renato Muhameti.

Vëndin e parë e fitoi ekipi i “Osumit” me kapiten Ali Spathara dhe atletë Aldo Sakollari, Franci Koroni, Xhuliano Kaloti. Koha e zbritjes, 3 minuta e 44 sekonda,

Vëndin e dytë, e fitoi ekipi “Vjosa 1”, me kapiten Endri Hoxha dhe atlete Florian Binaj, Iken Droboniku,Bledar Kulaj. Koha e zbritjes: 4 minuta e 03 sekonda,

Vendin e tretë e fitoi ekipi “Vjosa 2” me kapiten Jorgo Nano dhe atletë Ferdinant Nano, Hari Koxhaku, Elvis Tane. Koha e zbritjes 4 min e 12 sekonda

Atletët më të mirë të kampionatit do të marin pjesë në Kampionatin Europian të Rafting i cili mbahet në Bosnje Herzegovinë.

Tetë skuadrat e ardhura nga lumenj të ndryshëm të Shqiperisë, dhuruan spektakël dhe shumë emocione dhe konfirmuan se sporti turistik i rafting është përhapur tashmë në të gjithë Shqiperinë.

Shumë skuadra janë rritur teknikisht dhe në numër në krahasim me vitet e kaluara.

Risia në këtë kampionat ishte se për herë të parë mori pjesë një skuadër mikse, ekipi i Shkumbinit në Elbasan me dy vajza Kristina Bilbili dhe Xhesara Kusi.

Federata Shqiptare e Rafting që drejtohet me profesionalizëm nga një prej themeluesve të kësaj disipline Zamo Spathara, tha në një deklaratë për media se “shpresojmë që të kemi shumë shpejt si shtetet e tjera ekipin e parë femëror”.

Rafting nuk është një sport që nuk kërkon forcë fizike por kordinim në skuadër. Profesionalizmi, argëtimi, konkurenca, miqësia, solidariteti midis skuadrave kanë rritur këtë vit kualitetin e kampionatit.

Gjatë eventit ka pasur plot momente gazmore si për shembull kur atletet e ekipeve duhet të vraponin në buzë të lumit për të arritur gomonet, t’i shtynin në ujë e pastaj të niseshin për garim, një nga atletet nuk arriti të hipte në gomone por përfundoi në ujë duke humbur disa sekonda por megjitheatë ekipi pati rezultate të mira.

Ndiqni më shumë momente nga Kampionati në faqen e Albania Rafting Group 

 

Më poshtë, pjesë nga deklarata e Federatës pas përfundimit të Kampionatit:

“Gjejmë rastin të informojmë publikun se në nga data 3 prill deri në 14 prill Federata Shqiptare e Rafting në bashkëpunim me guida nga Hungaria dhe Europa zhvillon trajnime për guida rafting në lumin Vjosa dhe Osum.

I mirëpresim të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve pasi do t’i rrisin shumë profesionalisht.

Në përmbyllje të kampionatit përfaqësuesit e alpinizmit, çiklizmit , rafting ishin të ftuar në qëndrën multifuksionale të Përmetit me kryetaren e bashkisë Përmet dhe të dhjetra faktorëve të turizmit dhe kontribues në promovimin dhe mbrojtjen e zonës së Vjosës duke premtuar që së bashku do të vazhdonin akoma më fortë të punonin në zhvillimin e turizmit dhe në mbrojtjen e natyrës.

Përmeti ka konfirmuar edhe një herë se është një destinacion ideal dhe nje pikë nisje për turizmin e aventurës dhe eksperiencës dhe është një model i turizmit ku të gjithë banorët dhe bizneset janë fitimtarë…”