Kampionati i skive në Kukës, promovim potencialeve turistike dhe trashëgiminë etno-kulturore

March 2, 2020 || views

Nga Almarina Gegvataj

TIRANE, 1 mars/ATSH/- Në Parkun Natyror Korab-Koritnik, njësia administrative Shishtavec me mbështetjen e Këshillit të Qarkut Kukës, në bashkëpunim me AdZM, Prefektin e Qarkut Kukës dhe Bashkinë Kukës u zhvillua sot kampionati i skive.

Si zakonisht kjo ditë u shndërrua në një ditë feste së cilës iu bashkuan edhe banorë të shumtë të zonës.

Veprimtaritë filluan me këngë e valle në qendër të fshatit Shishtavec duke shënuar edhe ceremoninë e hapjes së kampionatit.

Më pas veprimtaritë vijuan në pistën natyrore në afërsi te fshatit, ku garuan ekipet e vajzave, ekipet e të rinjve dhe ekipi i të rriturve.

Në fund juria shpalli fituesit duke iu shpërndarë shpërndarë edhe certifikata.

Kampionati i skive është kthyer në një ngjarje jo vetëm sportive por edhe ditë feste për të gjithë banorët e zones duke promovuar vlerat natyrore, turistike, traditat dhe trashëgimia e pasur dhe të veçantë etno-kulturore e trevës.

Vetëm tridhjetë kilometra nga qyteti i Kukësit në kufirin ndarës të tre shteteve, Shishtaveci ofron një arkitekturë natyrore.

Pozita gjeografike, kushtet klimatike, hidrografia, flora dhe fauna mjaft e pasur janë elemente mjaft të rëndësishme, që këtij rajoni me potencial të lartë turistik, i krijojnë mundësi për zhvillimin e turizmit sportiv, rural, ekoturizmit, turizmit të gjuetisë etj. Klima është tipike, me reshje të mëdha bore, me shpati të përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore.

Me shumë maje të larta, burime e rrjedha lumenjsh me gryka e kanione, pyje të larta dhe me një faunë të shumëllojshme që krijojnë një peizazh mjaft të bukur dhe atraktiv për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Bjeshkët e Shishtavecit gjatë stinës së dimrit, janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e sportit të skive./ATSH