Kalaja e Grazhdanit- një thesar ende i pazbuluar i Antikitetit të Vonë

July 13, 2023 || views

Enkeleda Memisha

Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë

Studiesit arrijnë deri aty, sa mendojnë se është Kalaja më e madhe në Shqipëri, madje shkojnë edhe më tej, me e madhja në Ballkan për territorin në të cilin shtrihet. Rëndësia e investimeve në zhvillimin ekonomik të zonës, është jetike për të gjithë komunitetitn e Dibrës.

 

Në një kohë që shumica e popullsisë dhe burimeve ekonomike në Shqipëri, është përqëndruar në 5 Bashkitë më të mëdha, pjesa tjetër  e vendit ndodhet në varfëri ekonomike dhe në nivele të larta papunësie. Shqipëria është e pasur me burime natyrore të cilat, ose janë lënë pas dore, ose janë dhënë me koncension, ku fitimet merren nga kompanitë përdoruese të tyre.

Në këtë artikull do të trajtoj vetëm pasurinë kulturore në një prej rretheve që është konsideruar ndër më “të varfërit”, pikërisht Dibrës, e cila për shkak të mungesës së infrastrukturës  dhe investimeve është lënë në mëshirë të Fatit.

Një pasuri e tillë me një rëndësi të jashtëzakonshme, për pozicionin ku shtrihet dhe rolin që ka luajtur, në kohën kur mendohet se daton, është edhe Kalaja e Grazhdanit. Ajo shtrihet në afërsi të Maqellarës, në rrethin e Dibrës dhe mendohet nga zbulimet e pakta që janë bërë, se pas Durrësit përfaqëson fortifikimin më të madh të Antikitetit të vonë. Studiesit arrijnë deri aty, sa mendojnë se është Kalaja më e madhe në Shqipëri, madje shkojnë edhe më tej, me e madhja në Ballkan për territorin në të cilin shtrihet.

Kalaja fushore e Grazhdanit është një prej monumenteve që ka luajtur rol të madh historik, gjeo-strategjik, që në periudhën e vonë romake. Ajo përfaqëson një ndërtim  që mendohet i përket  shekullit IVp.e.s.  dhe  mund të krahasohet lehtësisht me qendra të mëdha antike si ajo e Bylisit apo Butrintit.

Kalaja ka marrë emrin e fshatit në të cilin shtrihet, Grazhdanit, por mendohet se në antikitet është quajtur Dobera.

Ajo shtrihet në një siperfaqe prej 34 hektarësh, ka një mur rrethues 3.5 km të gjatë, mendohet se ka pasur tri hyrje, ku secila nga to mbrohej nga dy kulla në formë patkoi. Siperfaqja e madhe në të cilën ajo është shtrirë nga zbulimet e objekteve të gjetura i ka cuar studiuesit në përfundimin se kjo kala mund të ketë qenë në atë periudhë, më e madhja edhe në Ballkan.

Ka një pozitë gjeostrategjike mjaft të rëndësishme në pellgun e Drinit të Zi, veçanërisht për rrugët tregtare-ushtarake që lidhin provincat e Epirit të Ri (Adriatikun), Dardanisë (Kosovë) dhe Maqedonisë, që realizoheshin nga Rruga Egnatia dhe Lissus – Naissus (Ky i fundit në periudhën romake është  konsideruar si territor i Dardanisë).

Historiku i kalasë sipas informacioneve të deritanishme, sjellë nga zbulimet arkeologjike.

Fillimisht, Kalaja e Grazhdanit  është sjellë në vëmendje nga Johann Georg von Hahn (1811-1869), diplomat dhe filolog austro-hungarez, i cili ka shkruar për Shqipërinë, në librin e tij “Udhëtim nga Danubi në Drin”, ku ai përmend edhe Kalanë e Grazhdanit. Asgjë nuk dihej mbi historinë e saj dhe rolin që ajo ka luajtur në kohën kur është ndërtuar.  Më pas kjo qendër për vlerat historike dhe arkeologjike u shpall Monument Kulture nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës, dt. 15.01.1963;  dhe nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, dt.10.06.1973.

Pas një heshtje të gjatë, që vinte nga mungesa e informacionit mbi rëndësinë e saj, në vitet 1982-83 rifilluan punimet për zbulime të tjera, pasi  hapja e rrugës automobilistike nxori në sipërfaqe disa varre me objekte mesjetare.

Lidhur me emrin antik të këtij fortifikimi ka pasur disa teza. Njëra përfaqësohet nga studiuesi i arkeologjisë, Prof.Dr. Luan Përzhita, i cili supozon se kalaja e Grazhdanit mund të identifikohej me fortesën Deyfrakos, toponim ky nga i  cili duhet të rrjedhë edhe etimologjia e emrit të sotëm të krahinës: Dibër.

Teza tjetër, ajo e përfaqësuar nga historianët: Hilmi Sadikajt, Kristo Frashëri dhe arkeologu. Apollon Baçe, në këtë kala shikonin rrënojat e qytetit antik të Dobërit, prej këtij toponimi rrjedh edhe etimologjia e emrit të krahinës së Dibrës.

Por, edhe rifillimi i punës arkeologjike nuk zgjati shumë dhe kalaja u la përsëri në harresë. Në zonën e Maqellarës, ajo nuk është e vetme, pasi ka edhe shumë Monumente të tjera Kulturore si; Kisha e Shën Sotirit, Kisha e Shpërfytyrimit, Xhamia e Allajbegisë, Banesa e Tashko Markos e shumë te tjera.

Kalaja e Grazhdanit, ka 44 kulla dhe është dy herë më e madhe se Butrinti dhe Bylisi. Vendin kryesor në këtë areal, i cili rrethohet nga 18 kështjella, e zë qyteti i Grezhdanit, për vetë madhësinë e tij. Me një sipërfaqe prej 34 ha dhe mure rrethuese me perimetër 3000 m, ai radhitet ndër qytetet më të mëdha të antikitetit të vonë në Shqipëri.

 

Kalaja e Grazhdanit është fortifikim i tipit të castrumit romak, i cili për përmasat e mëdha mund të konsiderohet si “Grand Castrum”, me funksione kryesisht ushtarake. Nga pikëpamja kronologjike, kalaja i referohet fazës së parë të veprimtarisë perandorake në provincat ballkanike, që lidhet me fundin e shek.III dhe fillimin e shekullit IV. pas kr.

 

Të dhënat nga literatura e shkruar që flasin ose përmendin Kalanë janë shumë të pakta, për të mos thënë që mungojnë. Kjo është edhe arsyeja që gjithçka mbi nxjerrjen në dritë të fakteve të mëtejshme i është lënë në dorë Arkeologjisë.

Gjatë festës “Sofra Dibrane”

Kërkimet në këtë qendër rinisën në vitet 2000 duke nxjerrë në dritë elemente të rëndësishëm arkitektonike të panjohur më parë në botimet e dhëna për këtë qendër, të cilat konsistojnë në ndryshimet planimetrike të formave ndërtimore të hyrjeve, kullave dhe të linjës së përgjithshme të fortifikimit, duke krijuar kështu një pamje të ndryshme për planimetrinë e qytetit.

Pas kësaj kohe monumenti i është nënshtruar shkatërrimit si rezultat i gërryerjeve natyrore, gjë që çoi në humbjen e një pjese të murit të anës veriore. Në vitet 2000-2004 në këtë kala janë kryer gërmime në trasenë e murit dhe në të dy hyrjet kryesore të saj për saktësimin e planimetrisë ekzistuese.

Dihet që vendbanimet ose kalatë janë vazhdimësi e jetesës së mëparshme në atë zonë. Kështu ka ndodhur edhe me kalanë e Grazhdanit, brenda rrënojave të së cilës hasen gjurmët e lashtësisë së rrethit të Dibrës. Aty gërshetohet parahistoria me qytetërimin ilir, helenizmi me kulturën romake, për të arritur te mesjeta e hershme.

Periudha qytetare ilire (shekulli IV-I p.e.s.) përfaqësohet me gjurmë më të hershme, e cila njihet ende shumë pak. Objekte të kësaj periudhe janë gjetur në fshatrat Grezhdan dhe Herbel të kësaj rrethine, që përfaqësojnë vendbanime ilire me karakter fshatar të shek. III-II p.e.s. Ndërkohë që në muret e fortifikimit të kalasë së Grazhdanit janë gjetur të ripërdorura një numër i madh blloqesh kuadratike, të cilat i përkasin periudhës helenistike. Për arsye fondesh dhe neglizhence nga strukturat përkatëse, ekspeditat në këtë objekt të rëndësishëm arkeologjik janë ndërprerë.

 

Roli i investimeve në Kalanë e Grazhdanit, shtysë për zhvillimin ekonomik të zonës.

Sipas një raporti në Maj të këtij viti të Bankës Botërore: Lezha dhe Dibra jane në mesin e qyteteve me papunësinë më të madhe në Rajon. Shkak: fluksi i lartë i emigrimit dhe plakja e popullsisë.

Në rrethin e Dibrës gjenden shumë resurse natyrore; mbitokësore dhe nëntokësore,  ku ndër të tjera përmendim: Llixhat e Peshkopisë që shtrihen në “Luginën e Shërimit”, Kanionin e Luginës së Shërimit, fshati turistik Rabdisht, Liqenet e Lurës etj.

Me një natyrë shumë të bukur, e rrethuar nga malet e larta, me një hidrografi të pasur, zona ofron mundësi të shumta turizmi.

Prania e llixhave në aspektin ekonomik është një burim i mire që ndikon në uljen e papunësisë së zonës, por kjo ka nevojë për investime imediate në Infrastrukturë por edhe në promovimin e vlerave të saj.

Dibra është një thesar për sa i përket pasurive jo vetëm natyrore por edhe kulturore.

Jo më shumë se 3 orë nga Kryeqyteti, Zona e Dibrës është një Mrekulli e pasur jo vetëm me Turizmin e Natyrës, Kulinarinë, Turizmin Kurativ, por ç’ka i josh më shumë turistët e huaj edhe me Turizmin Kulturor.

Ështe e trishtë kur dëgjon që përfshihet në listën e zonave me zhvillimin më të ulët ekonomik dhe papunesinë më të lartë, një zonë kaq e pasur dhe që ofron shumëllojshmëri në turizëm. Kjo vetëm si pasojë e mungesës së investimeve.

Jo më kot në këtë artikull kam trajtuar Kalanë e Grazhdanit, fillimisht duke dhënë informacion mbi gjendjen ku ndodhet dhe rëndësinë e saj historike -kulturore, jo vetëm për zonën në të cilën shtrihet, por më gjerë ; për historinë e vendit.

Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, e cila pothuajse shkon në afërsi me qytetin antik të Grazhdanit, kjo qendër mund të kthehet  në një monument të vizitueshëm për turistët e huaj dhe vendas, për studentë të fushës së arkeologjisë, të arkitekturës, pasi kjo qendër përmban në vetvete vlera shumë të mëdha arkeologjike, historiko-kulturore, por edhe inxhinierike.

Investimet e mëtejshme në infrastrukturë, fondet e nevojshme për vazhdimin e zbulimeve në Kala, totali i shpenzimeve do te jetë i papërfillshëm krahasuar me të ardhurat që zona do të përfitojë nga Turizmi në të ardhmen. E rëndësishme është të drejtohet vëmendja e Institucioneve për të vepruar sa më shpejt. Me një paketë 2-3 ditore ose edhe më shumë, turistët mund të frekuentojnë llixhat që janë vlerësuar për vetitë e tyre të larta kurative, të shijojnë kulinarinë e pasur të zonës dhe të vizitojnë Kalanë e Grazhdanit, në të cilën mund të informohen mbi historinë e zonës dhe pasurinë e saj kulturore.

Le të shpresojmë që kjo do te ndodhë shumë shpejt…

Enkeleda Memisha

Pedagoge në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë