Jezerca, një përvojë fantastike dhe e vështirë…
October 6, 2019 || views
Nga Kastriot Faci
ITINERAR MBRESËLËNËS MBI MBRETËRESHËN E ALPEVE SHQIPTARE…
U ndjeva i privilegjuar, pasi furgoni u ndal para zyrës sime për të më marrë – jam me vonesë. Pasi përshëndetem me pasagjerët e tjerë, rrasem në sediljen e fundit, si e vetmja mundësi që i kisha lënë vetes. Disa i njoh, pasi kisha qenë më parë në rrugëtime të tjera me ta, por po shoh dhe të tjerë që nuk i njoh fare. Të gjithë në humor të mirë, bëjmë një ndalesë për të blerë në një nga dyqanet në Dedaj, aty ku rruga merr kthesën për në pikën turistike të Razmës. Fshati i Bogës është kufiri ku rrugës së mirë e me asfalt i themi lamtumirë.
Tashmë furgoni dalëngadalë fillon t’i ngjitet rrugës me “thonj” sikur të ishte një mace e egër. Unë i kërkoj shoferit të bëjmë një ndalesë në Qafë Thore, tek liqeni. Pas zhgënjimit nga liqeni, të cilin thatësira e kishte shterrur deri në fund, marr nismën për të bërë një foto grupi, të parën foto grupi. Qafa e Thores njhet si pika më kritike e rrugës për në Theth. Çdo vit ajo bllokohet nga bora dhe hapja e saj bëhet e mundur vetëm në pranverën e vonë. E natyrshme, ndalojmë tek momunemti i Miss Durhamit, “Krajlicës së Malësorëve”. Nisemi në këmbë, do të vazhdojmë të zbresim deri poshtë në Theth. Roza, guida jonë, këmbëngul që të na shoqërojë, pasi së shpejti do të bjerë nata e udhëtimi ynë mund të vështirësohet. Sonte ne do të strehohemi në shtëpinë e saj. Ajo është një vajzë me humor të hollë dhe energjike. Me krenari ajo na “mburret” që ky vit ka qenë vit shumë i mirë. “Kemi pasë një numër më të madh turistësh këtë vit në Theth. Arsyeja që njerëzit e vizitojnë Thethin është sepse është një vend shumë i bukur. Ai ëshë Park Kombëtar e ndodhet në zemrën e Alpeve Ilirike, më pëlqen ti quaj kështu siç i quan Pr. Ahmet Osja. Thethi tashmë është edhe pjesë e Parkut Natyror të “Parkut të Paqes”, i cili përfshin tre shtete kufitare, Malin i zi, Kosovën dhe vendin tonë”.