Investime të reja në agroturizëm/ Sipërmarrjet e suksesshme promovohen në një platformë dixhitale

May 30, 2020 || views

Nga Etleva Xhajanka

TIRANË, 30 maj /ATSH/- Modelet më të mira të sipërmarrësve në sektorin e agroturizmit do të promovohen në platformë dixhitale, me qëllim inkurajimin e investimeve të reja në këtë sektor dhe evidentimin e tyre si atraksione potenciale për thithjen e turistëve.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bën të ditur se është hapur thirrja për shprehje interesi për sipërmarrjet agroturistike për regjistrimin e tyre në nismën dixhitale për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka ndërmarrë nismën për promovimin e agroturizmit me mbështetjen e projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale” financuar nga Qeveria Gjermane, zbatuar nga GIZ.

Agroturizmi është prioritet dhe konsiderohet si sektor me potencial të lartë zhvillimi, në funksion të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të kushteve sociale në zonat rurale të Shqipërisë.

“Përmes kësaj thirrje, ne synojmë të identifikojmë dhe nxisim sipërmarrjet agroturistike, që ofrojnë aktivitetet jashtë sferës së prodhimit, dhe që janë të hapura për vizitorët, të shprehin interesin me qëllim promovimin e tyre mes platformave dixhitale bashkëkohore që do të zhvillohen në kuadër të kësaj nisme”- thuhet në njoftimin e MBZHR, e cila fton të gjithë fermat prodhuese me orientim në aktivitetet bujqësore, blegtorale, peshkim/akuakulturë të shprehin interesin për pjesëmarrje dhe regjistrim në aplikacion.

Sipas MBZHR, kusht i domosdoshëm, është që ferma prodhuese të ofrojë për vizitorët të paktën një nga shërbimet si akomodim, ushqim dhe pije, veprimtari argëtuese dheçlodhëse.

Sipërmarrjet agroturistike të interesuara për pjesëmarrje duhet të plotësojnë formularin e aplikimit sipas link-ut: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLScSOG6s2GeKFTERQYbgtZYfXGRvPhyFYrkg4tdV1jhIQifJWQ/viewform

“Afati i shprehjes së interesit është deri në datën 05.06.2020. Ju inkurajomë të bëheni pjesë e kësaj nisme dixhitale për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale”, citon MBZHR. e.xh/ /a.g/