In this world of Kardashians, be a Melisa!

September 9, 2020 || views

Flora Xhemani Baba

Njihuni me Melisën, vajzën që ka gjithçka por punon njëzet orë në ditë, drejton një staf me 300 punëtorë dhe pret e përcjell mijëra turistë.

Ajo ka gjithçka që do të donte një vajzë në moshën e saj. Para, që vijnë nga biznesi i suksesshëm i familjes, një pamje engjëllore që shumë vajza që rrinë gjithë ditën nëpër sallone bukurie do t`ia kishin zili, (edhe pse nuk përdor fare make-up), një familje që e rrethon me dashuri dhe mundësi që të bëjë një jetë luksoze e pa kokëçarje. Të dilte me shoqet për pushime, të mbushte Instagramin me foto veshjesh e makinash të shtrenjta, që ia mban xhepi, të kërciste takat nëpër lokalet e resorteve “in”, ku moshataret e saj shkojnë vetëm për një foto dhe shtrëngojnë rripin një muaj. Ajo i ka mundësitë pra, të bëjë një jetë vanitoze, mbushur me teka luksi e megjithatë ka zgjedhur që moshën më të bukur të jetës së saj – atë të “të njëzetave” – ta kalojë duke punuar. Dhe jo duke punuar dosido, sa për t`u eglendisur por fort, nga mëngjesi herët, e deri natën vonë. E vetmja “lehtësi” që ka pasur, është që nuk i është dashur të kërkojë shumë për të gjetur punën por ka qenë puna, që e ka gjetur atë, meqë mban pozicionin e menaxheres së përgjithshme në resortin turistik të familjes, që është as më pak e as më shumë por kompleksi i resorteve turistike “FAFA”.

 

Se mos mendoni gabimisht që duke qenë në pozicionin e drejtueses, e kalon gjithë ditën në zyrë duke dhënë urdhra majtas e djathtas. Në fakt, qysh prej ditës së parë që e kam takuar Melisën, e kam gjetur me një punë në dorë. O është në recepsion duke i dhënë një dorë vajzave, o po sistemon tavolinat bashkë me djemtë e sallës, që të mos bëhen vonë për eventin e radhës, o është me ndonjë tortë në dorë  duke festuar ditëlindjet e stafit të shumtë në numër, ose ka ndonjë triko të lidhur për beli, veshur kushedi se në cilën orë të herët të mëngjesit e që nuk ka patur kohë ta varë gjëkundi se e ka marrë puna para…. e kështu vazhdimisht, sa herë që kërkon Melisën, ajo nuk është asnjëherë në zyrë por diku, duke bërë diçka, duke ndihmuar djemtë dhe vajzat e stafit, pa grim, me flokët e mbledhur shkujdesshëm në majë të kokës, veshur me atlete ose me sheshka dhe mëngët përveshur. Prandaj dhe stafi le kokën për të.

Duke festuar me stafin

Do thoni ju, e ç`ka këtu për t`u çuditur? Punën e saj e ka, hoteli i saj është, paratë të sajat janë. Po por ka mënyra e mënyra. Dhe kjo e Melisës është më njerëzorja. Nuk mjafton vetëm prona që ta konsiderosh tënden e të shqetësohesh për të. Duhen edhe njerëzit që punojnë aty të konsiderohen pjesë e jota. Dhe Melisa e bën këtë aq natyrshëm saqë atyre djemve e vajzave që punojnë në të dyja resortet e hotelet “FAFA”, u duket sikur e kanë shoqe dhe jo shefe.

Me stafin për pushime, pas mbylljes së sezonit

Ajo mund të ndiqte shumë bukur pasionet e veta si çdo vajzë e re, që në moshën e saj shkojnë zakonisht drejt fushave të bukura si arti, moda, muzika, spektakli, piktura, udhëtimet për hobi, e gjithçka tjetër që do të donte të bënte në jetë një vajzë, që nuk zgjohet në mëngjes me hallin e faturave që duhen paguar dhe shpenzimeve të jetës që duhen nxjerrë. Por ajo natyrshëm zgjodhi që edhe shkollën ta kanalizonte në profilet e biznesit, që ta bënte më mirë këtë punë që ka marrë përsipër. Dhe aq mirë e bën, saqë i ati ia la shpejt “çelësat në dorë”, duke e ndarë barrën jo më vetëm me pjesën tjetër të familjes, siç kishte bërë deri në ato kohë por edhe me Melisën. Dhe kur vendosi që ta kurorëzojë  zëvendëspresidente të kompanisë, nuk e bëri këtë thjesht për stimul apo për ta bërë të ndjehet e motivuar por realisht, duke e përgjysmuar barrën e vet e duke e hedhur gjysmën tjetër në supet e Melisës.

Me familjen

E nëse doni ta dini se për çfarë barre apo për çfarë pune bëhet fjalë, po ju them se Melisa drejton një staf me gati 300 punëtorë, të cilët, sigurisht me një punë të organizuar në skuadër, presin e përcjellin çdo ditë deri në dymijë turistë në pikun e sezonit, aq sa është edhe kapaciteti i resorteve FAFA. Më thoni ju tani nëse njihni ndonjë vajzë tjetër, që në punën e saj të përditshme ulet e shkruan emaile, marrëveshje, kontrata, që komunikon me dhjetëra agjenci, shqiptare e të huaja, që u përgjigjet të gjithëve, që përpilon oferta, organizon punën e stafit, dhe ka vëmendjen në alarm të përhershëm se çfarë nuk shkon në një hotel ku qarkullojnë rreth njëmijë persona në ditë dhe midis këtij kaosi, që në ditët e fluksit kthehet në çmenduri të vërtetë, të gjejë edhe kohë për të festuar ditëlindjet e stafit. Dhe më besoni nuk i vjen aspak keq që gjithë ditën e kalon me atlete e bluzë të lidhur në bel, ndërkohë që kryqëzohet gjithë ditën me moshataret e saj turiste, që kërcasin takat dhe ekspozojnë kostumet e shtrenjta të banjës, mbi pllakat ku ajo herë pas here, heq ndonjë bisht cigareje që i vret syrin.

A ka pasione? Natyrisht që ka. Pasioni i saj kryesor është kjo punë që bën, sepse nëse zgjedhja mund të duket rrjedhojë e logjikshme e situatës, mënyra se si ajo i është qasur punës është përmes përkushtimit, dashurisë e në fund pasionit. Tani po ta pyesësh, ajo nuk e sheh dot veten duke bërë diçka tjetër. Pasioni tjetër janë udhëtimet, që, nisur nga lloji i punës, që e mban të lidhur në verë, përpiqet t`i realizojë gjatë periudhës së dimrit, kur fluksi bie.

Por unë mendoj se pasioni më i madh që ka Melisa e që ajo ndoshta nuk arrin dot ta shprehë me fjalë, sepse ka kohë që e ka treguar me vepra, është të qenit njeri.

 

Me autoren e shkrimit

Nuk ka rëndësi sa para ke, sa mundësi të vijnë në tavolinë, sa jetë të lehtë mund të bësh duke qenë anëtar i një familjeje të pasur, sa të shtruar e ke rrugën drejt famës e suksesit. E rëndësishme është të kuptosh se ti mund të kalosh nëpër të gjitha këto e të mbetesh njeri. Njeri i thjeshtë. Si Melisa, që ka gjithçka e megjithatë, punon deri në njëzet orë në ditë, drejton një staf me 300 punëtorë dhe pret e përcjell dymijë turistë, me buzëqeshje të përhershme në fytyrën e saj engjëllore. Dhe mua vetvetiu, sa herë takoj Melisën, nuk mund të mos më kalojë nëpër tru ajo shprehja e famshme: “In this world of Kardashians, be a Melisa!”