Hotelet shqiptare e morën çertifikatën e mikpritjes me pesë yje!

November 30, 2019 || views

 

Flora Xhemani Baba

Kanë kaluar shumë pak ditë nga tragjedia (jo dhe aq) natyrore që godidi Shqipërinë,  mu në zemrën e saj, në Durrës dhe Tiranë, duke shënuar statistika të frikshme dëmesh e humbjesh njerëzore, për një vend të vogël e me ekonomi të brishtë, që ka plot halle të tjera e që zor se do të arrijë t`i mbyllë siç duhet plagët e saj. Asnjë tragjedi e kësaj natyre nuk lajmëron më parë, që njerëzit të marrin masa dhe siç pritej, të gjithë u kapën në befasi, duke u pushtuar nga ndjenja më e pritshme në të tilla raste; paniku.

Me mijëra njerëz që u gjendën në rrugë, pak minuta pas orës katër të mëngjesit, kur ende të përgjumur nuk e kishin idenë e zhvillimit të plotë të ngjarjeve, nuk mund të ktheheshin më mbrapsht në shtëpitë e tyre, diku prej frikës e diku prej dëmeve. Shumë prej tyre morën rrugët, jashtë Durrësit e Tiranës, duke mos e kthyer më kokën pas, tek shtëpia e shembur, lënë në mëshirën e fatit apo mes rrënojave të tërmetit.

Po ku po shkonin? Nuk e dinin as vetë. Diku, larg rrezes së tërmetit, që vazhdonte të shkundte Tiranën e Durrësin me magnitudë akoma të rrezikshme.

Në vatrat e tërmetit në Durrës e Thumanë, u ngritën çadrat e para dhe filluan të mbërrijnë ndihmat e para, ndërkohë që mes ankthit e dhimbjes, mediat raportonin numrin e viktimave që kishin mbetur nën rrënoja.

Po lumi i njerëzve të ikur mes tmerrit, ku do të përfundonte?

Të nisur të gjithë drejt Jugut, por pa ditur tamam se ku, gjithë kjo rrjedhë nuk mund të linte indiferentë qytetet që zakonisht janë mësuar të presin turistë e jo ikanakë tragjedish.

Ishte Vasil Bedinaj që hodhi i pari në Fejsbuk njoftimin se rrjeti i hoteleve Regina, hapte dyert për të gjithë të prekurit nga tërmeti, duke mikpritur pa pagesë për strehë e ushqim të gjithë ata që do t`i drejtoheshin Vlorës për ndihmë. Në të njëtën kohë, Diamma Resort në Plazhin e Golemit, edhe pse Bregdeti i Durrësit ishte në rrezen e rrezikut (por resorti ishte i padëmtuar), hapi dyert pa hezitim, për të pritur të dëmtuarit.

Ishte prekëse! Dhe, parë situatën, paniku i të cilës ushqehej rregullisht nga lëkundjet e tërmetit, nisma u përqafua në mënyrë të rrufeshme nga hotele të tjera të Vlorës e Durrësit, si grupi i hoteleve ALER në Durrës e Vlorë, Nju Jork Hotel, Le Palazine Resort, Vila Nika, Paradise Beach Hotel, Llogora Tourist Village, Hotel Bologna etj..

Bashkia e Vlorës e “institucionalizoi” nismën, duke përditësuar listën e hoteleve mikpritëse, e cila dalngadalë përfshiu pothuajse të gjitha hotelet, madje doli përtej, duke kaluar në shtëpitë private e individë që ofronin ndihmë strehimi.

Kompleksi Fafa në bregdetitn e Kavajës, ishte selia që “zyrtarizoi” marrëdhënien e hoteleve me strukturat shtetërore, marrëveshje të cilën e firmosi vetë kryeministri Edi Rama, duke shpallur se të gjithë të pastrehët, duke filluar nga ata më të dëmtuarit që kishin përfunduar në çadra, e deri tek ata që endeshin rrugëve, do të akomodoheshin nëpër hotele, duke pasur një strehë të ngrohtë e ushqim për një afat të pacaktuar, derisa të stabilizohej gjendja dhe të shqyrtohej një zgjidhje më e qëndrueshme.

Shumë shpejt kjo nismë solidarizimi u pasua nga hotelet e Beratit, Korçës, Pogradecit, Sarandës, Shkodrës e Lezhës. Përtej kufijve administrativë por brenda zemrës shqiptare, Kosova gjithashtu e shpalosi zemrën e saj të madhe, jo vetëm me autokolonën e admirueshme e fisnike të Forcave Speciale që erdhën qysh në orët e para të mëgjesit dhe njerëzit që zbarkuan në Shqipëri për ndihmë por edhe me hapjen e dyerve të hoteleve dhe shtëpive.

Nisma u bë siç quhet në gjuhën e internetit “virale” dhe në rrjetet sociale postimet që kanë qarkulluar më dendur, ishin pikërisht ato të ofrimit të strehës e ushqimit falas për të mbeturit pa strehë apo të ikur nga shtëpitë.

 

Natyrisht çdo histori tragjedish masive ka edhe hienat e veta. Për ata që nuk e dinë, hienat janë kafshë grabitqare mishngrënëse, që nuk gjuajnë vetë por që vjedhin gjahun e kafshëve guximtare, duke i sulmuar ato në lukuni, menjëherë pas luftës që këto të fundit kanë bërë me gjahun e tyre, duke shfrytëzuar lodhjen dhe pafuqinë dhe duke i lënë me gisht në gojë. Kështu edhe në kë rast pati edhe abuzues, që jo vetëm nuk i pritën falas të ikurit nga tragjedia por dyfishuan edhe çmimet e hoteleve apo ushqimeve. Por ata nuk mund ta zbehin gjestin e madh të mikpritjes së hoteleve, që ishin dominuese në masë dhe vlerë gjithashtu.

     

Kemi pesëmbëdhjetë vjet që merremi me turizëm. E kemi theksuar shpesh në punën tonë që tipari kryesor i turizmit tonë është mikpritja. E kanë pohuar shpesh edhe të huajt këtë vlerë të paçmuar tonën, vlerë të cilën e shohin të pasqyruar kudo por së pari përmes pritjes nëpër hotele. Ato janë pasqyra kryesore e mikpritjes shqiptare.

Tërmeti i 26 Nëntorit përmes shumë dëmeve e kobeve, lotëve e dhimbjes, ashtu si çdo histori që ka edhe anët e vet të bukur të medaljes, nxori në pah tiparin më të çmueshëm që kemi si popull; solidaritetin dhe gjithashtu tiparin më të vlefshëm të hoteleve tona; mikpritjen.

Ajo është çertifikata me pesë yje që u mungonte nga shteti e që e morën nga tërmeti.

Krenarë, që punojmë me ju!

P.S Situata e emergjencës civile vazhdon dhe aktualisht ka me mijëra të strehuar nëpër të gjitha hotelet shqiptare, kryesisht në Vlorë, Durrës e Shëngjin.