Hapet ekspozita ‘Cohë’ në Muzeun e Kosovës, takim mes përpunimit të leshit e pikturës
February 4, 2020 || views
Fitore Berisha prezanton ‘COHË’, takimin mes përpunimit të leshit e pikturës
Nga Arbër Selmani
Përgjatë dy muajve, Fitore Berisha udhëtoi për në Pejë ku do të provonte të mësonte mjeshtërinë e përpunimit të leshit, deri te formësimi i qeleshes. Krahas Afrim Latës, mjeshtër i përpunimit të leshit në Pejë, Fitore Berisha do të vinte me një ndërthurje të pikturës dhe leshit.
Kjo ndërthurje mbrëmë u përthekua me hapjen e ekspozitës ‘Cohë’ në Muzeun e Kosovës, ku Fitorja solli punime të ndryshme si rezultat i këtij studimi e kërkimi të saj, kësaj ekspedite të saj të shkurtër por nga e cila duket se është inspiruar për të bashkuar leshin e pafund dhe pikturat e bukura të saj.
Pikërisht me cohë – leshi i butë i cili kur përpunohet hollë krijon material që më pas Fitorja e përdorë në punën e saj, u dallua mbrëmë kjo ekspozitë.
“Nuk ka qenë projekt i lehtë, pasi me lesh mundesh me bo shumë gjana, mundesh me e pru leshin në jetë me anë të shumë mënyrave. Unë kom fillu me plisa – qëllimi ka qenë që produkt final mos me qenë plisi, por me shku më tutje. Plisit, qeleshes, me anë të këtij projekti ia kam dhënë një frymë femërore, si gjithmonë në punët e mia” tregon Fitorja.
Muret e katit të dytë të Muzeut të Kosovës ishin pikëtakimi i punëve artistike të Fitores. “Sofra”, “Familja”, “Çifti”, “Qeleshja, llamba punë dore”, “Qeizi”, “Krushqit” janë disa prej punëve artistike të cilat sjellin ‘COHËN’ e Fitore Berishës në këtë ekspozitë, për të cilën interesimi ishte i madh.
“Vetë plisi dhe qeleshja, shpesh edhe leshi, e kanë njëfarë tradite vetëm burrërore pas tyre. Megjithatë gjatë procesit gjithmonë kryefjala është gruaja, ajo pastron, e tjerr leshin, krijon sexhadet e ndryshme, i pastron tirqit, dhe plisin, që në fund ai me dalë triumfa. Bile edhe qeizin sonte në ekspozitë e shihni me lesh, e jo me tentene siç është zakon” tregon Fitore Berisha.
Nga kjo përvojë, artistja është munduar të shohë se si mund ta manipulojë metodën dhe materialin për të krijuar forma të reja mbi të cilat do të mund t’i zhvillonte punimet e saj. Në këtë mënyrë ajo ri-imagjinon dhe ri-interpretion një proces të punëdores, i cili për një kohë të gjatë ka qenë konsistent në zhvillimin e tij. Si rezultat, në këtë prezantim coha prehet, qepet, formësohet, ngjyroset dhe ndërthuret me të shprehurit e saj artistik.
Sali Shoshi nga CHwB Kosova tregoi gjatë hapjes së ekspozitës se punimet janë në shitje dhe se ideja e HERITAGE SPACE është të sjellë më shumë produkte e projekte të tilla – Made in Kosova. Shoshi ka qenë edhe mentor i artistes gjatë tërë hulumtimit.
“Ky sonte është prezantimi i dhjetë i Heritage Space 2019 – një platformë kjo që mbështetë artistët dhe njerëzit kreativë të inspiruar nga trashëgimia kulturore. Fitorja sot na tregon se kur ka kreativitet dhe dorë të artistëve, edhe coha mund të dalë në diçka krejt të re dhe mund të kemi produkte të reja në treg si pjesë e industrisë kreative” tregoi Shoshi për KultPlus.
Projekti u realizua në kuadër të platformës të Heritage Space qe implementohet nga CHwB Kosova. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvilim i Kombeve të Bashkuara (UNDP Kosovo) dhe fiancuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe Qeverisë Suedeze. / KultPlus.com