Hani i Vjetër Prizren, mikpritje dhe traditë në kryeqytetin historik

January 15, 2023 || views

Kultura e ushqimit, turizmi i përvojave, takimi me vendasit dhe përjetimet personale sy më sy e dorë për dorë, janë trendet e fundit të turizmit që jo vetëm po gjejnë vend gjerësisht por po rekomandohen fort edhe nga organizatat e turizmit dhe gjigandët mediatikë kudo në botë. Ndaj merr vlerë çdo përpjekje e sipërmarrje e kësaj natyre, duke e kthyer qytetin apo vendin ku ndodhet, në një atraksion të vërtetë turistik.
Pa asnjë dyshim Hani i Vjetër Prizren, është një prej këtyre realiteteve turistike, edhe pse vetë Prizreni është një qytet turistik i spikatur.

                         

Vetëm 50 metra nga Ura e Vjetër e Gurit në drejtim të Shtëpisë së Kulturës, në qendër të kryeqytetit historik, një bujtinë e stilit butik, elegante dhe tradicionale njëkohësisht, me pamje fantastike nga kalaja e Prizrenit dhe Shatërvani i Bukur, Hani i Vjetër Prizren, është një prej vendeve që duhet të vizitoni patjetër kur të jeni në Kosovë, nëse doni të njihni kulturën e vendit dhe kuzhinën lokale.

                 

Të specializuar për gatime Tradicionale prizrenase në furrë druri dhe me saç, me produkte BIO nga regjioni dhe kultivimi shtëpiak, Hani, një ndërtesë historike, mbushur plot me artefakte dhe punime artistike artizanale, është një muze i vërtetë, por ndryshe nga muzetë ku objektet i përkasin kohëve të shkuara, këtu parada e kostumeve popullore dhe elementëve tradicionalë, ju shpaloset para syve nga djem e vajza të bukur si yje dhe nga anëtarët e një familjeje që do t`ju tregojë se çfarë thesari është mikpritja në Kosovë e Prizren, teksa ju shërbejnë pjatat e shumta të zonës, si Tavën e Prizrenit, Specat me Ajkë, Djathin e Sharrit, Vekshin me Shpatë, ej.,
Qëndrimi në Hanin e Vjetër, është nga ato përvoja që pa dyshim do ta shenjojë udhëtimin tuaj në Prizren, ndaj shënojeni në listën tuaj të udhëtimeve të ardhshme si një vizitë për të mos u humbur. Nuk ka rëndësi kur planifikoni të shkoni atje. Në çdo stinë e në çdo kohë, Hani i Vjetër i ka dyert dhe zemrën hapur për të gjithë mysafirët e tij nga kudo që ata të vijnë.