Hani i Çetës, një kurorë shijesh e traditash mbi kryet e Kavajës

November 15, 2023 || views

Flora Xhemani Baba

Njihuni me Fabion dhe Birjanën, çiftin që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri, dhe të çojnë përpara biznesin e familjes

Në dy dekadat e punës tonë në turizëm, aspektet që kemi shijuar e shijojmë më shumë, janë takimet me njerëzit e turizmit. Ata që në tregun e vështirë dhe kaotik shqiptar i kanë hapur shtigjet me duar. Dhe kur themi me duar nuk e kemi fjalën në sensin figurativ por për kuptimin e parë të fjalës.
Fjala vjen kur shkuam të vizitojmë Hanin e Çetës në Kavajë, si një restorant i ri tradicional dhe takuam Fabion e Birjanën, një çift i ri e simpatik në të gjitha kuptimet, prindër të një djali 5-vjeçar, bashkë me historinë e tyre, zbuluam edhe gjurmët e para të historisë së gastronomisë së qytetit të Kavajës, fill pas viteve `90, kur lindën njësitë e para turistike.
Ata na treguan se si katër vjet më parë nisën këtë aventurë të re, në një moment nga ata që zakonisht përbëjnë shtysën për të dalë nga zona e komfortit. Një sipërmarje që nuk ishte as e profesionit e as e stilit të tyre të jetës, ajo si një punonjëse banke e ai si inxhinier IT në gjykatën e qytetit, që nuk kishin asnjë përvojë vetjake as në gastronomi e as në menaxhim. “Ama e dinim shumë mirë se çfarë donim. Kishim kohë që e projektonim në mendje po thjesht duhet të vinte ai momenti. Mes dilemës së madhe, të ikim jashtë apo të rrimë të bëjmë diçka të dy bashkë, fitoi kjo e dyta”.

Dëshira e madhe ishte të ripërtërinin historinë e familjes tonë në fushën e gastronomisë, e cila zë fill diku në vitin 1992, me një prej restoranteve më të bukura të asaj periudhe, që për hir të afërsisë me Italië, dshurisë për kinematografinë italiane dhe përvojave të para të shqiptarëve në emigrimit atje, e quajmën “Dolce Vita” Ishte restorati më i famshëm e më i frekuentuar i viteve `90 në të gjithë zonën e bregdetit Durrës-Kavaje.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Hani i Çetës (@hani_i_cetes)


Zinxhiri i vështirësive ishte i larmishëm, po të mendosh që gjithë kjo histori filloi pak para se të niste pandemia, u pasua me pauzën botërore dhe po vazhdon me luhatjet e mëdha të krizës. Përveç familjes, të gjithë na thanë “keni lujt menç që do shkoni të hidhni paret në katun” (në dialektin e Kavajës). Për një biznes-foshnje, ishin vështirësi të mjaftueshme që të mos mbijetonte. Shto këtu edhe faktin që sapo ishin bërë prindër dhe gjithë përvoja e re përpara tyre ishte si një det që duhej t`i hynin me këmbë.
Kur pastaj restorani u hap dhe fluksi i njerëzve erdhi si ajo batica e detit që nuk e pret, tregon Birjana, atëhere përvesha mëngët dhe u futa në kuzhinë. E kuptuam se drejtimi nuk do vinte nga qielli po nga duart tona. Dhe kur them drejtimi, e kam fjalën për çdo aspekt. Nuk mund të shpresonim tek zgjidhja derisa të gjenim kuzhinier, kamerier, banakier etj., etj., por i vumë shpatullat vetë.
Natyrisht në krahun tonë ishin vazhdimisht familjet tona, që nuk na lanë për asnjë çast vetëm. Vjehrra ime ka qenë mbështetja ime kryesore, sidomos për djalin që ishte vetëm një vjeç, duke më krijuar mundësinë të punoja deri në 16 orë në ditë.

I thashë mamit të më mësonte byrekun me qumësht, kabuninë, hasuden, tavën e kosit, që deri atëhere , ca i dija e ca s`i dija se fundja si të gjitha vajzat e reja, nga universiteti drejt e në punë dhe përsa kohë mami im i qante këto gatime (si të gjitha mamat e Kavajës), s`kisha pasur nevojë t`i mësoja. Pastaj avash-avash ia mora dorën dhe fillova t`i përsos, t`i zbukuroj por pa e humbur kurrsesi shijen dhe përbërjen e origjinalit sepse ky ishte qëllimi; hapja e një restoranti me gatime tradicionale shtëpie të zonës së Kavajës.
Kurse për grupin e bylmetrave, e kisha të thjeshtë sepse familja jonë ka më shumë se njëzet vjet që menaxhon një baxho të vogël me bylmet organik, me qumështin që e merr nga fshatarët e zonës dhe nuk ka pranuar kurrë ta rrisë kapacitetin me përbërës industrialë për të shtuar fitimet. Ata prodhojnë bylmet e djathra vetëm për pak dyqane të qytetit të Kavajës dhe fatmirësisht edhe për restorantin tonë por duke na mësuar neve që t`i bëjmë në kuzhinën e Hanit.


Kavaja ka gatime të mrekullueshme disa prej të cilave nuk gjenden në asnjë qytet tjetër. Për shembull askush tjetër në Shqipëri nuk gatuan byrek me qumësht si ai që bëhet në Kavajë. Kabunia jonë me karafil e me rrush të thatë, që unë shpeshherë e pasuroj edhe me fiq ose me kanellë, është sidoqoftë e veçantë në raport me qytetet e tjera që e gatuajnë. Po kështu hasudja që e bëjmë edhe revani apo tava e kosit.

Tani që mund të themi se kemi ndërtuar klientelën tonë besnike, duam të shkojmë pak më përtej. Kemi dëshirë të angazhojmë gratë artizane të Kavajës, meqë tani kanë krijuar shqatën e tyre, që të krijojnë për ne veshje dhe punime dore tradicionale, që të krijojmë një kënd etnografik. Kështu turistët e huaj që janë shtuar shumë dy vitet e fundit, mund të adminrojnë edhe trashëgimië tonë e pse jo edhe të blejnë suvenire nga Kavaja dhe jo ato kineze nëpër dyqane.
Pyetjes tonë nëse kanë ndër mend të ndërtojnë edhe një bujtinë, për të hyrë plotësisht në lëmin e agroturzimit, Fabio i përgjigjet me “po” por vetëm nëse do arrijnë të bien dakord me banorët e zonës për “t`i lëshuar pak vend” nga ullishtat e tyre. Për momentin ata japin e marrin produktet e kopshteve të tyre, shpendët, perimet, frutat por nesër ky shkëmbim mund të zgjerohet dhe banorët gjithashtu mund të hapin dyert e tyre për turistët e të ndajnë bashkë bukurinë e kodrinave.

Një restorant me gatime të shkëlqyera tradicionale është një arsye e mjaftueshme për ta bërë klientelën shqiptare të udhëtojë edhe me dhjetëra e disa herë edhe qindra kilometra por një turist i huaj, pasi e shijon këtë kuzhinë, pyet “çfarë mund të vizitoj në zonë?”
Dhe nëse ka mbaruar së lëpiri gishtat nga gatimet e Birjanës, pasi ka shijuar edhe një kafe me panoramën më të bukur të Adriatikut që duket përtej gardheve me jaseminë të Hanit e ullinjve të kodrave të Çetës, vizitori mund të shkojë vetëm 200-300 metra më tutje për të vizituar monumentin e kultit më të veçantë në Shqipëri, Kishën e Çetës ose Kishën e Shënepremtes. është një momument kulture unikal, si e vetmja kishë romano-gotike në vendin tonë dhe ruhet aq me fanatizëm, sa është e veshtirë ta gjesh hapur nëse nuk është e diel.

Por edhe për këtë Fabio e Birjana kanë ndër mend të marrin masa sepse shumë shpejt do të bien dakord me agjencitë dhe me autoritetet fetare që kanë në menaxhim edhe kishën që për grupet e turistëve që do të vijnë tek Hani për të shijuar gatimet e tyre, do të mundësojnë edhe një vizitë në kishë dhe një guidë hiking në kodrat e bukura mbuluar me ullinj shekullorë. Dhe në një të ardhme jo të largët, të rizgjojnë edhe traditat që kjo zonë ka pasur dikur, kur i gjithë qyteti vinte të festonte Paspashkën, rreth e qark kishës e nën hijen e ullinjve.

Ja pra sesi ndodh ajo që kemi thënë shpeshherë, që mjafton një bërthamë e vogël agroturistike e hedhur diku në një tokë pjellore, që në zonën përkatëse të rritet oferta turistike dhe bashkë me të edhe numri i turistëve, që sjell me vete edhe mirëqenien e komunitetit lokal.

Kavaja një qytet me bregdet të mrekullueshëm dhe ndër më të vizituarit në të gjithë vijën bregdetare, nuk është një qytet që shquhet për fluks vizitorësh, edhe pse ka një xhami të vjetër, një kullë sahati dyqindvjeçare dhe një muze etnografik ndër më të pasurit në vend. Duhen ca Fabio e ca Birjana, që të “trazojnë ujrat”, të zgjojnë vëmendjen e drejtuesve lokalë dhe t`i bëjnë agjencitë turistike të kthejnë sytë nga ata, që të gjithë së bashku të ndërtojnë atë që po kërkojmë aq shumë; ofertën e turizmit të qëndrueshëm në ndihmë të komunitetit lokal.

 

Shiko edhe:

Birjana Skuqi, vajza që la bankën, për kuzhinën tradicionale