GRATË ÇAME, BUKURIA E PASHOQE

March 24, 2020 || views

Karakterin e moralin e lartë të shqiptares çame dhe shpirtin patriotik të tyre, studiuesit nuk e kanë veçuar për asnjë çast nga bukuria fizike e shpirtërore të saj. Për ta, bukuria e gruas çame është e pashoqe. A.Panajodis, historiani grek i shekullit XIX, i cilëson çamët të hijshëm e të paraqitshëm, “burra të bukur, me shtat të gjatë…”, (A.Panasotides, “Çështje folklorike…Çamët”, në “Dedona”, Kalendar i ilustruar Epirot, Viti I, 1896, Athinë, 1895, f.75).
Edhe kryekonsulli frëng në Janinë, Pukëvili, i ndodhur mes çamëve të Filatit, u befasua nga bukuria e femrave çame. Ai do t’i vlerësonte këto si “femrat më të bukura të Greqisë”, (Pouqueville, Voyage…, vep.e përm., Vëll.I, kap.29).
Një autor tjetër, Bartholdy, në veprën e vet “Udhëtimi im në Greqi” në shënimet e tij, bukuria e gruas shqiptare zë një vend të rëndësishëm. “Në Athinë, shkruan ai, edhe pse nën një qiell mjaft të pastër, femrat kanë qenë më pak të bukura, në krahasim me të tjerat… por nuk mund të thuhet kështu për shqiptaret e bukura, që banojnë në qytetin e Artës, sepse ato janë një racë krejt tjetër”, (Bartholdy, vep.e përm., f.97).
Kur bëhet fjalë për vlerësimet e autorëve të huaj rreth bukurisë së femrës shqiptare në Shqipërinë e Poshtme, nuk duhen lënë pa përmendur edhe konstatimet dhe vlerësimet e kronistit anglez, Çajrel. Ai vuri re tek shqiptarët e asaj krahine një bukuri të veçantë si tek burrat, ashtu edhe tek gratë. Ai në veprën e tij shkruan se suliotët, megjithëse u shpërndanë andej-këndej, në të katër anët e mbretërisë helenike dhe krijuan lidhje martesore të përziera me një racë tjetër, dhe kjo dukej e rrallë, prapëseprapë ata e ruajtën bukurinë e përsosur të shqiptarit dhe si burrat edhe gratë, kudo që ndodhen, janë pasues të denjë të gjyshërve të tyre: “Burra të gjatë dhe fizik të fortë, me fytyrë burrërore, mjekër leshatore, flokë të gjata, të lëshuara, zbukurojnë tiparet e tyre…”, (Bartholdy, po aty).

 

Burimi: www.cameriaime.com