FUQIA E KUJTESËS SË USHQIMIT, MES PASIONIT DHE NOSTALGJISË – Udhëtimi i Shqipërisë në “Terra Madre Salone del Gusto”, 2022

October 1, 2022 || views

Jonida Shano *

Gjithçka ndryshon me ndryshimin e epokave, zakoneve, mendimeve, madje edhe shijet për ushqimin.

Çdo gjë ka kohën e vet.

 

Patjetër, derisa atje, nëpër rrugë, mes njerëzve, nëpër sheshe, nëpër shtëpi, në qytete, në botë, u përhap aroma e atyre recetave të lashta, të gatuara ngadalë, pa nxitim. U përhap edhe aroma e grurit të sapobluar, bukës së gatuar në furrë druri, e djathit “Mishavinë” nga Kelmendi, domateve dhe hideve në vaj, “Osave” të Gjirokastrës të gatuara me mishin e thatë nga Malësia e Madhe.

 

Dhe ja tek u zgjua menjëherë ajo lidhje e pazgjidhshme mes ushqimit dhe kujtesës, e aftë për të ngjallur kujtime të një epoke të shkuar dhe që na shoqëron gjatë gjithë jetës, si ëmbëlsirat tona të preferuara kur ishim fëmijë, eksperimentet tona të para në kuzhinë, drekat e bëra nga gjyshja, receta familjare që kalojnë brez pas brezi, ai ushqim i veçantë që prej vitesh ka shënuar momentet tona të lumtura.

 

Ndaj është e natyrshme të mos habitemi përse stenda e Shqipërisë në “Terra Madre Salone del Gusto” 2022 ishte më e dyndyra me njerëz nga mëngjesi herët deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ishte një pjesëmarrje madhështore që erdhi si rezultat i sinergjive pozitive nëpërmjet Ministris së  Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim (AICS Tirana), VIS Albania, DeP Dora e Pajtimit, anëtarët e Slow Food Albania nga Veriu në jug, si dhe Aleancës së Slow Food e shefave të kuzhinës në Shqipëri me përfqësuses Mrizi i Zanave, Luga e Argjendtë dhe Naim Bashmili.


Shqipëria u prezantua në Torino me një triumf shijesh, aromash dhe ngjyrash, në harmoni të përsosur me konceptet shtytëse të Slow Food: pastër, mirë dhe drejtë.

Skenari i një stende druri tërësisht ekologjike, i zbukuruar nga prania e mullirit të gurit të prodhuar në mënyrë artizanale nga dy të rinj nga Tale në krahinën e Shëngjinit.

Një ide e realizuar brenda 24 orëve nga Altin Prenga i Mrizi i Zanave, Besmir Rrjolli i DeP Dora e Pajtimit, shefi i kuzhinës Arbër Kukaj dhe vullnetarë shqiptarë me banim në Itali.


Këtë vit Terra Madre Salone del Gusto iu kushtua RIGJENERIMIT dhe komuniteti Slow Food Albania, i mbështetur për herë të parë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krijoi një zinxhir ushqimor kushtuar grurit, kësaj kulture bujqësore themelore dhe të rëndësishme për jetën tonë.


Një stendë e furnizuar me energji elektrike nëpërmjet paneleve diellore dhe që donte të demostronte kuzhinat e nje kohe te shkuar por aktuale ne shume zona te Shqiperise, ku gatuhej me furra dhe soba druri dhe ku, shume shefa kuzhine nga vende të tjera te botes, përgatitën recetat e tyre.

Aty ku fuqia e kujtesës së ushqimit, mes pasionit dhe nostalgjisë, bëri që kuzhinierë shqiptarë, të cilët kanë emigruar në Itali prej më shumë se 20 vitesh, erdhën për të bashkëpunuar në stendën e Shqipërisë në Terra Madre Salone del Gusto 2022.


Shefa kuzhine të cilet se bashku me kuzhinierët e Aleancës, kanë bërë të pamundurën për të promovuar punën e vazhdueshme të kryer nga Komuniteti i Slow Food. Te cilet me një vokacion inteligjent inovativ, por gjithmone duke respektuar traditën, kanë mundur të transformojnë cilësinë e jashtëzakonshme të brumit, lendeve te para dhe specialiteteve agroushqimore shqiptare, në bizhuteri gastronomike.


Shefa te kuzhinës të cilet duke përzier me mjeshtëri produktet tipike të zinxhirit Slow Food nga Veriu deri në Jug, ju ofruan vizitorëve gatime të shkëlqyera të kuzhinës tradicionale që në Shqipëri është një realitet i së tashmes.


Përfundoi kështu rrugëtimi i Shqipërisë në edicionin e 14-të të Terra Madre Salone del Gusto 2022, i cili përfaqësoi një moment takimi midis ekspozuesve dhe vizitorëve të pasionuar dhe të magjepsur nga historitë, produktet dhe territoret.


Një emocion unik që tregoi edhe një herë se sa energji dhe sa pasion sjell rrjeti Slow Food, por mbi të gjitha, tregoi një Shqipëri të mrekullueshme që më në fund ecën në unison, duke lartësuar pasuritë e saj mjedisore, natyrore, peizazhore, identiteti dhe agro-ushqimore.

 


Duke u fokusuar te njeriu si punëtor i tokës, ruajtes se traditës, mjeshtërise se duarve dhe e mendjes së tij, simbol i qëndrueshmërisë dhe elasticitetit, shtylla e ekonomisë sonë.

* Eksperte komunikimi. e dërguara e Travel the Balkans Magazine në “Terra Madre – Salone del Gusto”