Fshatrat turistikë në Fier, larg pritshmërive të komuniteteve lokale
November 6, 2022 || views
Në listën e 100 fshatrave të përzgjedhur nga qeveria shqiptare për zhvillimin e turizmit, bëjnë pjesë edhe disa fshatra të përzgjedhur në qarkun e Fierit.
Kjo pёr vlerat kulturore, historike dhe mjedisore që ato ruajnë e përcjellin tek turistët e vizitorët. Në këtë qark, pjesë e projektit janë fshatrat Pojan, Libofshë, Cakran Siqecë, Luar, Ardenicë, Krutje, Goricaj dhe Hekal. Secili prej tyre mbart vlera të veçanta. Porta Vendore, përzgjodhi të vëzhgojë 3 prej këtyre fshatrave në bashkinë Fier dhe Roskovec, përkatësisht Pojanin, Libofshën dhe Luarin nga 9 të tilla që ka qarku i Fierit në 6 bashkitë e tij.
Pojan
7 km në perëndim të qytetit të Fierit, teksa shërben si porta hyrëse në Apolloni, fshati Pojan është një fshat i qetë dhe i njohur në Fushën e Myzeqesë, që ka fatin të shtrihet krenar rrëzë qytetit antik të Apollonisë. Nё hyrje tё fshatit, tabelat informuese mbi destinacionin turistik janë të pranishme, dhe në një farë mënyre janë elementi më i spikatur i asaj që ka ndryshuar ndër vite, pasi janë shtuar. Por më pas me keqardhje konstatojmë se vetë fshati në qendrën e tij,por edhe në jetën e përditshme, ka ndryshuar shumë pak.
Teksa hyjmë në Pojan, ndjekim rrugën kryesore deri në qendër të fshatit. Qetësia na shoqëron. dhe, rrugët janë të zbrazëta. Në qendër të fshatit ndalojmë të marrim një kafe dhe shohim se jemi klientët e vetëm. I trishtuar kamerieri thotë se kanë ikur të gjithë të rinjtë. Nuk i pëlqen të dalë në media, por ka dëshirë të flasë. “Edhe unë po munda do ik”, thotë ai “këtu nuk ke ç’bën”. Ai na rrëfen se ka dijeni që fshati i tij bën pjesë në listën e 100 fshatrave turistikë.
“Propaganda në fillim ishte e madhe dhe njerëzit shpresuan se nga projektet në letër diçka do dalë, po realiteti është ndryshe. Shihni dhe vetë. Turistike u duket qendra?,-duke bërë me dorë nga sheshi i qendrës që ndodhet aty pranë dhe që në fakt duket i pasistemuar. “Sa për turistë ata ngjiten drejt e në parkun arkeologjik”, vijon i riu. Nga sa mësuam në fshat nuk ka bujtina apo shtëpi që presin vizitorë.
Kurse Agroni, i cili është 63 vjeç, ka lindur në këtë fshat dhe tregon se s’ka lëvizur asnjëherë, pasi i pëlqen shumë Pojani.
“Pasi çdo gjë kaloi në kapitalizëm më shumë e gjeta veten tek blegtoria, sepse kjo të mban gjallë sot. Fëmijët kanë ikur në Gjermani, por unë nuk e tradhtoj vendin sepse kam kënaqësinë e vendlindjes. Apollonia është një perlë dhe unë jam shumë krenar që jetoj këtu. Por ama kemi nevojë shumë për ndihmë shteti, investime dhe subvencionime”, thotë ai për Portën Vendore, ndërsa rrëfen se ai ka punësuar edhe dy familje të tjera të fshatit, por përsëri shumica e familjeve e kanë të vështirë mbijetesën sepse s’ka punë.
Shtëpitë janë thuajse të braktisura, nga 500 shtëpi dikur, tanimë ato janë shumë të pakta, ndërsa ata pak banorë që vijnë në kafen e fshatit, na rrëfejnë se shumica e tyre kanë humbur besimin.
“Shteti e ka pasur larg vëmendjes bujqësinë e blegtorinë, ndaj është braktisur fshati. Këtu s’ka asnjë aktivitet, mund të jenë maksimumi 5 shtëpi që kanë lopë. Shteti duhet të kthejë vëmendjen tek fermat, tek mikrofermat, tek fshati”, shprehet një i moshuar teksa pi kafen në lokal.
Por ky fshat përshkohet nga turistë të ndryshëm që vizitojnë Apolloninë, por ama në fshat nuk ndalon asnjë, dhe banorët shprehen se jetojnë vetëm me lekët e emigracionit. “27 vite më parë kam shkuar në Greqi, por tani jam kthyer në vendlindje dhe jam i lumtur. Kudo që të shkosh, ngado që të vesh atdheu mbetet atdhe “, thotë një banor që e takojmë tek kafja e fshatit.
Në fshat takojmë edhe një artizane, e cila qëndis për vajzat e zonës dhe përpiqet që të tregtojë diçka në objektet e trashëgimisë kulturore. Si të paktët njerëz, Mejremja nuk pranon të largohet nga ky fshat, përveçse kur ikën të vizitojë të afërmit e saj në Greqi.
“Unë jam bijë nga Tepelena, por jam martuar në Pojan. Punoj prej vitesh në punë dore. I bëj me grep, me shtiza etj. Dhe modelet i krijoj vetë. Treg shitje ka, por nëse do të kishim turistë, fitimet do të ishin më të mëdha natyrisht”, tha ajo për Portën Vendore, duke theksuar se në fshat ka shumë gra që merren me punën e dorës, mbase edhe si të vetmen mënyrë jetese për t’ia dalë mbanë.
Largohemi nga qendra, dhe vijojmë rrugën në drejtim të qytetit antik të Apollonisë. Rrugës në të dalë të fshatit, ndeshim rrënojat e para të qytetërimit antik. Më sipër ndalojmë në parkimin e automjeteve. Na bie në sy se aty ka vizitorë e turistë, por që duket se ndalesën e bëjnë drejt e në hyrje të parkut. Ka të parkuar edhe furgona tip kamper. Në një vend të dallueshëm duket harta e qytetit antik dhe tabela me tarifat e pagesës për hyrjen në park. Çmimet na duken paksa të larta për vizitorët vendas, pasi për një person të rritur bileta shkon në 600 lekë të reja. Ky park është mjaft i famshëm, teksa pret çdo ditë qindra vizitorë dhe duhet të ishte burim të ardhurash edhe për banorët e Pojanit, por duket krejt i ndarë nga realiteti i tyre i përditshëm.
Në dalje takojmë disa turistë, të cilët shfaqen të befasuar nga parku arkeologjik. I pyesim nëse ndaluan në fshat dhe thonë se jo. “Nuk kish diçka për të parë”, thotë Anete, ndërsa një tjetër vizitore, e cila ka ardhur nga Serbia, shprehet se këtu ka pak shërbime. Ajo na rrëfen që ka ardhur nga plazhi për të vizituar qytetin antik.
Manastiri i ‘’Shën Mërisë’’ ka një ndërthurje shumë të bukur të turistëve qё e vizitojnë, ata vijnë nga Lindja e Largët, nga Lindja e Mesme, nga Europa. Manastiri është një objekt i rëndësishëm jo vetëm për besimtarët orthodokse, por ai shquhet për arkitekturën e veçantë , e cila daton para shekullit të XII. Po ashtu në brendësi të tij ruhen afreske të rralla si dhe janë të vendosura relike dhe skulptura të qytetit të lashtë.
Apollonia është një resurs i madh i turizmit kulturor, por deri tani ajo ka ndikuar shumë pak në përmirësimin e jetës së banorëve, ç’ka bën që projekti i 100 fshatrave këtu të duket i dështuar.
Libofshë
Në vëzhgimin tonë të fshatrave turistikë ndalojmë edhe në Libofshë, një fshat i vjetër, dikur plot intelektualë e njerëz të shquar. Në hyrje të fshatit mungon tabela që tregon se ku ndodhesh. Libofsha është edhe qendër e njësisë administrative me të njëjtin emër. Ajo shtrihet në anën perëndimore të Kodrave të Ardenicës, e vendosur në fushë. Nga këtu mund të vizitosh disa site turistike si: Kishën e Shën Gjergjit, Manastiri i Ardenicёs, fshatra të tjerë të zonës, madje mund të shkosh edhe në bregun e lumit Seman, apo të udhëtosh deri në bregdet.
Libofsha e Fierit është fshati i rrallë në të gjithë vendin, në të cilin ndodhen 15 kisha. Katёr kisha mbajnё statusin e monumentit të kulturës, kategoria e parë. Vizitorët e vetëm janë banorët të cilët kryejnë ritet fetare në këto kulte, ndërsa të tjerët janë të rrallë. Kisha e Shën Kollit është një nga kishat më të veçanta të zonës, për vetë afresket që ajo mbart, e vogël, e ndërtuar në vitin 1777 nga vetë banorët e Libofshës. Arkitekturë të veçantë, tipike të kishave myzeqare të shekullit XVII-XVIII dhe me afreske mahnitëse të vëllezërve grabovarë Cetiri. Ngjyrat e forta të Cetirëve, figurat biblike të ruajtura mrekullisht në afresket e kishës, e bëjnë Shën Kollin një nga kishat e rralla të Myzeqesë së Fierit, që fatkeqësisht shumë pak njihet dhe vizitohet.
Kisha e Shën Gjergjit, 245-vjeçare është një tjetër objekt i lakmueshëm nga kineastët, historianët etj. Filmi 14 vjeç dhëndër është një nga filmat që është luajtur në këtë kult fetar. Shpesh emigrantët e zonës kanë kontribuar financiarisht në mënyrë vullnetare për restaurime të vogla.
Shën Kozmai dhe Shën Maria janë dy kisha të tjera me statusin monument kulture, që janë në një pozicion favorizues në zonë. Me një histori të lakmueshme njerëzore, që fillojnë me emrin e Ali Pashë Tepelenës, ai që bëri të mundur ndërtimin e saj në vitet 1814-1815, deri tek përpjekjet shekullore të vendasve për përhapjen e gjuhës shqipe në konaket e Manastirit. Në një pozicion dominues të zonës, kishat e Libofshës kanë një komunikim gati hyjnor hierarkik midis njëra tjetrës. Në krye të tyre mbizotëron Manastiri i Ardenicës, i njohur ndryshe monarku shpirtëror i Myzeqesë.
Por gjatë shëtitjes tonë në fshat, bie në sy mungesa e sistemimit të rrugëve të brendshme, në shumë raste të pashtruara, po ashtu edhe kanalet kulluese duken të mbuluara nga ferra edhe pse kalojnë përmes fshatit përgjatë rrugës kryesore. Të përmendësh fjalën turizëm këtu, të paktën nga ana praktike duket diçka paradoksale. Afrohemi në qendër aty ku janë vendosur disa shërbime dhe ku ndodhet edhe vetë njësia administrative.
Agimi, i cili është banor i zonës, ka ardhur pranë Njësisë Administrative të paguajë taksat e tokës, të cilën siç thotë ai ende nuk e ka të legalizuar me dokumente. Ky është edhe një shqetësim që ai ngre. E pyesim për investime në kuadër të projektin e 100 fshatrave dhe thotë se këtu nuk ka gjë të organizuar.“Edhe bregdeti i zonës është një vend ku të vjen turp të shkosh me miq e shokë për shkak se është i mbuluar nga mbetjet”, tha ai për Portën Vendore.
Pas interesimit tonë, një punonjës i NJA Libofshë thotë se shkak për mungesën e investimeve është mungesa e fondeve dhe se ato nuk mjaftojnë për të menaxhuar një territor kaq të gjerë, që mbulon kjo njësi administrative. Dalim jashtë dhe shohim se edhe këtu kanë mbetur pak të rinj ndërsa të moshuarit luajnë domino në sheshin e qendrës. Për momentin e vetmja gjë interesante është restaurimi i rrjetit të ujësjellësit që pritet të zgjidhë problemin e ujit të pijshëm.
Stacioni i trenit, dikur një krenari për fshatin pasi ishte një portë dhe urë lidhëse, tani ka mbetur si një relike historike.
Pyesim në rrugë nëse në fshat vijnë turistë apo ka ndonjë bujtinë, por na thonë se të vetmit turistë jemi ne që po pyesim dhe se në fshat nuk ka bujtina për këtë qëllim. E si në shumë fshatra të tjerë, projekti i 100 fshatrave turistikë, pjesë e të cilit është edhe Libofsha duket se nuk ka mbërritur ende edhe këtu, dhe në këto kushte është e vështirë të bësh krahasime të tipit, para dhe pas.
Luar
Stacioni ynë ifundit është në Luar të Roskovecit. Një fshat me histori e traditë, pjesë e Bashkisë Roskovec. Një tabelë në rrugën nacionale na njofton për rrugën që të çon ne fshat. Fatmirësisht rruga është e re dhe në gjendje të mirë, e ndërtuar në kuadër të 100 fshatrave turistik nga FSHZH me një fond prej 79 milion lekë. Ajo gjarpëron ëmbël në kodrat e buta të mbushura plot ullinj e vreshta. Pamja është mahnitëse.
Luari është një fshat i madh dhe i shtrirë. Kudo natyra është treguar bujare, ndërsa njerëzit punëtorë të zonës kanë bërë pjesën e tyre. Shtëpitëtradicionale por edhe ndërtimet e reja janë në harmoni me natyrën. Ajo që na bën përshtypje edhe këtu është qetësia që dominon dhe lëvizjet e pakta të njerëzve. Në një fshat si ky, projekti i 100 fshatrave nuk ka nevojë për shumë investime, por edhe në këto raste promovimi është një detyrë që duhet kryer për njohjen e këtyre zonave nga turistët e vizitorët. E kemi të vështirë të gjejmë njerëz për të pyetur pasi edhe këtu emigracioni ka bërë punën e vet. Të rinjtë janë larguar, pasi gjërat në Luar, ashtu si në shumë zona rurale të Shqipërisë lëvizin ngadalë dhe jeta nuk pret.
Fshati ka peisazh të bukur. Në afërsi të qendrës një njësi shërbimi bashkëkohore shërben si tavernë për vizitorët, për banorët por edhe gëzimet e tyre familjare. Ndërkohë, në katin e poshtëm të saj ka edhe disa njësi shërbimi për materiale ndërtimi, ushqime dhe shërbime për telefonat celularë.
Në një bisedë të shkurtër me përgjegjësin e lokalit mësojmë se banorët janë në dijeni për projektin e 100 fshatrave turistikë, por deri tani nuk kanë parë diçka konkrete në këtë drejtim. “Bashkia Roskovec na promovon në aktivitetet që bën, por deri këtu. Në fshat nuk ka ende një bujtinë apo hotel. Këtu duam të krijojmë diçka, por kemi vonesa me legalizimin e ndërtesës dhe kërkesa jonë ka ngelur në pritje. Kjo na bën të mendojmë se jemi larg objektivave për të patur një agroturizëm të zhvilluar edhe në ato zona ku resurset nuk mungojnë”, thotë një banor i këtij fshati për Portën Vendore. Megjithatë kur vjen puna tek investime që pritet të kryhen në kuadër të programit të 100 fshatrave turistik, banorët ndahen në pro e kundra.
“Ky projekt do t’i shërbejë turizmit, e të gjitha tregjeve bujqësore. Duhet të jemi shumë të kënaqur pasi nuk na kanë gjykuar asnjëherë si të majtë e të djathtë. Është një mrekulli për ne, për të gjithë fshatarët e zonës sonë. Dhe themi se në bazë të këtij projekti do të rrisim pak edhe nivelin ekonomik”, tha një banor i zonës, ndërsa thekson se rruga e ndërtuar së bashku me parkun Agro-turistik, që pritet të ndërtohet, do të mundësojë promovimin e produkteve të zonës, si edhe shitjen e tyre në treg.
Investimi i parkut dhe rrugës është i vetmi projekt që Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bёrё nё këtë fshat turistik.
Kjo ndërhyrje ka bërë rikonstruksionin e rrugës Vidhish-Luar, rikonstruksionin e rrugës Shkolla – Pylli i Luarit. Pjesë e projektit është ndërtimi i parkut Agro-turistik ( investim i Bashkisë Roskovec në bashkëpunim me donatorë dhe institucionet financuese shtetërore) me sheshe për aktivitete tregtare, sociale dhe ndërtimi i pedonaleve. Parku do të mundësojë zhvillimin e bizneseve lokale me produkte të zonës, nxitjen e turizmit dhe agro-turizmit dhe përmirësimin e kushteve të qëndrimit dhe pushimit për qytetarët dhe vizitorët.
Pranë Luarit ndodhet edhe ujëvara me të njëjtin emër, por përveç një tabele në rrugën nacionale, brenda në fshat dhe gjatë rrugës mungojnë tabelat informuese për rrugën apo shtegun që të çon aty.
E mbyllim këtë udhëtim me ngjyra të ndryshme, por me konkluzion të njëjtë përsa i përket zhvillimittë fshatrave turistike në Qarkun e Fierit. Dëshirat janë të mëdha, por ato rrallëherë bëhen realitet.
Në lidhje me temën e trajtuar, kemi dërguar edhe kërkesëpër informacion më të detajuar pranë bashkive Fier dhe Roskovec,por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pati përgjigje mbi nismat dhe projektet e zhvilluara për nxitjen dhe zhvillim e turizmit në këto fshatra.
Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit tha për Portën Vendore se përveç ndërhyrjes së rrugës dhe ndërtimit të parkut Agro-turistik në Luar të Bashkisë Roskovec, janë në proces tenderimi edhe dy fshatra të tjerë nga 9 të tillë në total, si Pojani për “përmirësimin e potencialit turistik në ndërhyrjet që do t’i nënshtrohet Parku Arkeologjik i Apollonisë me një vlerë prej 135 milionë lekësh”dhe fshati Hekal në Mallakastër, për “ndërtimin e rrugës Levan- Tepelenë deri në fshatin Hekal (Parku Arkeologjik Bylis) me një vlerë prej 555 milionë lekësh”.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila është përgjegjëse për vendosjen e sinjalistikës turistike në destinacionet e agroturizmit, në programin e 100 fshatrave turistikë, nuk jep informacion lidhur me këtë proces, megjithëse në bazë të dokumentit të përpiluar për strategjinë kombëtare për turizmin 2019-2023, duhej që ky proces së paku të kishte përfunduar gjatë viteve 2019-2020.