FOTO/ Shqipëria zgjon interesin e vizitorëve në panairin e Turizmit në Helsinki

August 6, 2019 || views

FOTO/ Shqipëria zgjon interesin e vizitorëve në panairin e Turizmit në Helsinki

Nga Klotilda Saraçini 

TIRANË, 21 janar/ATSH/ – Në panairin e përvitshëm ndërkombëtar të Turizmit në Helsinki, më i madhi në këtë fushë në Skandinavi, ndër të 80 vendet pjesëmarrëse, sivjet ishte dhe Shqipëria me një stendë dinjitoze.
Ky ishte rezultat i bisedimeve dhe përpjekjeve më se 2-vjeçare të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Konsulles së Përgjithshme të Nderit të Shqipërisë në Finlandë, Liliana Verdha, me drejtuesit e këtij panairi të rëndësishëm ndërkombëtar.

Në “Matka 2019” nga data 17-20 janar përveç 3 përfaqësuesve të Bordit Kombëtar të Turizmit të Shqipërisë, ishin edhe 7 firma të tjera turistike me mbi 13 vetë gjithsej, të cilët patën dhe mbështetjen e shqiptarëve me banim në Finlandë.
Interesi i vizitorëve të Panairit për Shqipërinë ishte mjaft i madh, aq sa edhe materialet e shtypura mbaruan në 2-3 ditë.
Në Panair Shqipëria u prezantua edhe nga kompania finlandeze e udhëtimeve turistike “Apollo”, si dhe nga kompania immobiliare finlandeze “Habitare” dhe ajo finlandeze-shqiptare “TripAID Albania”.
Gjatë të katër ditëve të panairit në stendën shqiptare qëndroi edhe Konsullja e Shqipërisë, Lili Verdha, e cila ndihmoi në organizimin e takimeve me biznese finlandeze, si edhe me mjaft gazetarë finlandezë e të huaj që kanë shkruar dhe do të shkruajnë për Shqipërinë. /k.s/ /a.g/