Farma Sotira, një parajsë në zemër të natyrës

September 1, 2019 || views

Nga Flora Xhemani Baba

UDHËTIM I PAHARRUAR DREJT GËRMENJ-SHELEGURIT, ERSEKË SHQIPËRI

Nuk e kishit dëgjuar ndonjëherë këtë emër?

Ky itinerar që ne do përshkojmë, mendojmë se meriton vëmendjen tuaj, jo vetëm sepse ka një larmi të mrekullueshme relievi, bimësie e bukurish natyrore, por edhe sepse mu në zemër të kësaj zone ka lulëzuar një oaz argëtimi që do të plotësonte më së miri, të gjitha kërkesat e dëshirat e çdokujt që është i dashuruar me natyrën dhe me sportet e saj, kalërimin, peshkimin, piknikët, ecjet, ngjitjet në mal, skitë  në kohën e dimrit e notin në stinën e verës.

 

 

Po ju flasim për  Sotirën, një vend i vogël e shumë i bukur,  në rrethin e Ersekës, 25 km drejt rrugës për në Leskovik.

Zona ndodhet në zemër të rezervatit natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ju ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit.

Në këtë Eden ju pret Jona dhe Toni, të zotët e fermës, që janë shkrirë me natyrën e me banorët e tjerë të fermës deri në atë pikë, sa të duket sikur kanë qenë këtu përgjithmonë. Në fakt kanë vetëm disa vjet, qyshse vendosën të lënë emigrimin e t’i kushtohen natyrës.

Ne tashmë e dimë historinë e këtij vendi, e cila ndoshta ngjet me shumë të tjera të njerëzve të zakonshëm, të cilët një ditë të bukur, vendosin ta bëjnë natyrën më prodhuese, sigurisht në shërbim të vetes, të familjes, e të njerëzve të tjerë.

Jona tregon se kur erdhën në fillim në Sotirë, i gjithë vendi ku sot ndodhet ferma, ishte i mbuluar, me shkurre, ferra dhe hedhurina që kur i shihje të gjitha bashkë të krijonin një ndjenjë shkretimi. Bashkë me Tonin, punonin ditëve të gjata, për të pastruar vendin ku me mendjen e tyre kishin ndërtuar fermën e ardhshme. Ishte një punë e lodhshme me  stërmundime  e, shpesh edhe me mërzitje për peshën e rëndë të gjërave që duheshin hequr e pastruar, për shkak se duhej gjetur edhe vendi ku do të hidheshin, me qëllim që natyra të mos prishej. Dhe pasi mbaruan gjithçka e hapësira u pastrua, mbetej të hidhnin copat e ëndrrës.

“Fillimisht hapëm një rezervat trofte”, tregon Jona. “Kjo ndodhi pasi u kthyem nga Greqia. Pastaj Toni bleu dy kuaj, që janë edhe pasioni i tij më i madh dhe me ta bënte shëtitje të gjata nëpër luginë.  Më vonë bleu disa lopë, të cilat i shtoi gradualisht, duke e zgjeruar tufën. Pastaj bleu ca dele. Kështu dalëngadalë, kafshët sikur kërkonin njëra-tjetrën dhe erdhën me radhë kecat, dhitë, lepujt, pulat, derrat… Ndërkohë taverna e peshkut që kishim hapur, po ecte mirë. Njerëzit vinin, kënaqeshin duke kapur peshqit vetë në rezervat. Kemi të dy një të metë të madhe; na vjen keq kur duhet të nxjerrim peshqit jashtë, t’i shohim të ngordhin se duhet t’i gatuajmë, apo kur therim qengjat apo kecat për klientët. Por s’ke c’i bën. Të mirat e natyrës  janë bërë që t’i gëzojë njeriu.

 

 

 

Kur klientët porositin ushqimin që duan të hanë, përgjithësisht nuk presin kurrë ulur në tavolinë. Ata ngrihen e shëtisin nëpër lëndinë. Shikojnë peshqit, shkojnë nga përroi, përkëdhelin kuajt që kullosin matanë, ose kur është stina, shkojnë mbledhin një dorë lajthi në pyll. Ja ku është pylli” – tregon ajo me dorë pemët e lajthive nja njëzet metra më përtej. – “Shpesh vonohen dhe ne dërgojmë djemtë t’u thërrasin kur porosia është gati.

Pesiazhi përballë fermës është i mrekullueshëm. Në fund të lëndinës, kuajt kullotnin të qetë pas shëtitjes së gjatë që u kishin bërë turistëve të radhës.

Me kërkesë të madhe të njerëzve ndërtuam  ato tre vilat e drurit. Sepse kur vinin vizitorët, sidomos të huajt, na e kërkonin me ngulm. –  Pse të mos ketë edhe për të fjetur, – thoshin. –  Këtu është kaq bukur. Njeriu nuk mund të kënaqet thjesht me një drekë dhe aq. Duam të eksplorojmë mirë gjithë këto gjëra të bukura që shohim.

 

   

 

 

Duket e çuditshme që një çift të rinjsh, në vend që të shijonin jetën e zhurmshme të qyteteve, kishin zgjedhur të merreshin me lopë e me kuaj. “Në fillim, unë mërzitesha”, – tregon Jona – “por pastaj u mësova. Kur shkëputeshim ndonjë ditë, më dukej sikur kisha lënë fëmijët vetëm e jo sikur bëhej fjalë për kafshë. Tani që kemi Florin, më duket vendi më i dashur në botë”. Pastaj, s’kemi pse të mërzitemi për mungesën e qytetërimit. Këtu vijnë aq shumë njerëz, e thonë aq fjalë të mira saqë ne nuk pendohemi kurrë që kemi zgjedhur kështu.

Vajza e vogël vinte vërdallë nëpër lëndinë, ndiqte një nga qentë e fermës, e i fliste së ëmës, që ta ndihmonte të kapte qenin.

Po fundja, kishin të drejtë. Çdo pamje e çdo detaj, plotësonte panoramën perfekte të vendpushimit ideal pranë natyrës. Një ditë e kaluar këtu, ishte një kënaqësi e vërtetë. Po shumë ditë të tilla?

 

 

Deshëm t’ju hiqnim një kureshtje të fundit për emrin e fermës. Një togfjalësh i çuditshëm që nuk i përgjigjet shumë shqipes, ka pagëzuar  fermën, me emrin e zonës (Sotirë) dhe me ndjashtimin “Farm” me të cilin e thërrasin natyrshëm të huajt kur vijnë këtu. Dhe kështu, “Ferma” për lehtësi shqiptimi dhe për respekt të të huajve të shumtë që e vizitojnë, u kthye në Farm-a,  e, Sotira është përcaktuesi gjeografik që shton më shumë melodicitetin e saj. Kështu vjen edhe më e bukur kur shqiptohet me plot gojën në të dyja gjuhët: Welcome, apo mirësevini në Farma Sotira…