“Expo Turizëm 365” më shumë se 100 subjekte dhe rreth 30 “hosted byers” miq për tri ditë në Expocity Albania

April 10, 2023 || views

Java që sapo u mbyll i takoi e gjitha turizmit në Shqipëri. Një javë që nisi me Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “FESTA” i cili u mbajt nga data 3 deri në 5 Prill dhe vazhdoi deri në mbyllje me edicionin e 5-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Expo Turizëm 2023” organizuar nga Expocity Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkinë Tiranë.

 

Ishte një javë dinamike, plot me ngjarje e të ftuar të rëndësishëm, që tek FESTA, përbëhej nga emra si Zurab Pololikashvili, presidenti i Organizatës Botërore të Turizmit dhe në panairin “Expo Turizëm 2023”, nga agjenci të njohura evropiane e pjesëmarrës si Armenia, që vinin për herë të parë në këtë edicion, si shtet nderi apo edhe Bashkia e Tiranës, si bashki nderi, duke krijuar një formë të re bashkëpunimi në Panairin e Turizmit në Shqipëri.

 

default

Nën moton “Shqipëria si destinacion turistik gjatë 365 ditëve” dhe me të ftuar e pjesëmarrës nga shtete si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Armenia, Greqia, Turqia, Anglia, Polonia, Austria, Gjermania, Norvegjia, Holanda dhe Bullgaria “Expo Turizëm 365” me më shumë se 100 subjekte ekspozuese dhe rreth 30 tur operatorë të huaj si “hosted byers”, blerës të Shqipërisë dhe rajonit si destinacion, u kthye në një platformë unike komunikimi për sektorin e turizmit, me në fokus shkëmbimin e informacionit të vlefshëm për të ardhmen e sektorit dhe krijimin e mundësive të shkëlqyera në funksion të promovimit të Shqipërisë.

Tri ditët e panairit ishin një maratonë dinamike me takime, forume, panele profesionistësh e grupesh të interesit, bisedash e takimesh, konkursesh të shkollave profesionale e universiteteve, që sollën risi e ide mjaft interesante, që përmes projekteve dhe start up-eve, mund të kthehen në produkte potenciale për tregun shqiptar.

Elementë kulturorë e tradicionalë si Xhubleta shqiptare, e sapofutur në UNESCO, sjellë nga Familja Toptani e Kalaja e Tiranës, apo Muzeu lëvizës “Tradita”, zbukuruan panairin për të tria ditët. Risi të tjera, si autobusi panoramik i Regina City Tour apo shfaqjet me kuaj, ishin gjithashtu një dekor i këndshëm në mjediset e jashtme të Expocity.

 

Risia e këtij panairi ishte pa asnjë dyshim grupi i rreth 30 operatorëve të huaj, që patën mundësi të shkëmbenin kërkesat e tyre me ofertuesit shqiptarë, përmes takimeve dyditore, përmbyllur me një “FamTour” në njohje të Shqipërisë, çka e çon natyrën e këtij panairi në një B2B ballkanik me shumë interes në të ardhmen.

Edhe pse i organizuar mjaft mirë nga stafi i Expocity Albania, me probleme teknike të kuptueshme për evente të këtij lloji dhe vendeve me ekononomi informale si Shqipëria, panairi, që tashmë ka hyrë të përvjetorin e tij të parë jubile, duke festuar 5-vjetorin, vazhdon të çalojë nga një problematikë, e cila më shumë se çështje aftësish organizative, është mungesë vullnetesh të eksponentëve të ndryshëm të sektorit publik dhe privat në Shqipëri.

Shqipëria, me gjithë potencialin e madh turistik si një vend kyç në Ballkanin Perëndimor, e cila mund të zhvillojë një ofertë interesante dhe ta shfrytëzojë mirë efektin e misterit me të cilin vazhdojnë ta mbajnë të mbështjellë mediat e huaja, nuk po e bën dot një panair turizmi të përmasave ndërkombëtare, që të tërheqë vëmendjen për pjesëmarrje të shteteve ballkanike, të cilat nuk duhet ta diskutojnë prezencën e tyre në Tiranë e jo vetëm për shqiptarët si një vizitor i rëndësishëm në vendet respektive por edhe si blerës të një destinacioni konkurues për shtetasit e tyre.

 

Mbajtja e forumit jashtë mjediseve të panairit, duke mos e shkrirë me panelet apo eventet brenda Expocity-t, tregon se shteti nuk e ka dëshirën ta forcojë këtë panair apo edhe përpjekje të tjera që bëhen nga sektori privat apo t`i ndajë meritat e madhështisë me sektorin, duke fuqizuar ofertën në arenën ndërkombëtare, edhe pse duhet pranuar se rezultati është më i rëndësishëm se burimi nga vjen përpjekja, nga forumet shtetërore apo ato private. Pa asnjë dyshim që forumi me 300 pjesëmarrës të niveleve të larta të turizmit botëror, do të prodhojë rezultate të dukshme qysh në këtë sezon.

Nga ana tjetër, duke mos dashur ta lëmë topin gjithmonë në portën e shtetit, edhe sektori privat, nuk është se po tregon ndonjë dëshirë për ta kthyer ofertën turistike në një panair të fuqishëm e të vetëm, që të shdërrohet në magnet për vendet që duan të shesin e të blejnë dhe mund ta konsiderojnë Shqipërinë një “travel market”, jo si Berlini e Londra, por të paktën si Beogradi, Selaniku apo Athina.

Çdo vit në Shqipëri del një panair i ri, turizmi apo ushqimi, HoReCa apo agroturizmi, duke vazhduar ta copëzojë tregun e vogël shqiptar e duke e dobësuar fuqinë thithëse të pjesëmarrjes së shteteve apo operatorëve me rëndësi në tregun ndërkombëtar.

Edhe shoqatat e turizmit po rezultojnë të pazonjat për të ulur në tryezë shtetin e ta bindin atë, bashkë me sektorët e ndryshëm të turizmit, të bëhen të gjithë bashkë në një panair të madh, ku secili në sektorin e vet, të mbulojnë me pjesëmarrje e bashkëpunim partneriteti një panair 4-5 ditor të përmasave së paku ballkanike.

 

Megjithatë, edicioni i 5-të i “Expo Turizëm 365”, ishte pa asnjë dyshim më i mirë se vjet dhe rritja e pjesëmarrjes së operatorëve B2B apo prezënca në kalendarin ndërkomëbëtar të panaireve, na bën të shpresojmë se në vitin 2024, do të përjetojmë një edicion të përmasave më të mëdha e me siguri me më shumë zë në arenën e panaireve turistike.

Deri atëhere, ju urojmë sezon të mbarë!