Engoba, tradita mijëvjeçare iliro-ballkanase e gdhendjes së qeramikës, në atelienë e artistit Zeqir Alizoti

November 22, 2019 || views

Në traditën tonë prodhimi i qeramikës zë një vend të veçantë; që prej antikitetit të hershëm e deri në ditët tona, me argjilën e përpunuar me dorë, njerëzit e lashtë  krijonin objekte utilitare të përdorimit të përditshëm. Kjo traditë në popuj dhe vende të ndryshme të botës  u rrit dhe u zhvillua jo vetëm teknikisht por në formë, në motive dhe në karakterin funksional të tyre. Veçoritë individuale, motivet, shpirti dhe tradita në shekuj, u ruajt dhe u zhvillua në popuj dhe qytetërime të ndryshme.

Kështu ndodhi edhe në vendin tonë. U hapën reparte dhe fabrika të ndryshme, si në Tiranë, Vlorë, Kavajë, Korçe e gjetkë. Diku u ruajt tradita dhe trashëgimnia, duke krijuar objekte artistike, funksionale, krejtësisht të veçanta në motive, forma etj.. Pas viteve `90, në kushtet e ekonomisë së tregut, shumë prej këtyre reparteve dhe zejtarëve  u transformuan, duke iu përshtatur kërkesave të tregut, të brendshëm dhe të jashtëm. Shumë zeje  humbën ose u transformuan në krijimin e objekteve pa vlera të veçanta artistike.

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, në mungesën e kërkesave të tregut për objekte me vlera dekorative, popullore: (si rezultat  i një turizmi sporadik)  zejtarët apo qeramistët e mirëfilltë profesionistë u përpoqën dhe e mbushën tregun me objekte artizanale  me vlera të ulëta në çmime, në dëm të cilësisë  dhe ruajtjes së traditës.Një rol negativ ka luajtur prodhimet artizanale që vinin nga tregu i jashtëm; Tregtarët e mbushën tregun me objekte të cilat i blinin me kilogramë dhe i shisnin me copë në tregjet tona. Kjo bëri që shumë zejtarë për të mbijetuar ulën pretendimet dhe vlerat e artizanatit popullor tradicional.

Në luftën e madhe për mbijetesë dhe në përpjekje të ruatjes së traditës, një punë të veçantë profesionale, duke u mbështetur në traditën tonë  është bërë në repartin e qeramikës në qytetin e Vlorës. Ky repart me një traditë  shumëvjeçare konkuroi në tregun e brendshëm e të jashtëm për një periudhë tepër të gjatë, duke i dhuruar tregut qindra objekte me vlera funksionale dhe artistike. Duke e përfaqësuar vendin në dhjetëra panaire dhe ekspozita brenda dhe jashtë vendit. E veçanta dhe merita qëndron që objektet artistike që i servireshin tregut, ishin në formë , teknikë dhe motive krejtësisht të traditës.

E bëmë një hyrje kaq të gjatë, pikërisht për t`ju rrëfyer për njërin prej personazheve të kësaj historie, që ka luajtur një rol të veçantë dhe specifik jo vetëm në botën e bukur të qeramikës por edhe në fushën e artit të sklupturës. Po flasim për skulptorin qeramist  Zeqir Alizoti, i cili me mjeshtëri ka shfrytëzuar teknikat e veçanta  të trashëguara, si engoba,  një teknikë mijëravjeçare në trevat ballkanike dhe kryesisht në vendin tonë, të pasuruara më tej me motive  popullore të krahinave të ndryshme.

Mbi këtë traditë e trashëgimni  ai ka mbështetur edhe krijimtarinë profesionale si artist bashkëkohor. Mjafton të bëni një vizitë në atelienë e artistit, për t`u mrekulluar me motivet e lashta ilire të vazove të qeramikës, me format e bukura femërore e mashkullore, veshur me kostume tradicionale shqiptare apo motivet floreale të gdhendjeve me engoba. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm që çon në ruajtjen e traditës mijëravjeçare, e cila flet për vlerat e lashta të origjinës sonë. Duke qenë një teknikë e vështirë që kërkon edhe kosto të larta, rreziku iI humbjes apo i tjetërsimit është shumë i madh prandaj këta artistë duhen mbështetur e vlerësuar, duke e nxjerrë sa më shumë në pah punën e tyre të mrekullueshme.

 

       

Nëse nuk keni mundësi ta vizitoni artistin në atelienë e tij dhe të admironi nga afër momentet e tij të punës, ju mund të shkoni në çdo kohë në Vlorë, pranë teatrit Petro Marko, në libarinë Toena, e të vizitoni një shoë-room të pasur në punime qeramike të mrekullueshme e pse jo, të merrni me vete ndonjërin prej tyre si souvenir apo t`ia bëni dhuratë dikujt.

   

Ne prekëm vetëm njërën anë të artistit; atë të punimit të qeramikave por nuk harrojmë të përmendim punët e tij të mreullueshme në skulpturë. Për to do t`ju flasim në një artikull tjetër, në një tjetër numër të Travel Magazine.