Eda Bano Losha: 365 ngjyra nga udhëtimet e mia në të gjitha Kontinentet

November 4, 2024 || views

 Një Udhëtare në të 7 Kontinentet dhe Sekretet e Aventurave të Saj Ndërkombëtare

Të mos numërosh shtetet por të sigurosh që ke vizituar të 7 kontinetet është qëllimi tashmë i përmbushur i zonjës Eda Bano Losha, e cila ka treguar për revistën Travel the Balkans se cilat janë destinacionet që i kanë marrë zemrën. Në aventurat përqark botës, nga qëndrimi në një dhomë pa forcë graviteti tek kurrizi i një elefanti apo krokodili, deri tek masat për të shmangur udhëtimet e rrezikshme, janë sugjerimet që vijnë tashmë nga një udhëtare e botës.
Mes përgatitjeve për udhëtimet e deri tek realizimi i tyre, Bano, i është përgjigjur pyetjeve kureshtare tonat, se si përballohet rreziku dhe a ekzisiton fenomeni i të penduarit se pse është vizituar një vend?


Cilat janë disa nga destinacionet që ju kanë rrëmbyer zemrën?

Nuk mund të numëroj të gjitha vendet që kam vizituar, pasi janë shumë. Më tepër sesa t’i shoh udhëtimet si sfidë për të plotësuar numra, tërhiqem nga destinacionet dhe përvojat unike që ato ofrojnë. Por diçka është e sigurt: kam vizituar të shtatë kontinentet – një objektiv që e kam realizuar me kënaqësi.

Cilat janë disa nga udhëtimet më të rrezikshme që keni bërë?

Vendet e varfra dhe më pak të zhvilluara shpesh janë më të rrezikshme për turistët. Në Nairobi, Kenia, për shembull, guida e ndjente të sigurt vetëm kur ishim me dritaret e mbyllura, për të shmangur grabitjen e celularëve. Në Brazil kam qenë dëshmitare e një sulmi për grabitje në mes të ditës, ndërsa në Kili më kanë çarë çantën për të më vjedhur. Në Palestinë, situata ishte më e tensionuar – askush nuk e këshillonte kalimin e kufirit, por megjithatë e bëmë në këmbë.

Si e përjetoni rrezikun gjatë këtyre aventurave?

Një nga rastet më mbresëlënëse ishte kalimi në Palestinë. Sapo kalova kufirin, një grup taksistësh më rrethuan për të ofruar shërbimet e tyre. Në taksi, një moment i pazakontë ndodhi kur dikush hapi derën e makinës papritur dhe më trembi; megjithatë, ai vetëm po përpiqej të më lajmëronte për cepin e fustanit. Ishte një përvojë që fillimisht më frikësoi, por më pas më bëri të qesh me situatën.

A ka destinacione që dëshironi t’i rivizitoni?

Po, ka shumë vende që më tërheqin akoma, si Antarktida, Kili, Moska, Alaska, dhe Kapadokia. Secili prej tyre ka një veçanti që më bën të dëshiroj të kthehem.

Udhëtimi që ju ka lënë më shumë mbresa?

Pa dyshim, Antarktida. Ky është kontinenti më i pazbuluar dhe misteri që e rrethon e bën unik. Procedurat për të udhëtuar atje janë shumë të rrepta, deri në detaje si “larja e këmbëve” para dhe pas zbarkimit në akullnajat e tij, për të mbrojtur ekosistemin. Pyes veten shpesh për masat që merren për të ruajtur Antarktidën, dhe kjo më nxit të rikthehem.

A ka ndonjë udhëtim që po të mos e kishit bërë nuk do t’ia falnit vetes?

Camino de Santiago de Compostela. Ky është një udhëtim shpirtëror dhe fizikisht sfidues. E kam përshkruar këtë rrugë nga Portugalia në Santiago de Compostela për shtatë ditë, duke e përjetuar plotësisht atmosferën dhe emocionet e saj.

Përgatitjet që bëni përpara udhëtimeve “të rrezikshme”?

Në fakt, unë nuk shkoj kurrë me synimin për udhëtime “të rrezikshme.” Por gjithmonë planifikoj paraprakisht, duke peshuar dhe vlerësuar me kujdes situatat që mund të paraqesin rreziqe, si vende me luftëra ose kriminalitet të lartë.

Sa rëndësi ka guida në udhëtimet tuaja?

Guidat janë shumë të rëndësishme për udhëtime të suksesshme, veçanërisht kur preferon të mos merresh vetë me detajet. Për shembull, në rastet kur udhëtoj me tim shoq dhe nuk duam t’i planifikojmë vetë, një guidë e mirë na garanton një përvojë të qetë dhe të këndshme.