E morët vesh të dashur blogerë? Jeni kukulla në “duart” e Facebook e Instagram

October 4, 2021 || views

Flora Xhemani Baba

Mjaftuan disa orë “black-out” i rrjeteve sociale që përdoruesit e tyre në të gjithë planetin  të çoroditeshin e ta gjenin veten papritur pa asnjë punë në dorë. Rifreskimi çdo pesë minuta i ekranit të telefonit, duke kujtuar se faji është në aparatin ose rrjetin personal, u kthye dalngadalë në panik, derisa u mor vesh më në fund se defekti është atje, në qendër, ku Zeusi-Zukerberg lëshon rrezet e tij shpëtimtare për një turmë të tërë njerëzish, që përbëjnë as më pak e as më shumë por dy të tretat e planetit.

Orë të tëra pa Facebook e Instagram apo pa Whatsap, i lanë njerëzit pa “statuse”, pa postime, pa klikime në lajmet e fundit, pa lundrim në botën e madhe të vogël, që na e kishin sjellë në pëllëmbë të dorës e që në të njëtën kohë, na kishte vjedhur gjithë kohën e lirë, madje edhe kohën e punës.  Skllavërimi i një planeti të tërë, jo më me pranga por me një aparat teknologjik, i cili qëndron i ngjitur  në dorën  e të gjithëve ne, qyshse hapim sytë e derisa flemë, erdhi gradualisht, në fillimi si një kureshti, dëshirë për njohje,  ndarje përvojash e në fund si një treg i madh ku tashmë shitet gjithçka; edhe shpirti. Njerëz që nuk kanë asnjë qëllim të caktuar por thjesht shtyjnë kohën – kohë të vyer që mund ta mbushnin me punë të dobishme – kalojnë orë e orë të tëra vetëm duke pulsuar gishin sa mbi një foto mbi një tjetër, sa mbi një link mbi një tjetër, sa mbi një video mbi një tjetër, pa e kuptuar se ka ardhur dreka apo darka dhe ndërkohë ata janë ende aty, me qafën të përkulur mbi ekran e me muskuj të mpirë.

Kjo turmë e madhe, e mbajtur “nën zgjedhën e ekranit”  ishte audienca e ardhshme e një ushtrie tinëzare shitësish gjithfarë, që filluan ashtu pa u ndier, lehtë-lehtë të postonin në fillim gjëra që më shumë zgjonin kureshtje sesa interes për të blerë. Pastaj gradualisht postimeve iu shtuan çmime, çmimet u bënë oferta, ofertat u bënë produkte e me ardhjen në skenë të Instagramit, gjithçka mori formën e një uragani marramendës. The pasi rrjedha njerëzore kishte hyrë më në fund e gjitha në shtratin e kurthit të ngritur, themeluesi i tyre mendoi se kishte ardhur koha e duhur për t`i mjelë.

Në fillim uli shikueshmërinë, duke e “shitur” atë me pagesë.  “Ti mund t`ua tregosh postimin tënd më shumë njerëzve, nëse paguan pak, fare pak, vetëm 5 dollarë në ditë”, është mesazhi që të vjen në çdo postim që ti hedh në Facebook e Instagram. “Ja se si do të dukej postimi yt”, ose “Selling something?”, është një dritare që mezi hiqet nga ekrani, vetëm pas shumë klikimesh mbi shenjën e kryqit. Agresiviteti me të cilin Facebook të kërkon paratë për gjithçka që ti poston dhe “penalizimi” me shikueshmëri fare të ulët për ata që nuk duan të paguajnë është një diskriminim që ia heq plotësisht emërtimin këtyre platformave që janë quajtur rrjete sociale por që janë shndërruar në më antisociale se kurrë. Misioni fillestar i tyre tashmë ka humbur nëpër kulisat e ndërlikuara të llogarive për fitime marramendëse.

Po. Tashmë Facebook-u e Instagrami nuk janë më rrjete sociale por një lumë i madh me para që çon ujë në mullirin “Zukerberg”.  Një sistem që punon me algoritme, për të gjetur se ku përqendrohet kush dhe çfarë mund t`i shesim një grupi të caktuar shoqëror.

Dhe në këtë lumë të madh, i cili ushqehet me rrëke laramane fotosh, videosh, informacionesh, ofertash me pagesë e pa pagesë, skandalesh, ngjarjesh bombastike që zgjojnë reagime të forta dhe mbajnë “audiencën” gjithmonë të vëmendshme, janë edhe kategoria më interesante, që lindi në internet por që gjeti shtratin e rehatshëm në Facebook e më pas në Instagram; blogerët. Blogerë gjithfarësh, udhëtimi, mode, ushqimi, estetike, produktesh nga më të paimagjinueshmet, parakalojnë nëpër dy platformat duke shpalosur hiret, format, aftësitë tregtuese ose asnjë aftësi, thjesht prezencën e tyre. Pas një skandali të rastësisëm, një daljeje diku në media ose kot, për një kapriço të algoritmeve, për efekt të mbushjes së viteve të para me ndjekës të mjaftueshëm që ishin të kollajtë, ata që krijuan profile me shumë ndjekës, filluan të vetëquheshin blogerë.

Edhe pse fjala “blogger” vjen nga fjala “blog” që nënkupton një platformë në internet ose një website, ku një person hedh informacione mbi përvojat personale, shkruan një artikull me një përmbajtje të një fushe të caktuar, jep rekomandime ose këshilla, përdorimi i kësaj fjale sidomos në Instagram shpeshherë ofron edhe thjesht një foto ku nuk shkruhet asgjë por që gjeneron shikueshmëri marramendëse.

Edhe “blogerët” ashtu si Zukerbergu, e filluan “aktivitetin” e tyre në fillim me postime fotosh të bukura, tërheqëse, natyrë, thënie të zgjuara shkëputur nga njerëz të famshëm, gatime të pafajshme bërë në një ditë pushimi apo thjesht një meditim. Dhe pasi mblodhën në rrjetë aq ndjekës sa i menduan të vlefshëm si klientë, filluan tek-tuk që përmes postimeve të bukura, të rekomandonin një produkt sit ë dobishëm në përditshmëri, një destinacion, një emër hoteli apo një pije freskuese. Pastaj gradualisht, të gjitha postimet ishin thjesht reklama dhe tek-tuk nëpër to dukej ndonjë foto e bukur pa “tag”, sa për të mbajtur audiencën të mbërthyer pas vetes.

Kjo kategori që herë quhet bloger, herë influencer e herë “content creator” është praktikisht një rrjet parazit, që pi nga lumi i madh i Facebook-ut babaxhan dhe Instagramit zemërgjerë, i cili nga ana tjetër ka nevojë për ta, që të mbajë mbërthyer pas vetes ndjekësit e shumtë. Për këtë arsye në atë pjesë që quhet “explore” ose oborri i përgjithshëm, fotot që të tregon më së shumti, janë pikërisht fotot e tyre. Një qendër tregtare me përmasa botërore, ku vitrinat kryesore i kanë pa dyshim ata, vipa, “bloggers’ dhe “influencers”.

Sot platformat Facebook, Instagram e Whatsap, u mbyllën për rreth gjysëm dite, duke shkaktuar jo pak panik, kryesisht tek kategoria e mësipërme, që e ka mbështetur të ardhmen dhe financat e saj tek këto rrjete sociale. Ata s`bëjnë asgjë tjetër përveç fotove ose pregatitjes së përmbajtjeve për këto platforma, duke tërhequr tashmë pas vetes edhe një ushtri të tërë mirëmbajtësish.  Mirëpo mjafton një ulje çelësi dhe ata “puf” zhduken nga vëmendja sikur të mos kishin qenë kurrë. Ndërkohë që pjesa e publikut mund t`i kthehet punëve, ata gjenden papritur të papunë dhe pa publik. E për rrjedhojë, edhe pa të ardhura.

Ndoshta nuk do të ndodhë asnjëherë që rrjetet sociale të zhduken. Ndoshta do të ndodhë nesër. Ndoshta këto shkëputje nuk janë defekte por prova eksperimentale për të parë se sa na kanë skllavëruar. E kur ta kuptojnë se na kanë skllavëruar mjaftueshëm, aq sa për të na kushtëzuar ekzistencën, stafi i Zukerbergut do të studiojë algoritme të tjera për edukimin e brezit të ri drejt një realiteti tërësisht virtual, ku “blogerët” nuk do të jenë më të nevojshëm, ku edhe ushqimi, ashtu si udhëtimet, do të konsumohet thjesht nga ekrani, vetëm me sy. Kurse ata, blogerët dhe influencerat do vazhdojnë me ngulm të kërkojnë audiencë për shitjet e tyre, me akrobacira materiale e shpirtërore pa asnjë hezitim.

Vetëm se… vetëm se…. të dashur blogerë dhe influencera, mendoni pak… një kapriço e Markut  dhe “puf”! Game Over! Po sikur ta shikoni këtë “black out”-in si një paralajmërim? Kurse ne si një rikthim lirie? Think about it!