Duarartat e Gjirokastrës – me artizanet e #GjiroArt Center
January 27, 2021 || views
Gratë e mrekullueshme e duararta, të GjiroArt Center, sjellin nga tradita jo vetëm kostumet popullore gjirokastrite, ato të vërtetat, por edhe shumë produkte të tjera të artizanatit e sidomos rite nga jeta e dikurshme që mbajnë gjallë traditën. Prandaj kur të planifikoni për të shkuar në Gjirokastër, bëni një vizitë në Rrugën e Zejtarëve dhe blini një kostum, një produkt, një qëndismë, një çantë të ricikluar ose çfarëdolloj produkti tjetër, të dalë nga duart e Elit, Lubit, Buqes, dhe grave të tjera që angazhohen në këtë shoqatë.
Ato bëjnë gjithçka, qepin, qëndisin, thurin, endin, gdhendin, tjerrin, pikturojnë, gatuajnë, pjekin kafen sipas traditës së vjetër në gur, u mësojnë vajzave të reja zakonet e vjetra dhe çojnë përpara traditën. Të gjitha këto përmes edhe ndihmës së qendrës së tyre të artizanatit, që e kanë quajtur GjiroArt Center
Kur bisedova për herë të parë me Lubin, drejtuesen e qendrës, ajo më tregoi për ritin e “Kafes së Gurit”, i cili mund t`u tregohet edhe turistëve si një përvojë e veçantë, nëpër sokakët e pazarit. Kafja piqet në qebap, e pasi të jetë pjekur, shtypet ne gur gëlqeror deri ne 800 herë, për t`u bluar siç duhet e pastaj zihet në xhezve bakri. Aroma e saj është e mrekullueshme, nuk krahasohet me kafen industriale. Ky rit mund të bashkohet me shumë të tjerë të traditave të vjetra gjirokastrite dhe mund t`u ofrohet vizitorëve si një tur përvoje që nxjerr në pah të veçantën e Gjirokastrës.
Pastaj Lubi më tregoi për Elin. Askush nuk i qep kostumet gjirokastrite si Eli. Nuk bëhet fjalë vetëm për të qepur një kostum tradicional po për të ruajtur besnikërisht elemetët origjinalë, ashtu siç kanë qenë në të shkuarën, e kjo nuk zbatohet sot në çdo kostum që blini. Prandaj është e rëndësishme se cila dorë e ka qepur kostumin që blini diku në një dyqan veshjesh tradicionale.
Kurse Buqja krijon bizhu artizanale me rruaza e qëndisma, që janë vepra të vërteta arti që vështirë t`i ngatërrosh me të tjera. Në dyqanin e saj “Antique”, me objekte të vjetra, ku gjen edhe monedha të kohës bizantine, është edhe atelieja ku thuren copëzat e traditës por edhe ku priten turistët.
Një ditë u bëra një vizitë këtyre grave në Rrugën e Zejtarëve. Eli më veshi me kostum gjirokastrit! Nuk ka kënaqësi më të madhe kur sheh se sa me dashuri e bëjnë punën por ama, një punë milingone! Aq pak e shpërblyer sa duhet vërtet aq dashuri sa kanë ato, që të vazhdosh ta bësh.
Gratë e mrekullueshme e duararta, të GjiroArt Center, të cilat sjellin nga tradita jo vetëm kostumet popullore gjirokastrite, ato të vërtetat, por edhe shumë produkte të tjera të artizanatit e sidomos rite nga jeta e dikurshme që mbajnë gjallë traditën. Prandaj kur të planifikoni për të shkuar në Gjirokastër, bëni një vizitë në Rrugën e Zejtarëve dhe blini një kostum, një produkt, një qëndismë, një çantë të ricikluar ose çfarëdolloj produkti tjetër dalë nga duart e Elit, Lubit, Buqes, dhe grave të tjera që angazhohen në këtë shoqatë. Bëjeni për të zbukuruar shtëpinë tuaj dhe për të ndihmuar punën e mundimshme të këtyre grave që me aq mund po mbajnë gjallë traditat. Unë për vete e mora edhe qilimin e dhe shportën, edhe vazon e mrekullueshme nga Antique Shop, për shtëpinë tonë në fshat. Faleminderti vajzat e Gjiroart Center!