Dibra – destinacioni i magjishëm 365 ditëve
December 4, 2020 || views
Mirë se erdhët në Dibër! Në vendlindjen e Kastriotëve, në vendin e bukurive natyrore pa fund por edhe rrënjëve të thella të kulturës e trashëgimisë, vendin e mikpritasve të mëdhenj e punëtorëve duarartë. Dibra është një prej atyre destinacioneve që mund ta vizitoni gjithë vitin, e të jeni të sigurt se çdoherë do ta gjeni ndryshe e tërheqëse.
Pra, mirë se të vini kurdoherë në Dibër!
Dibra ndodhet në rajonin malor të Shqipërisë Verilindore, dhe ka një sipërfaqe prej 998 km2. Megjithëse në një territor jo të madh, Dibra ofron destinacione turistike të mahnitshme, duke filluar me atraksionet e bukura natyrore që nga Mali i Korabit që është mali më i lartë i Shqipërisë, lumi Drini i Zi, Liqenet akullnajore të Lurës, burimet termale të Llixhave të cilat ndërthuren natyrshëm me trashëgimninë e pasur kulturore dhe begatinë e produkteve bujqësore, artizanale dhe kulinarinë dibrane.
Kultura dhe Etnografia
Dibra është gjithashtu edhe një sofër e pasur me histori, kulturë, personalitete të shumtë e të njohur që i kanë dhënë shumë Dibrës, tradita mikpritëse dhe zakone që i ka ruajtur deri në ditët e sotme. Kostumet popullore të grave të krahinës së Zerqanit dhe Bulqizës, Gollobordës, Lurës, të fshatrave në të majtë të Drinit të Zi, të komunës së Shupenzës dhe veshje të Fushës së Shehrit, janë të një bukurie e larmie të veçantë. Edhe kostumet e burrave, që përbëhen prej qeleshës së bardhë rashtake, këmishës së bardhë prej pambuku me mëngë të rrudhura te kyçi i dorës, xhamadani i zbukuruar me gajtanë të zinj, brezit i leshit i zbukuruar me disa ngjyra, tirqet, janë pjesë e trashëgimisë popullore që vjen thellë prej shekujve. Festa si “Oda Dibrane”, janë vitrina të gjalla të zakoneve e traditave të lashta të kësaj treve.
Parqet Kombëtare
Në territorin e Dibrës ndodhen dy parqe të famshme, Parku Kombëtar i Lurës dhe Parku Natyror Korab- Koritnik. Peisazhi malor i dy parqeve pasurohet dhe bëhet më i larmishëm nga lumenjtë dhe përrenjtë e shumtë malorë, 21 liqenet akullnajore, shpellat dhe kanionet, bjeshkët e shumta dhe pyje e ahut, pishave, bredhit, dhe lisit. Një nga vlerat e pasurisë së biodiversitetit të kësaj zone është Fauna e rrallë ku gjinden mbi 30 lloje gjitarësh, duke përfshirë gjitarët e mëdhenj si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), dreri (Capreolus capreolus) dhe rrëqebulli ose Tigri i Ballkanit (Felis lynx). Gjithashtu të dy parqet ofrojnë mundësi të mira për turistët që pëlqejnë dhe admirojnë hiking, kampingjet, piknikun, dhe sportet e ndryshme të ujit.
Atraksioneve të bukura natyrore të Dibrës u shtohen edhe pasuritë e shumta të trashëgiminisë së saj kulturore dhe historike. Dibra është vendlindja e heroit kombëtarë Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili për 25 vjet i udhëhoqi shqiptarët në luftë kundër Osmanëve. Muzeu i Skënderbeut që ndodhet në fshatin Sinë dhe një monument i familjes së Kastriotëve në fshatin Kastriot, janë monumentet kryesore dëshmuese të kësaj periudhe. Kalaja Grazhdanit, rrënojat e të cilës ndodhen në fshatin Grazhdan, mendohet se ka qenë kalaja më e madhe në Shqipëri në periudhën e shekullit të IV, dhe mendohet se ka qenë nën kontrollin e Skënderbeut. Në Dibër janë disa monumente fetare të lashta që tregojnë diversitetin fetar të Shqipërisë ku më të spikaturat janë Xhamia e Allabegisë që u ndërtua në vitin 1585 dhe Kisha e Cveti Spas në Kërcisht, që u ndërtua në vitin 1270 dhe ende ruan pjesët e afreskeve origjinale.
Përveç këtyre, turistët dhe vizitorët në Dibër mund të provojnë kuzhinën e shijshme tradicionale Dibrane që është e larmishme dhe me gatime nga prodhimet bujqësore që rriten në tokën e saj. Specialitetet më të njohura të zonës janë Pula me Jufka (një lloj pastash të bëra me miell, qumësht dhe vezë dhe shërbyer me pulë); speca të mbushura me gjizë; Petulla (pancake të skuqur dhe shërbehet me sheqer, mjaltë ose djathë); dhe ëmbëlsira tipike Dibrane, Sheqerpare, që shërbehet me shurup ose pije nga frutat e egra të pyllit. Dibra është vendi i frutave, ku në varësi të sezonit, vizitorët mund të shijojnë dhe blejnë qershi, mollë, boronica, gështenja, arra, mjaltë, lëng molle, perime turshi dhe shumë më tepër!
Turizmi.
Zona e Dibrës është ideale për turizmin malor dhe turizmin e aventurës. Në rrethin e Dibrës ndodhen shumë destinacione të spikatura si Parku Kombëtar i Lurës, Mali i Korabit, (2751m, më i larti në Shqipëri) Liqenet e Kacnisë,. Por edhe turizmi kurativ, që ushqehet nga burimet termale të Llixhave të Dibrës, është shumë i zhvilluar e gjithashtu edhe turizmi kulturor e agroturizmi, që po synon të marrë jetë përmes programeve të shumta të zhvillimit të zonave rurale.
Çfarë duhet të bëni në Dibër:
1. Të vizitoni Muzeun e qytetit.
2. Të bëheni pjesë e Festës së Qershisë.
3. Të flini një natë në Stanet e Korabit.
4. Të vizitoni Rabdishtën, fshatin më të bukur të të gjithë zonës së Dibrës.
5. Të provoni një sheqerpare dhe jufkat të gatuara nga amvisat dibrane.
6. Të vizitoni Parkun e Lurës
7. Të vizitoni Liqenet e Kacnisë.
8. Të shkoni në vendlindjen e Kastriotëve, të viztoni Muzeun e tyre.
9. Të përshkoni Pesë Shtigjet (merrni info në zyrën e informacionit turistik).
10. Turin e kanionit të Drinit, turi më i gjatë e më i bukur që mund të provoni në të gjithë zonën e Dibrës. (Kërkoni info në zyrën e turizmit).
Është e pamundur t`i shpalosësh të gjitha bukuritë e Dibrës në një artikull reviste por ju mund të vizitoni faqen e internetit, ku stafi i Bashkisë po bën një punë të shkëlqyer, për të nxjerrë në pah të gjitha pikat e njohura e të panjohura të zonës
www.visitdiber.com