Dhjetë fotot më të bukura të konkursit të fotografisë, përzgjedhur nga Travel Magazine, janë dhjetë copëza të mrekullueshme Shqipërie!
September 30, 2020 || views
Në fillim të shtatorit, Travel Magazine ftoi ndjekësit e saj në Instagram, që të nisnin fotot e tyre më të bukura të udhëtimeve, duke organizuar një konkurs mes tyre, ku fituesit do t’i zgjidhnin vetë ata, me pëlqimet e tyre. Interesi ishte mbresëlënës. Për rreth tri javë erdhën me qindra foto, nga më shumë se 120 pjesëmarrës, duke sjellë copëza të magjishme nga e gjithë Shqipëria.
Edhe pse çmimet e vendosura ishin modeste, kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit të ishin të shumtë, jo vetëm në sjelljen e fotove por edhe në votimin e tyre, duke e çuar numrin në mijëra.
Kjo bën që stafi i Travel Magazine të ideojë konkurse të tjera me tematika të ndryshme por me fokus turizmin dhe udhëtimet, me qëllim që të nxisë sa më shumë njerëzit të njohin Shqipërinë.
Për tri fotot me më shumë pëlqime, ishin caktuar dhurata nga botimet “Blue Editions”.
Fituesit të vendit të parë i dhurohet një guidë udhëtimi “Albania Essential Travel Guide”, një guidë xhepi të qytetit nga vjen fituesi, nëse ai bën pjesë në botimet “Blue Editions” dhe një revistë Travel.
Dy fituesve të tjerë do t’u dhurohet përkatësisht nga një “Albanian Green Guide” dhe “Albanian Blue Guide” si dhe nga një revistë Travel.
Por duke qenë se votimet nga publiku janë gjithmonë subjektive, për shkak të mekanizmit që lejon në raste të caktuara që jo domosdoshmërisht fotoja më e bukur të jetë edhe më e votuara, stafi i Travel Magazine vendosi që në këtë pjesëmarrje masive prej 123 fotografish, të përzgjedhë dhjetë më të bukurat, duke i vlerësuar jo më në bazë votash e çmimesh por në bazë të cilësisë artistike. Pa i klasifikuar, po i sjellim në vëmendje të publikut, në formën e një buqete këto foto të mrekullueshme, duke i falënderuar pjësëmarrësit, që pranuan t`i bëjnë pjesë të konkursit tonë.
Fotot mund t`i ndiqni drejt e në postim, përmes linkut të secilës.