Deçani, një destinacion i shkëlqyer i natyrës

August 16, 2024 || views

Deçani njihet si një qendër turistiko-rekreative në Republikën e Kosovës, që kufizohet me Komunën e Gjakovës, Komunën e Pejës, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Territori i këtij qyteti mbulon 293 km2 dhe ka rreth 38 fshatra. E tërë hapësira rreth Deçanit, gjegjësisht në malet që e rrethojnë, janë me liqene akullnajore dhe me lugina të lumenjve, të cilat kanë formë të grykës dhe janë shumë tërheqëse për vizitorët. Pyjet e llojllojshme, kullotat e shumta, fauna e pasur, ajri i freskët dhe i pastër malor i Alpeve Shqiptare, kanë mundësuar që Deçani të afirmohet si qendër rekreativo-turistike.

Një vizitë në Deçan!
Deçani është një pako që përmban dy elemente thelbësore që e bëjnë një qytet atraktiv dhe që i japin karakterin turistik; elementin kulturor dhe elementin natyror, që e bëjnë atë të jetë një gjigand i turizmit në Republikën e Kosovës.
Në Deçan mund të përjetoni kënaqësi të llojllojshme; sa i përket kulturës mund të prekni historinë dhe traditat shqiptare të kësaj zone nëpër muret e kullave dhe mullinjve; si një përjetim i gjallë i kohëve të lashta të cilat edhe sot i gjeni të gatshme për vizitë dhe pse jo për qëndrim njëditor apo disaditor, për të parë poashtu edhe arkitekturën e veçantë shqiptare dhe mënyrën e jetesës. Diçka që do ishte e këndshme të vizitohet janë mullinjtë; poashtu një shtesë e bukur arkitekturore shqiptare, në disa prej tyre do arrini të kapni edhe pjesën e punës që bëjnë këta mullinj.

Mikpritje dhe traditë
Për të parë nga afër etnologjinë kombëtare ju rekomandojmë Muzeun Etnologjik në Deçan, në të cilin janë të ekspozuara eksponate të ndryshme që pasqyrojnë trashëgiminë tonë tejet të larmishme. Aty gjeni të ekspozuar veshjen kombëtare e njohur si “Vesha e Katunit”, është njëra ndër veshjet më të bukura të traditës shqiptare! Kjo veshje punohet nga gratë tona shqiptare dhe zakonisht përdoret nëpër festa tona tradicionale si; kanagjeqe dhe dasma.
Veshja punohet nga disa lloje të materialit sepse ajo poashtu ka disa pjesë nëpër të cilat ndahet, si: pjesën e këmishës e cila është e punuar nga pëlhura me ngjyrë të bardhë, jeleku i cili është me mëngë të shkurta dhe zakonisht me ngjyrë të zezë, pështjellakët të cilët janë me ngjyrë të zezë të punuar nga peri, gjithashtu edhe çorapet të punuara nga peri me ngjyrë të zezë. Në Deçan mirëpriteni nga Kompleksi i Kullave në Dranoc, njëri ndër komplekset më të pasura me trashëgimi kulturore; aty kultura, tradita dhe zakonet janë ende të përjetësuara, përjetimi në atë ambient është i rrallë dhe tejet antik, i shekullit 19-të.


Një mikpritje tejet të ngrohtë dhe një ambient antik por edhe të bukur natyror e gjeni rrëzë Bjeshkës së Bellesë ku ju mirëpret resorti më atraktiv i kësaj zone “Belle Resort”, ku mund të gjeni bujtina për të fjetur si dhe ushqim tradicional karakteristik të kësaj zone.
Poashtu një hapësirë e bukur për t’u vizituar që tani është në dispozicion, është Kolonia e Artistëve dhe Qendra Rinore si dhe bujtinat e vogla të ndërtuara nga druri të cilat janë në shërbim të secilit vizitor; ato janë të vendosura përgjatë Grykës së Deçanit në një ambient të rrethuar me halore me ajër të pastër dhe me ambient relaksues. Përgjatë Grykës së Deçanit përpos natyrës së gjelbër dhe ajrit tejet të pastër ju shoqëron edhe kuzhina e pasur tradicionale.


Një vend i përshtatshëm për pushim dhe relaksim përgjatë kësaj gryke është Gushavci, i cili zakonisht gjatë sezonës verore vizitohet jashtë mase nga turistë të huaj dhe vendorë. Gushavci është një ambient i pasur me ujë shërues i cili shëron sëmundje të lëkurës, të eshtrave, dhimbjeve të nyjeve etj. Ky vend përdoret edhe për notim nga dashamirët e notit të cilët gjejnë edhe shërim në të.

Aktivitete në natyrë
Për përjetime të bukura në natyrë Deçani ofron kënaqësi nga më të ndryshmet duke filluar nga, hiking-u (ecja), çiklizmi, skijimi, lundrimi, Via Ferrata, kampingu e të tjera aktivitete që mund të realizohen në natyrën e bukur të kësaj zone të pasur natyrore.
Bjeshkët e Deçanit ofrojnë një përvojë natyrore të mahnitshme, gjatë ecjes në këto bjeshkë mund të shijoni peizazhe të bukura dhe piktoreske; në ecje nëpër pyje të pasura me halore kryesisht, takoni poashtu edhe rrjedha ujore si lumenj, liqenj, përrenj të vegjël, ujëvara dhe të tjera bukuri natyore. Gjatë ecjes do të keni mundësinë të njiheni me trashëgiminë kulturore të qytetit të Deçanit.


Disa nga bjeshkët në të cilat preferohet të bëhet ecja janë: Bjeshka e Prilepit , Bjeshka e Belegut, Bjeshka e Baballoqit, Bjeshka e Strellcit, Bjeshkët e Isniqit, Bjeshka e Deçanit, Bjeshka e Bellesë, Pllaqica e Vokshit, Lugi i Gatë, Jedova, Qershiza, Bjeshka e Dobroshit etj.
Çiklizmi në qytetin e Deçanit është një sport lehtë i arritshëm brenda Bjeshkëve të Deçanit, shtegu “Via Dinarica” i cili përshkon bjeshkët e këtij qyteti është një mundësi tejet e vlefshme për të gjithë admiruesit e natyrës e në veçanti për ata që dëshirojnë të sfidojnë veten në sportin e çiklizmit malor! Gjatë udhëtimit me biçikletë admiruesit e këtij sporti do të shijojnë pamje magjepsëse të masivit të Bjeshkëve të Nemuna! Këto shtigje çiklizmi të cilat gjenden në shtegun Via Dinarica kanë një shtrirje relativisht të gjatë dhe janë tejet sfiduese duke ngritur kështu tek çiklistët një adrenalinë të papërjetuar më parë. Përveç çiklizmit malor, çiklistët kanë mundësi të ushtrojnë sportin e tyre edhe brenda kornizave të qytetit të Deçanit! Për çiklistët të cilët kanë dëshirë të eksplorojnë më shumë rreth qytetit dhe fshatrave përreth, Deçani ka përgatitur disa shtigje të lehta dhe atraktive përmes të cilëve çiklistët do të kenë mundësi të eksplorojnë më shumë rreth kulturës, traditës, zakoneve, arkitekturës antike dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me trashëgiminë kulturore të këtij qyteti me vlera të larta!
Disa nga shtigjet urbane janë: Shtegu i Gurtë, Shtegu i Flutrave, Shtegu Liqeni i Dukagjnit, Shtegu i Gushavcit. Një mundësi e mirë e turistëve është edhe huazimi (rentimi) i biçikletave, ku turistët kanë mundësi t’i marrin me qira dhe të bëjnë udhëtimet e tyre nëpër qytetet apo lart në bjeshkë.

 

Pasiqë qyteti i Deçanit karakterizohet me një natyrë të bukur dhe të pasur ujore, sporti i kajakimit lehtësisht mund të realizohet në këtë hapësirë të bukur ujore. Dy nga pikat kryesore të realizimit të këtij sporti janë Lumbardhi i Deçanit me shtratin e tij të gjatë i cili shtrihet përmes qyetit dhe Liqeni i Dukagjinit i cili gjendet në fshatin Ratish. Aventuristët dhe entuziastët e natyrës, në veçanti admiruesit e këtij sporti janë të mirëpritur në qytetin e Deçanit që ta realizojnë aventurën e tyre!
Shtegu i hekurt apo Via Ferrata Deçani është një shteg i fiksuar në struktura metalike; ky shteg ka lartësi mbidetare prej 1000 metra dhe është i gjatë rreth 407 metra. Fillimit të shtegut i paraprin ura tibetiane, pas kalimit të saj fillon ecja nëpër malin e Grykës së Deçanit, në një distancë të shkurtër deri tek Via Ferrata Deçani. Rruga përshkruhet me pamje mahnitëse, adrenalinë dhe kënaqësi që përjetohen rrallë. Në ngjitjen kulminante të këtij shtegu do të shijoni pamjet magjepsëse të qytetit të Deçanit, dhe të masivit të Bjeshkëve të Nemuna! Aventurën tuaj mund ta përmbyllni me një vizitë tek Kullat e Qelisë.
Deçani është një destiancion i ofertave turistike, përveç ecjes, çiklizmit, kajakimit; kampingu është një tjetër ofertë e bukur e cila mund të realizohet në natyrën virgjine të Bjeshkëve të Nemuna! Kampingu e gjen hapësirën e vet të realizimit duke filluar që nga Gryka e Deçanit e cila është e pasur me lëndina të bukura dhe me male përreth saj, gjatë qëndrimit nëpër tenda aty afër mund të shoqëroheni nga gastronomia e qytetit e cila gjendet përgjatë kësaj gryke. Një tjetër vend i përshtatshëm për kamping është pa dyshim masivi i Bjeshkëve të Nemuna, konkretisht Bjeshkët e Deçanit.
Sportet e bardha janë të disponueshme në hapësirën e Bjeshkëve të Nemuna, dhe shumë afër shtegut “Via Dinarica” dhe shtegut “Peaks of the Balkans”. Skijimi është një sport tejet i bukur dhe lehtë i moderuar në Bjeshkët e Deçanit, lëndinat e gjata me përthyrjet e lehta të relievit e bëjnë Bjeshkën e Belegut një atraksion të këtij sporti. Kjo bjeshkë ka një potencial të jashtëzakonshëm për realizimin e sportit të skijimit, këtë potencial e kanë dëshmuar edhe garat e mbajtura në këtë hapësirë. Kjo pistë ka një gjatësi prej 8 kilometra me një lartësi mbidetare prej 1700 m/lmd deri në 2350 m/lmd, disniveli është përafërsisht 650 m; në këtë pistë mund të kryejnë skijimin rreth 1100 deri në 1500 persona njëkohësisht.,

Kalërimi është njëri ndër sportet më të dashura dhe atraktive për të gjithë, një sport i cili gjen zbatimin e tij nëpër lëndinat e gjata dhe shtigjet e bukura të maleve përgjatë Masivit të Bjeshkëve të Nemuna, e në veçanti në Bjeshkët e Deçanit. Ky sport realizohet pothuajse në të gjitha Bjeshkët e Deçanit si në; Bjeshkën e Prilepit, Bjeshkën e Strellcit, Bjeshkën e Roshkodolit dhe këtë e mundësojnë kryesisht fermerët të cilët posedojnë kuaj nëpër fermat e tyre apo edhe klubet e kalërimit të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytetin e Deçanit apo edhe me gjërë.
Bjeshkët tona të bukura të cilat janë pjesë e vargmaleve të masivit të Bjeshkëve të Nemuna kanë lartësi karakteristike dhe karakterizohen nga maja të larta siç është Maja e Marijashit me lartësi prej 2533 m/lmd e cila është pjesë e Bjeshkës së Prilepit dhe është pikë kyçe e këtyre bjeshkëve; në Bjeshkën e Strellcit ndodhet Maja e Strellcit e cila ka një lartësi prej 2377 m/lmd, Maja e Çferlës ka një lartësi prej 2461 m/lmd dhe është një pjesë e veçantë për ngjitje, Maja e Milishevcit me një lartësi prej 2055 m/lmd, Maja e Rupës 2501 m/lmd, Maja e Qenit 2405, Maja e Madhe me një lartësi prej 2372 m/lmd, Maja e Bogiqes 2406 m/lmd, Maja e Trekufirit 2366 m/lmd dhe Maja e Gjeravicës 2656 m/lmd.

Masivi i Bjeshkëve të Nemuna në të cilin bëjnë pjesë bjeshkët e qytetit të Deçanit kanë një faunë të pasur me llojllojshmëri të madhe, ku shpesh gjendet Rreqebulli, Dhia e Egër (Rupicapra rupicapra), poashtu vërehet prania e Ariut, i cili shpesh ndodh që të bie deri në rrafsh; Derri i Egër poashtu edhe ky shpesh paraqitet në rrafsh, i cili nganjëherë shkakton edhe dëme tek bujqit.
Flora është tejet e pasur me bimë shëruese por edhe çajra të ndryshëm që përdoren për shërim dhe pirje. Zona malore e Deçanit njihet për fruta mali, siç është dredhëza, boronica, mjedra, si dhe drufrutorë si thana dhe gështenja. Deçani ka mjaltin më shërues dhe organik, njihet për mjaltin e gështenjës, të luleve, të bagrenit, të cilat janë llojet më bio të mjaltit. Djathi poashtu është një pjesë e veçantë e agrokulturës, ku ky djath veçohet për shijen dhe cilësinë e tij të jashtëzakonshme. Ju rekomandojmë që mjaltin dhe djathin t’i provoni patjetër!

Bujtina në bjeshkë
Në Bjeshkët e Deçanit ofrohet edhe shërbim për mysafirë apo turistë të cilët akomodohen në shtëpitë për mysafirë, duke ofruar kështu përveç natyrës së bukur, ushqim dhe banim. Trendi i rritjes së këtyre shtëpive është në rritje e sipër nga viti në vit; disa nga shtëpitë që ofrojnë akomodim janë: Guesthouse “Roshkodoli”, që ofron akomodim në Bjeshkën e Roshkodolit, me një ambient atraktiv dhe të sapohapur është gjithmonë i gatshëm për mysafirë. Guesthouse “Chalet Rrusta” ofron shërbim në Bjeshkën e Milishevcit, Guesthouse “Kulla” poashtu në këtë bjeshkë mirëpret mysafirë të shumtë dhe shquhet për mikpritje dhe ushqim tejet cilësor, Guesthouse “Lojza” mirëpret mysafirët në Bjeshkën e Zllonopojës një bjeshkë e cila ka një natyrë mahnitëse, në Bjeshkën e Belegut iu mirëpret Guesthouse “Vishaj” me një traditë të kahmotshme mikpritjeje në Bjeshkën e Belegut afër shtegut Via Dinarica, në zemrën e turistëve, Guesthouese “Hulaj” ofron shërbim për mysafirët në Bjeshkën e Prilepit.

Një krenari e sektorit të akomodimit në Deçan është edhe Belle Resort, një strukturë e ngritur mbi Kullën Historike të Demush Tahirit, shndërruar në një resort alpin luksoz por edhe një vend plot histori.

Lexo më shumë për Belle resort:

Në bjeshkët e këtij qyteti organizohen “qethat”, ky lloj manifestimi mbahet në njërën nga bjeshkët dhe ka të bëjë me qethjen e deleve, një rit ky i cili organizohet çdo verë.
Poashtu Deçani organizon edhe të tjera manifestime në lidhje me natyrën si “Panairin Veror” i cili realizohet çdo vit gjatë verës dhe “Ditën e Gështenjës”, manifestim ky i mbajtur në prag të vjeljes së gështenjës, si frut me të cilin identifikohet qyteti