Dëbora e parë në malin e Tomorit tërheq alpinistët në peizazhin e bardhë
December 18, 2019 || views
Nga Klotilda Saraçini
TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/- Reshjet e dëborës të rëna në fundjavë në malin e Tomorit ftuan të apasionuarit pas alpinizmit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.
Parku Kombëtar i Tomorit, vitet e fundit është një nga parqet më të vizituara si nga vizitorë të huaj, dhe ata vendas.
Kujdesi i treguar nga Administrata e këtij parku në menaxhimin e mjediseve turistike dhe të shoqërimit të vizitorëve me specialistë guidatorë që njohin shtigjet dhe vendet e kalueshme për në hapësirat turistike të Tomorit, kanë bërë që ky park të vizitohet në çdo stinë të vitit.
Administrata e Zonave të Mbrotjura të Beratit bën të ditur se “moti i mirë sot, pas dëborës së rënë dje, ka sjellë turistë të shumtë në Malin e Tomorrit”.
Sipas ADZM-së, disa, si të apasionuar pas alpinizmit, kanë ngjitur lartësitë plot dëborë, ndërsa të tjerë me familje luajnë me dëborë e parë të këtij viti.
Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.
Nën këmbët e Tomorit, rrjedh lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës.
Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës./k.s/ /a.g/
Burimi: ATA