Bujtina Portokallja, një histori e bukur e shpirtit myzeqar

October 4, 2024 || views

Historia e tranzicionit në shoqërinë shqiptare është përbërë nga copëza historish të vogla, diku të gëzuara, diku të trishtuara, diku të dështuara e diku të suksesshme. Por një gjë është e sigurt; të gjitha këto histori kanë në thelb të tyre shpirtin e sakficicës. Shumë prej sipërmarrjeve shqiptare e filluan historinë e tyre të biznesit, krejtësisht nga zeroja, në një terren të panjohur ku i hodhi ndryshimi i menjëhershëm i sistemit politik, shoqëror e administrativ. Natyrisht jo të gjithë ia dolën.

Por ne sot do të flasim për një emër që jo vetëm ia doli por u bë një prej emrave më të dashur të gastronomisë në Shqipëri, gjatë të gjithë periudhës së tranzicionit.

Besoj se kushdo që ka udhëtuar për në jugun e Shqipërisë, para se bypass-i i Fierit t`i devijonte udhëtarët nga rruga e vjetër kombëtare Fier-Vlorë, me siguri që nuk ka kaluar pa vënë re në të djathtën e tij një restorant, në dukje të vogël, me një tabelë ku shkruhej “Restorant Portokallja” e më vonë Familja “Berti Kushi”. Them “nuk ka kaluar pa e vënë re”, nëse ka qenë një udhëtar i rastësishëm, sepse po të ketë qenë një dashurues i ushqimit, pa asnjë dyshim që do të ketë ditur shumë mirë se çfarë do të thoshte ai emër për zonën e Fierit dhe jo vetëm.

 

 

Por le ta nisim nga viti `90, pikërisht atëhere kur ndryshimi i menjëhershëm i sistemit, hodhi shumë njerëz në rrugë, njerëz të cilët papritur e panë veten pa punë dhe pa një perspektivë të afërt. Shumë prej tyre iu drejtuan kufijve të Shqipërisë, portit, ambasadave. Disa të tjerë qëndruan. Dhe jo vetëm qëndruan por edhe nuk e humbën toruan bashkë me humbjen e punës. Njëri prej këtyre njerëzve mendjekthjellët ishte edhe Berti Kushi.
Ditën e parë të ndarjes së tokave, ose më mirë të themi, të mbetjes së tokave bujqësore pa zot dhe lënies së tyre në mëshirë të fatit, ai mori “në patronazh” një djerrinë diku në Levan të Fierit, në vendlindjen e tij, mbushur me portokalle që ishin bërë të egra ngaqë nuk kujdesej më kush për to, e pastroi nga ferrat që e kishin pushtuar, “nguli” aty një kolibe druri dhe ftoi të gjithë të rriturit e fisit, ta ndihmonin e t`i ndihmonte, për të hapur restorantin e parë privat në Shqipëri.

Kështu nisi historia e njërit prej restoranteve më të pëlqyer të zonës së Myzeqesë, ku kthenin e shijonin pjatat e shijshme nga njerëzit e thjeshtë, shoferët e kompanive ose shëërbimeve të gjata, pushuesit e mëvonshëm të jugut, udhëtarët e rastësishëm, e deri tek politikanët e rangjeve të larta.

Natyrisht që “të hapje një restorant” në vitin 90, nuk ishte e njëjta gjë si sot, ku ti mund të shkosh të zgjedhësh mobilimin, mbulesat, karriget, pjatat, apo pirunët, sipas shijeve, duke pasur dhjetëra e qindra zgjedhje. Shqipëria nuk kishte atëherë as pjata e as pirunj. Madje nuk kishte as ushqime. Berti punonte 24 orë pa u lodhur, duke e shpenzuar një pjesë të mirë të kohës pikërisht duke udhëtuar nëpër Shqipëri për të gjetur furnizime, për të sajuar pjata apo ndonjë moblije, e shpeshherë edhe për të këkruar miell e sheqer. Kjo odise, që nuk mund të kuptohet aspak nga të rinjtë e sotëm, që janë në kërkim të telefonit të fundit, ishte një film që luhej në karroceri kamionësh, udhëtime rrugë pa rrugë, autostop e shpeshherë edhe fshatratve me ditë të tëra në këmbë, derisa në Shqipëri filluan të shfaqen makinat e para.

 

Pa dashur të kalojmë në lëvdata por vetëm duke iu referuar historive të miqve e shokëve, lista e të cilëve është shumë e gjatë, ky vend nuk ishte thjesht një restorant por një “Mekë” ku njerëzit faleshin për të mbaruar halle e për të kërkuar ndihmë. Dhe thonë se Berti nuk ktheu asnjeri mbrapsht. Ai nuk ndihmoi vetëm farefisin e tij, duke i angazhuar në sipërmarrjen e re por çdo njeri që erdhi e i kërkoi ndihmë.
Thuhet shpesh se po t`i bësh gjërat me dashuri, çdo pengesë kapërcehet lehtë. Nuk ishin të lehta pengesat që kapërceu Berti, së bashku me familjen por një gjë është e sigurt, aq shumë dashuri u hodh në këtë vend, saqë aroma e ngrohtë e mikpritjes ndjehej qyshse hyje në derë, e derisa dilje prej saj me shijen e mirë të gatimeve ende në buzë. Dhe, edhe pse biznesi u rrit e dha fryte, edhe pse Berti u angazhua në aktivitete të tjera tregtare si ndërtimi, për të cilin aq nevojë kishte atëhere Shqipëria, restorant “Portokallja” (te Berti Kushi thoshin njerëzit në fakt), mbeti dashuria e parë që ai nuk e braktisi asnjëherë, derisa e la këtë botë, shumë para kohe, këtu e dhjetë vjet më parë.
Dhimbja për humbjen e njeriut të dashur është më e fortë se dashuria për një restorant, edhe pse aty qëndron gjithë zanafilla e ekzistencës. Megjithatë, mbajtja në këmbë shpeshherë bëhet pikërisht për këto arsye, për të mos hedhur poshtë mundin e një jete e për t`i qenë mirënjohës asaj copëze që nisi mozaikun e jetës dhe e mbushi me ngjyra të tjera, të gëzuara e të trishtuara dhe sidomos për të mbajtur gjallë dashurinë e një njeriu që këtu kishte vënë zemrën.

“Portokallja” tashmë është edhe bujtinë

Të rihapësh dyert e të mikpresësh në kuptimin e parë të fjalës, ishte dëshira tashmë e Marjanës, që me rihapjen e restorantit, hapi edhe shtëpinë, ku dikur kishin jetuar vetë, për të përjetuar edhe një herë kujtime e gëzime, mes orendive të dikurshme, objekteve të dashura e qëndismave të vjetra, shumica e të cilave janë pjesë e pajës, qëndisur në vitet e vajzërisë. Në fund të fundit përvojat e turistëve sot kërkojnë pikërisht këto grimca jete, për të kujtuar e kuptuar se si ka qenë më parë, ku e kemi gjetur gëzimin kur kemi jetuar më shumë në vuajtje se në lumturi.
Gatimet e bujtinës dikur me nam sot vijnë nga duart e Linës, që nga sllatërat e turshitë, tavat e shumëllojshme, byrekët që të lëpish gishtat, zogjtë me rosnica por sidomos krenaria e bujtinës; Bidat me oriz në saç. Perimet e frutat e kopshtit, kur teprojnë hyjnë në dollap në formën e zahireve dhe rrushi i pjergullës zihet raki për miqtë.

Dhe miqtë, janë të shumtë. Ata nuk kalojnë thjesht për të ngrënë një drekë apo darkë por për të festuar ditëlindjet, sebepet, apo edhe thjesht për t`u mbledhur. Sepse aq i ngrohtë e mikpritës është ambienti, nën aromën e portokallëve, borzilokut apo luleve që Marjana i rrit me dashuri në çdo stinë, saqë asnjë festë nuk kalon pa mbresa e lumturi.
Edhe ju, sa herë që të kaloni për të shkuar me pushime në jug, bëjeni një ndalesë buzë hyrjes së autostradës Levan-Tepelenë. Do të merrni me vete shumë shije të ndryshme e jemi të sigurt që do të riktheheni. Nëse vini enkas, aq më mirë. Do të keni mundësi të vizitoni Apollonië, Fierin, Muzeun e qytetit, kishat rreth e qark fshatrave të Fierit, të gjitha jo më shumë se 10-15 km larg nga bujtina “Portokallja” dhe kështu keni jetuar një ditë më shumë pranë njerëzve të punës e jetës së vërtetë.

Vizito: Bujtina Portokallja