Bujtina Peraj, freski bjeshke në Vermosh
November 24, 2019 || views
Nga Flora Xhemani Baba
Traditat e bukura të Malësisë gjithnjë e më shumë po nxirren në pah prej njerëzve të punës. Kjo është një shenjë shumë e mirë për turizmin shqiptar, sepse është pikërisht turizmi autentik ai që më së shumti kërkojnë të huajt sot.
Kishte kohë që pregatiteshim për të shkuar në udhëtimin e radhës në Alpe, pikërisht në Vermosh. E si gjithmonë prej punëve të shumta por edhe sepse netët në Bujtinën Peraj ku do të bujtnim ne, ishin gjithmonë të zëna me turistë, koha do të vinte vetëm në fund të qershorit, edhe për arsye të një reportazhi që një grup xhirimi i Top Channel do të realizonte në Kelmend.
Shirat vjeshtorë të qershorit më në fund u kujtuan se ishte verë dhe e ndanë mendjen t`i jepnin pak frymëmarrje vendit vetëm nga fundi i muajit.
Copëzat e udhëtimit nga Shkodra deri në Tamarë, do përpiqemi t`jua tregojmë në një reportazh tjetër, për t`u marrë pak më gjatë me punët e mira që ky komunitet ka bërë në zhvillim të turizmit, ndihmuar edhe nga Vis Albania. Edhe për bukurinë e pashoqe të Leqeve të Hotit, ujrat e bruzta të Cemit dhe kreshtat madhështore të maleve, për Lëpushën e bukur që e lamë në krah, do t`ju flasim njëherë tjetër.
Këtë herë duam t`ju flasim pak për Familjen Peraj, si një prej bujtinave më të reja në Vermosh, që më shumë se thjesht një shtëpi pritëse, është një rreze shprese se turizmi do të bëhet, se të rinjtë jo të gjithë po ikin nga sytë këmbët në kërkim të fatit jashtë Shqipërisë e se mund të jetohet bukur edhe përmes vështirësive të mëdha, nëse ke ëndrra e sidomos nëse i beson mundit e djersës tënde.
Fillimisht për të gjithë ata që nuk kanë qenë ende në Vermosh, rruga automobilistike tashmë është plotësisht e shtruar, madje ajo shkon edhe përtej, përmes doganës, dhe të çon në krahinat shqiptare të Plavës dhe Gucisë, gjë që i bën banorët e Vermoshit të kenë marrëdhënie shumë të ngushta e të këmbejnë shumë përvojë e miqësi mes tyre.
Florida më tha që bujtinën do ta gjenim fare kollaj, vetëm 200-300 metra jashtë rrugës së shtruar të fshatit, në mes të të cilit ishte kisha dhe një lokal. Gjatë të gjithë rrugës nga Lëpusha deri në Vermosh, na shoqëroi një grup motorristësh, që duke na parakaluar, i gjetëm në qendër të fshatit. Edhe ata diç po kërkonin dhe mendja na e tha që ashtu si ne, po kërkonin bujtinën. Nuk ishte e nevojshme të kërkoje, tabela e bujtinës në mes të fshatit të drejtonte shumë kollaj.
Bujtinën e gjetëm vërtet 300 metra larg fundit të rrugës së shtruar dhe kur u afruam, gjithë familjen e gjetëm në oborr. U takuam si miq të vjetër dhe buzëqeshjet e pastra në fytyrën e të gjithëve tregonin shpirtin gjithashtu të bardhë të këtyre njerëzve mikpritës. Ndërkohë motorristët – gjermanë – kishin filluar me birrat e para. Ishte pasdite vonë sepse gjithë ditën kishim xhiruar me ekipin e Top Channel dhe ishim edhe të lodhur edhe të uritur. Vapa e rrugës ishte zhdukur si me magji dhe askush prej nesh nuk mund të rrinte pa një këmishë apo xhakavento veshur. Dhe për të treguar se sa të pastërvitur ishim me klimën e Alpeve, shikonim nëna Gjysten që vinte vërdallë me mëngë të shkurtra.
E gjithë familja në punë. Babai Pjetër, merrej me korrjen e barit për bagëtitë, nëna Gjyste në kuzhinë, bashkë me Floridën që herë u shërbente miqve e herë futej në kuzhinë për të ndihmuar. Zefi, djali i shtëpisë, merrej me të huajt, duke i ndihmuar të sistemonin motorrët në oborrin e shtëpisë. Edhe djemtë që i kishim marrë me vete, u miqësuan menjëherë me fëmijët e shtëpisë. Aleksandri, ai që s`linte dy gurë bashkë, ishte nipi i shtëpisë, djali i vajzës së madhe Jozefinës, që ishte martuar në Bajzë. Por dihet, në verë kur mbaron shkolla, shtëpia e gjyshërve e sidomos e dajës Zef që i plotësonte tekat vogëlushit, ishte më e ëmbël.
Kur e pyes Floridën se cili lloj turisti vjen dhe çfarë pëlqejnë, ajo pohon pa hezitim se pëlqejnë pikërisht atë që bujtina ofron aktualisht, ushqimet e pregatitura prej bimëve në baçe, patatet e kopshtit, qumështin e lopëve të shtëpisë, qingjat e kullotës, bylmetin e shtëpisë që vinte drejt e nga stanet… pemët e oborrit… (kumbullat ishin ende jeshile kurse qershitë tani ishin pjekur). Dhe na luten shumë që të mos e prishim këtë zinxhir… që në zona të tjera ka filluar të prishet. Ata pëlqejnë kullën kështu siç është, nuk duan vila druri alpine. Duan atë që prodhon toka dhe jo atë që prodhon fabrika sepse ashtu kanë plot në vendin e tyre.
Ata s`kanë salltanete, u pëlqen të na shohin kur bëjmë punë, u pëlqen të na ndihmojnë, duan të shtrohen shesh në lëndinë.
E shoh që vajza i ka idetë e qarta. As ajo e as i vëllai nuk kanë menduar kurrë të ikin jashtë. Madje kanë ndër mend të ndërtojnë një kullë të dytë, kuptohet sipas traditës. Sepse fluksi është rritur. Daljet e tyre janë të rralla për shkak të punës që i lidh dhe miqësitë i kanë ndërtuar me fqinjët e tyre në Guci. (Sonte për shembull do të përurohej një restorant i ri atje dhe i kishin ftuar në festë).
E imagjinoni dot kur ke gjithë ditën pa ngrënë dhe ke pirë vetëm një gotë me lëng thane në Tamarë, se si të duket tryeza e shtruar me mish të pjekur, me bylmet stanesh, me byrek me hithra, bukë misri të ngrohtë….? Parajsa vetë! Shijet e mrekullueshme që qëndronin tek pastërtia e ushqimit, amplifikohen dhjetëfish! Oh, çfarë shijesh!
Mbrëmja vjen e qetë, gjermanët pijnë birra e bëjnë shaka me njëri-tjetrin, ndërkohë që njerëzit e shtëpisë merren me punët e së nesërmes.
Duhet të niseshim herët vërtet por jo pa ngrënë mëngjesin. Me qumështin e freskët që nëna Gjyste sapo e moli, me petullat e ngrohta, me mjaltin e bjeshkëve, reçelin e fiqve, djathin e njomë…
Djemtë i fusin një vrap në lëndinë para se të nisemi, si të duan të shijojnë edhe pak ajrin e pastër të bjeshkës.
Përshëndetemi me të gjithë dhe u premtojmë se do të kthehemi në vjeshtë. Vera është e bukur në Alpe por edhe vjeshta është e mrekullueshme. Dhe Bujtina Peraj është gjithmonë aty dhe ju pret, të shijoni Vermoshin.