Borshi, kompozim perfekt i historisë, detit dhe natyrës së paprekur
August 29, 2020 || views
Nga Ilir Vata
TIRANË, 25 gusht /ATSH – I. Vata/- Bashkia Himarë fton turistët vendas dhe të huaj në një nga perlat e shumta të turizmit siç është Borshi, një kompozim i detit, natyrës dhe traditës.
“Nëse keni vendosur të vizitoni jugun e Shqipërisë do të gjeni në Borsh një kompozim perfekt të historisë, natyrës së paprekur dhe legjendave”, shprehet bashkia.
Po ashtu, Bashkia Himarë sjell pamje fantastike të Borshit nga pika më e lartë, ku deti dhe horizonti janë të pamasë.
“I parë nga pika më e lartë e kalasë, Borshi tregon bashkëjetesën e qetë mes valëve që përqafojnë bregun e detit dhe malet përreth. Kalaja me vlera të rëndësishme historike dhe arkitektonike ndërthurur me blunë e pafundme të detit, tashmë me rrugën e sapo asfaltuar do të tërheqë edhe më shumë vizitorë shqiptarë e të huaj”, shprehet bashkia.
Projekti i rikonstruksionit të rrugës Borsh – Kala e Borshit me financim nga Qeveria Shqiptare ka ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm dhe nxit zhvillimin e biznesit. /j.p/