“Bjeshkët e Namuna”, welcome to the “Wild World”

August 6, 2019 || views

Nga Gent Mati

SHËNIME UDHËTIMI NGA DITARI I GENT MATIT

Gjithçka nisi në mesin e verës 2008 nga një e-mail ku OA – Outdoor Albania, ftohej të përgatiste itinerarin dhe logjistikën për një dokumentar në Veriun e Shqipërisë. Kësaj here në ndryshim me kërkesa të tjera të ngjashme të të shkuarës ku theksi vihej rëndom mbi fenomene sociale të hidhura si gjakmarrja apo virgjëreshat e “kthyera” në burra të bjeshkëve tona, kompania “Pilot Productions” na kërkoi të përzgjidhnim pikat natyrore më tërheqëse të Veriut për serinë shqiptare të ciklit ‘Treks in a Wild World – Shtegtime në një Botë të Egër” – i cili më pas do të transmetohej në kanale prestigjoze si National Geographic, Discovery Chanel, etj.  Natyrisht që një detyrë e tillë nuk mund të mos na entuziazmonte! Brenda pak ditëve një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet OA, projekteve EDEM dhe Balkan Peace Park – Parku Ballkanik i Paqes, ngjizi idetë, rrugët, ndalesat dhe personazhet që do të ilustronin këtë udhëtim i cili do të niste dhe përfundonte në qytetin e Shkodrës – qendra urbane e Veriut Shqiptar.  Udhëtimi i vërtetë “jashtë letrave” filloi në javën e fundit të muajit Gusht. Në ekipin e miqve spikasnin prezantuesja e re dhe tërheqëse Zoe Palmer, regjizori me përvojë Peter Minns dhe drejtori i fotografisë/kameramani i shkathët Harald Bachmann. 

 

 

28.08.2008

Vizita e parë qe në Shkodër ku Gjon Dukgilaj kishte përgatitur një pritje të ngrohtë shkodrane në restorantin e tij tradicional “Tradita Gegë dhe Toskë”. Ky vend është shumë më tepër se një restorant. Me pasionin dhe vullnetin që e karakterizon, Gjoni ka ndërtuar një muze të vërtetë etnografik në mes të Shkodrës, duke restauruar një shtëpi të vjetër të fund-shekullit të 16-të. Siç e do tradita, shtëpia është punuar e tëra në gur dhe dru. Muret janë zbukuruar me shije me sende dhe orendi autentike të vjetra të zejtarëve shkodranë dhe malësorëve të Bogës, Thethit e Dukagjinit. Në katin e dytë ndodhet dhoma-ekspozitë ku Gjoni u tregon miqve koleksionin e tij të pasur me kostume popullore të mrekullueshme nga po këto zona, punuar me lesh, shajak, pambuk, fije ari e argjendi dhe qëndisma të rafinuara e plot fantazi. Ndërkaq në sallonin kryesor të restorantit, “vlonte” festa! “Vlonte”, pasi Gjoni platformën e muzikantëve e ka vendosur fill përmbi vatrën e oxhakut gjigand, ku gatuhet mbi prush pjesa më e madhe e specialiteteve që u serviren miqve. Jo vetëm miqtë e huaj por edhe ne vendasit u mahnitëm nga atomsfera e krijuar nga rapsodët që këndonin me lahutë e çifteli dhe nga ninulla e kënduar ëmbël nga një vashë e re teksa përkundte një djep të gdhendur në dru. Tryeza para nesh ishte mbushur me delikatesa të vërteta të “Traditës”, si “Djath Serembe” – djathë i freskët deleje, pjekur në tavë balte me vaj ulliri dhe erëza mali, domate zemërkau të bahçes me borzilok të freskët dhe rigon, salçiçe të zgarës përgatitur me mish derri të egër, shoqëruar me bukë të sheshtë të pjekur mbi prush dhe “Kallmet”-i, vera e kuqe e famshme e veriut. Natyrisht në mbyllje të darkës nuk mungoi kafeja turke me ndonjë gotëz raki dëllinje apo thane të vjetëruar në bute lisi, dhe ëmbëlsira të gatuara me mjaltë e fruta të shijshme. Përshëndetemi me Gjonin, duke e falënderuar për një natë “shkodrane” të paharrueshme, një festë të vërtetë për shijen, veshin dhe zemrën!

Me Gjonin do të takohemi sërish në Qafën e Thores – gjatë kthimit tonë në Shkodër, në ceremoninë e vendosjes së gurit përmendor krijuar e dhuruar nga Gjoni, për udhëtaren britanike të fillimit të Shek XX, Edith Durham – “Krajlica e Malsorëve”.

29.08.2008

Të nesërmen, filmimet nisën me një surprizë disi “ekstravagante” –  në Koplik pranë rrugës kombëtare Shkodër – Hani i Hotit, ndodhet butiku i tatuazheve më origjinal në botë! Këtu, “Keq’’ Marku, e ushtron artin e bërjes së tatuazheve, mësuar gjatë viteve të tija të trazuara prej emigranti të aratisur prej Shqipërisë komuniste në SHBA… brenda një bunkeri të madh prej betoni. Fatmirësisht, Raimonda Nelku – regjizore dhe koordinuese e projektit EDEM, e kishte pikasur këtë vend të jashtëzakonshëm, gjatë udhëtimit parapregatitor. Skena e këtij butiku me graffiti psikedelike mes fushës djerrinë është thuajse sureale, ashtu siç është edhe vetë personazhi kryesor “Keq”-i, i cili nis të skicojë me zotësi një shqipe dy-krenare mbi krahun e djathtë të Zoe-s, prezantueses tonë të hijshme.

 

Photo: By Nentor Oseku

 

30.08.2008

I largohemi Shkodrës buzagaz për të marrë tragetin në Koman, i cili do të na shpjerë në Fierzë prej nga ku do të vijojmë udhëtimin në luginën e Valbonës. Dy orët e lundrimit nëpër kanionin e Drinit, janë një prej ekperiencave që çdo turist vendas apo i huaj nuk duhet të humbasë në Shqipëri. Shpesh herë anija duket sikur “çan malet”, teksa përparon në këtë “fjord” të ngushtë me shpate të ashpra e maja marramendëse në të dyja krahët. Zbarkuam në Fierzë, nën diellin e mesditës dhe u nisëm me makinë drejt luginës së Valbonës. Në Margegaj, aty ku fillon lugina, Zoe dhe unë e vazhduam udhëtimin mbi biçikleta mali (mountain bike), përgjatë rrjedhës së kristaltë të lumit Valbonë. Haraldi dhe ndihmësi i tij na filmonin shtruar nga çatia e Land-Cruiser-it që përparonte mes një natyre që mund të quhet me të vërtetë përrallore. Një kredhje e shpejtë në një prej baseneve natyrore me ujë të akullt të Valbonës na gjallëroi e na çlodhi para se të mbërrinim në shtëpinë e gurtë të Alfredit në Dunishë, e cila ngrihet mes një fushe të vogël të mbjellë me misër.  Në darkë në këtë “oaz mikpritjeje” mes maleve shijuam troftën pikaloshe të Valbonës shoqëruar me patate të ëmbla të furrës, dhe domate pikante turshi të përgatitura me kujdes nga mamaja e Alfredit.

31.08.2008

Pas një nate çlodhëse dhe një mëngjesi të shëndetshëm, u nisëm mbi kuaj drejt Rrogamit, fshatit të fundit të luginës, duke përparuar mbi zallin e bardhë të shtratit të gjerë e të thatë të Valbonës. Në Rrogam, një pjesë e trupës tonë do të vazhdonte ecjen me këmbë drejt Qafës së Valbonës dhe Luginës së Thethit, shoqëruar nga Mark Rupa – projekti “Parku Ballkanik i Paqes”. Me origjinë nga Thethi dhe me passion të lindur për bjeshkët, Marku do t’u printe miqve nëpër peisazhin spektakolar alpin që ofron ky shteg drejt “shtëpisë” së tij, Thethit. Ndërkaq Reli “kolegu im 4×4” dhe unë, u nisëm për të çuar Land- Cruiser-et tanë në Theth, pasi rruga e automjeteve këtu përfundon duke i lënë vendin një shtegu të ngushtë e të pjerrët.

Udhëtimi me makinë nëpër pyje nga Bajram Curri për në Qaf’ Mali, Fushë Arëz e Pukë është një “trip” më vete, që ia vlen të tregohet një herë tjetër; gjithsesi, të nesërmen në mesditë mbas kilometrash e kilometrash kthesash gjarpëruese, arritëm në Theth, ku miqtë tanë kishin mbërritur me këmbë pasi kishin kampuar natën me çadra në luadhet me bar të butë, përmbi Theth, nën një qiell magjepsës yjesh, transparent e të kthjellët siç është vetëm pas shiut.

 

 

01.09.2008

Mbasditja kaloi këndshëm duke filmuar aspektet e jetës rurale të përditshme të Thethit si mjelja e lopëve me duar e kade të drunjtë, zierja e rakisë së kumbullës me kazan të bakërt e ftohës me ujë burimi, si dhe vjelje mjalti nga kosheret e shtëpisë. Hera-herës, nga lëndina përpara shtëpisë mikpritëse të familjes Tërthorja – një nga shtëpitë më të bukura të fshatit – pjestarët e trupës vështronin horizontin e “bllokuar” nga Maja e Harapit – objektivi i fundmë i ekspeditës, dhe më pyesnin për detaje teknike dhe vështirësitë që do të na prisnin ditët në vijim gjatë ngjitjes. Unë u shpjegoja me durim dhe humor, duke treguar gjithë respektin e duhur ndaj kësaj maje me pamje të rreptë të vargmalit të “Bjeshkëve të Namuna”.

02.09.2008

Në mëngjes i lamë makinat pranë një shtëpie të lagjes Okol (Thethi i Epërm), dhe filluam ngarkimin e mushkave dhe kuajve të malësorëve Lumjanë të prirë nga miku im Dedë Nika – një bjeshkatar i rrallë. Deda, nuk ka lënë shteg, luadh e gur pa shkelur në këtë zonë. Që në vegjëli ka kullotur delet e dhitë vend e pa vend dhe më pas si rojtar i pyjeve të malsisë së Thethit, e ka e eksploruar atë edhe më tej, duke udhëhequr hera herës ekspedita alpinistike për në majat e Jezercës, Radohimës e Harapit. Sot, pasionin dhe ekperiencën e mbledhur po ia transmeton djalit të tij 12 vjeçar Kristianit, i cili që tani arrin të ndjekë të atin thuajse kudo. Bashkë me ne do të vijë dhe Frat Antonio, prifti Italian i Luginave të Dukagjinit dhe Thethit, i cili flet një shqipe të bukur, të rrjedhshme e pa gabime. E kështu karvani ynë nis ngadalë shtegtimin drejt Qafës së Pejës, arritja e së cilës do të na bëjë të ngjisim jo pa mundim rreth 1000 m disnivel. Duke u ngjitur në faqen e malit, ky shteg kalon përbri greminave maramendëse të shpatit jugor të Majës së Harapit – duhet treguar mjaft kujdes pasi një e shkarë mund të rezultojë fatale. Në samarin e një mushke që ngjitet nëpër “shkallët” e shtegut spikat mbështjellë me fier e batanije të leshtë, keci i therur e rrjepur nga Deda herët në mëngjes, shkuar në një hell të drunjtë e të gdhendur bukur. Në mbrëmje do të na presë një gosti e vërtetë mes bjeshkëve. Pushojmë hera herës duke kundruar luginën e bukur të Thethit dhe shtëpizat karakteristike me çati të pjerrëta.

Kur kalojmë Qafën e Pejës peisazhi bëhet edhe më i ashpër, këtu gjendemi me të vërtetë në mes të asgjësë. Në syprinën e gjelbërt të një liqeni të vogël alpin, pasqyrohen majat e thepisura ngjyrë gri të bjeshkëve përreth, dhe ne nisim të ngremë kampin në një luadh me bar të gjatë aty pranë. Deda pa humbur kohë fillon përgatitjen e zjarrit me dru të zgjedhur për pjekjen e kecit, të cilin edhe e ka mbushur nga brenda me bukë të misërt e patate të fushës së tij. Të gjithë shpërndahemi nëpër luadh të “dehur” nga atmosfera hijerëndë e këtij vendi që ka frymëzuar folklorin aq të pasur të bjeshkëve të zanave dhe kreshnikëve, të cilët nuk do të ishte fare çudi nëse do të shfaqeshin befas duke dalë nga malet apo nga ujët e liqenit, të ngacmuar nga aroma e mrekullueshme e kecit tonë në pjekje e sipër, që Deda hera-herës e fërkon nga jashtë me dhjamë dhe erëza. Në darkë të gjithë përgëzuam dhe falënderuam mjeshtrin e “fërlikut” – siç e quajnë malësorët mishin në hell, për një darkë të shkëlqyer barinjsh.

03.09.2008    

Fillon ngjitja e Majës së Harapit. Shtegu sa vjen e vështirësohet e më pas zhduket tërësisht për t’ja lënë vendin ecjes mbi gurë e shkëmbinj të mprehtë gëlqerorë. Në krye, Deda dredhon nëpër një “labirint” prej gurësh të bardhimtë, dhe ne e ndjekim nga pas, të ngarkuar me çanta plot pajisje që nevojiten për filmim, pasi mushkat këtu nuk mund të ngjiten.

Kur mbërrin në Majën e Harapit të lartë 2300 m, të duket sikur je ulur e po sodit ndonjë planet tjetër. Gjithçka është e gurtë. Deda dhe unë mendojmë se kjo është pika panoramike më spektakolare e Bjeshkëve të Namuna, pasi nga të katër anët rrethohet nga maja mbi 2500m të larta si Jezerca dhe Radohima, si dhe nga lugina shkëmbore akullnajore. Shtrëngojmë duart e përqafohemi si miq të vjetër me tërë trupën, për kurorëzimin e suksesshëm të udhëtimit tonë. Kamera regjistron pamje mbresëlënëse dhe Zoe është tërësisht e entuziazmuar nga madhështia e këtij vendi të rrallë. Gjatë kthimit në luginë, nën një shi të lehtë e të praruar nga rrezet e diellit mbasditor, Haraldi më “rrëfehet” se bjeshkët tona, megjithë origjinën e tij prej malësori nga Kanadaja, dhe udhëtimet e panumërta nëpër botë, i kanë lënë përshtypje dhe ndjesi të veçantë. Teksa flet, nuk pushon së filmuari me kamerën që nuk e lëshon nga dora. E si mund të mos mrekullohesh nga “Bjeshkët e Namuna”- aty ku “mrizojnë Zanat”!

Pas disa muajsh, mbërriti me postë një disk DVD me programin e përfunduar. Kishin bërë një punë me të vërtetë të bukur! Harald, kishte regjistruar pjesët më mbresëlënëse të udhëtimit i drejtuar me mjeshtëri e thjeshtësi nga Peter Minns (“veteran” dokumentarësh të famshëm për “Rolling Stones”, BBC, etj); ndërsa Zoe me entuziazmin dhe hijeshinë që e karakterizon, dukej sikur “të merrte përdore” nga ekrani për të të shëtitur në skajet e natyrës shqiptare, e mrekulluar nga natyra jonë dhe e intriguar nga traditat dhe mikpritja e njërës prej kulturave më të lashta të Mesdheut. U ndjeva dhe ndihem vërtet mirë për marrjen pjesë në përgatitjen dhe zhvillimin e atij që për mua cilësohet si dokumnetari më i bukur për Veriun e Shqipërisë i prodhuar deri më sot. Uroj që në të ardhmen të ndiqet nga shumë të tjerë, pasi këto bjeshkë e meritojnë!

Referenca: http://www.pilotguides.com/tv_shows/treks_in_a_wild_world/shows/albania.php

http://www.peterminns.com/biography.htm