Berati në syrin e një udhërrëfyesi vendas

12 Maj, 2021 || 120 views

Miklor Pasku

Berati prej vitesh është mbase destinacioni më i frekuentuar nga turistët e huaj në Shqipëri. Më kujtohet që me dhjetëra autobuzë me turistë të huaj vinin edhe në vitet e komunizmit dhe më intrigonte ideja se çfare i tërhiqte në këtë qytet. Me kalimin e viteve, miq e të afërm kur vinin në Berat, duhej patjetër që t`i ishoqëronim në Kala e muzeume dhe ndihesha ngushtë kur përballesha me pyetje që nuk dija t`u jepja përgjigje. Kjo ishte arsyeja që vazhdimisht jam përpjekur të lexoj e kërkoj informacione për historinë, trashëgimin e traditat e këtij qyteti.

Shpesh bëhet pyetja se pse duhet të vizitoni Beratin. Përgjigja mund të jetë mjaft e gjatë dhe komplekse ndaj mua më pëlqen ta përmbledh duke e krahasuar me një libër të hapur, ku ngado ta nisësh leximin, do mahnitesh me atë që lexon e prek në mure, kisha e xhami, arkitekturë e e objekte.
Pra një qytet ku historia ndërthuret bukur jo vetëm me shekujt por edhe me të tashmen. Për të mos harruar traditat dhe kulturën qytetare, që e gjejmë në shtëpi karakteristike e banorë, që mburren me vazhdimësinë si autoktonë.

Një arsye tjetër është dhe atmosfera unike brenda lagjeve karakteristike, si ditën por edhe oreve të mbremjes ku ndricimi i jep një tjetër bukuri qytetit.
Për ata që janë të interesuar për historinë, ku më më bukur se Berati mund ta shohin e prekin vazhdimësinë e një civilizimi, që nga antikiteti, mesjeta e deri në ditët ku jetojmë. Të apasionuarit e arkeologjisë, arkitekturës dhe ikonografisë, Krishtërimit e Islamit me tempujt e tyre apo natyrës e traditave kulinare, do t`u duhet të rikthehen shpesh për ta plotësuar interesin e tyre në këto fusha. E mbi të gjitha një sit që prej 2008-ës është përfshirë në Listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, do të thotë që ka shumë se ç`të ofrojë.

Fakti që jam lokal siç thuhet sot për banorin e një vendi, lindur e rritur në këtë qytet, më jep përparësinë që, pa mohuar njohuritë dhe aftësitë e udhërrëfyesve që vijnë nga Tirana apo qytete të tjera, për njohje më të detajuar dhe ofrim të informacionit me më shumë përkushtim e cilësi, që në profesionin e udhërrëfyesit, ka një rëndësi të madhe. Ndoshta për këtë arsye, sot sugjerimet e organizmave ndërkombëtarë që mbështesin turizmin kudo në botë, janë që turet të përjetohen përmes vendasve, sepse sado që një udhërrëfyes profesionist i cilësdo shkollë të përgatitur të përvetësojë informacion, sytë e tij nuk do të shkëlqejnë kurrë apo zemra e tij nuk do të rrahë dot më fort sesa ajo një vendasi, kur flet për rrugicën ku ka lindur e është rritur apo për zonat ku shkel turisti sot, në të cilat ai kaloi fëmijërinë. Asnjë udhërrëfyes profesionist në botë nuk mund të shpikë histori, që nuk janë të shkruara në guidat turistike por flenë në nënvetëdijen dhe përvojën e një udhërrëfyesi vendas, e as ai nuk i ka të listuara për t`i treguar por i nxjerr ato vetvëtiu kur vjen moment, kur qëllon rasti, apo kur paraqitet situata. Fjala vjen a mundet që udhërrëfyes jolokal të thotë: “E dini? Në këtë rrugicë luaja kur isha i vogël. Mbaj mend që ishte plot me trëndafila dhe mamaja ime dilte në mbrëmje i ujiste. Ja shikojini, këto këtu janë. Dhe sa herë unë i këpusja, ajo më bërtiste”. E pra, sa histori të tilla mund të tregojë një vendas gjatë shoqërimit të turistëve?

Pa hyrë në hollësi të tjera, do t`ju rekomandoja ta prezantonim Mangalemin e Goricën, jo vetëm si një shembull i arkitekturës Otomane por si një arkitekturë shqiptare të periudhës Otomane, ku elementë të caktuar arkitektonikë e dekorues ndërthurin tri shkolla ndërtimi plotësisht shqiptare si ajo e Oparit,Dibrës dhe Shpiragut.
Në mjaft ikona gjejmë një histori të bukur e shume interesante të dy shenjtorëve bullgarë të shek X Angjellari e Gorazhdi. Një arkë në krahun e majtë te ikonostasit të Muzeut Onufri mban eshtrat e tyre që prej njëmijë vjetësh e janë adhuruar si relike të shenjta nga besimtarët dhe shumë pelegrinë bullgarë apo sllave vijnë posaçërisht për këtë fakt.


Gjatë shoqërimit të turistëve ka shumë rendësi të dish specifikat që duhen respektuar kur drejton një grup të madh apo je me më pak persona. Personalisht i shmangem një prezantimi të ftohtë faktesh apo mbingarkese informacioni me vite e shekuj. Synoj gjithmonë të mbaj lart nivelin e kureshtjes dhe spostimin në histori duke iu referuar një ngjarjeje apo personazhi të njohur të të njëjtit kontekst historik nga vijnë këta turistë apo vizitorë. I vlerësoj shumë pyetjet e tyre dhe i nxis të mos hezitojnë të pyesin.


Në pikat më intresante që do rekomandoja, edhe pse janë më të rekomanduarat e kjo tregon vlerën e tyre të madhe, do rendisja muzeumet Onufri, Etnografik dhe së fundmi Solomon. Por më shumë se muzetë, do sugjeroja ato që nuk janë të listuara tek rekomandimet kryesore, si për shembull disa shtëpi-muze private si Mishaxhiu dhe Mbrica ku pronarët kanë ruajtur me fanatizëm stilin ndërtimor e brendësinë e një banese tipike për shekujt XVIII-XIX apo dhe traditën zejtare të paraardhësve të tyre. Do sugjeroja gjithashtu galerinë e artistes Llambrini Dëna, ku emocionohesh nga arti në qeramikë e instalacionet me gurë e zaje lumi (shih më shumë në rubrikën “Made in Albania”). Objektet e kultit me tre kishat bizantine të shek XIII-XIV, xhamite e shumta me arkitekturë e zbukurime unike, Teqenë e Helvetive me tavanin e praruar, si një nga dëshmitë më përfaqësuese të “barokut ballkanik”. Sarajet e Vrionasve dhe portën e famshme të Pashait. Dhe patjeter Urën e Goricës që në çdo orë të ditës ofron jo vetëm bukurinë e saj por dhe të pozicionit natyror aq spektakolar ku është vendosur.

 

Megjithatë, sado që t`ju sugjeroja, e ndjej që nuk kam ofruar aq sa duhet nëse nuk ju kam rekomanduar ata; beratasit. Ashtu siç këmbëngul t`ju them se nuk mund të shijohet një qytet nëse nuk ofrohet nga një udhërrëfyes vendas, ashtu edhe ju them me plot gojën se nuk mund të shijohet Berati vetëm duke e parë nëse nuk takoni nga afër ata, banorët e Beratit, një artizan, një hotelier, një drugdhendës, një artist, një amvisë, një vreshtar, një t`ju ofrojë bashkë me një gotë verë nga rrushi i Beratit, edhe një copë nga shpirti i tij.