Berati i nëmur
November 15, 2022 || views
Nga Namir Lapardhaja
Historikisht, në këto vitet e fundit, Berati është endur mes paradoksit: një palë nuk e ka vlerësuar, sepse e konsideron gjithnjë të fituar, pala tjetër gjithmonë të humbur.
Largimet masive, varfëria, kriza e madhe ekonomike dhe sociale që kalon e gjithë shoqëria shqiptare, janë ulur këmbëkryq edhe mbi qytetin e gurtë. Banorët duket se ngushëllohen me shprehjen e të parëve: “Kaq rritet peshku në Osum”. Madje, të duket se edhe relievi kodrinor që ndërpret fushëpamjen apo antropologjia socio-psikike, kushtëzojnë mënyrën analitike të mendimit në qytet, për të besuar se ka edhe rrugë të tjera përveç atyre që i janë përcaktuar deri më sot nga ata që e kanë të sigurt zgjedhjen.
Shumë poetë e përshkrues udhëtimesh, teksa shkruajnë lidhur me vendbanime të ndryshme, përmendin se disa qytete janë si njerëzit – ato kanë shpirt. Sidomos qytetet që bartin shumë histori brenda tyre. E padyshim që Berati është një ndër ta. Bukuria e tij nuk qëndron thjesht në objektet dhe ndërtesat e vjetra, por, mbi të gjitha, në bukurinë e rrëfimeve mbi të shkuarën.
Megjithatë, sot, për ne banorët e tij, duhet të hidhesh në tejkohësi dhe të rindërtosh një ëndërr naive, që të bësh sikur nuk shikon varfërinë e përditshme. Të duhet t’i mveshësh qytetit një petk rrëfimtar kur ai ka qenë “vetvetja”, fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX, garat e poezive buzë Osumit, Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Kurt Pasha, Vrionasit, Babë Duda, e deri tek Buharaja, mbiemri i të cilit, sipas një gojëdhëne, vjen prej persishtes që flitej aq bukur në familjen e tij porsi në Buharanë e largët. Askush më bukur dhe më mjeshtërisht se sa shkrimtari Vath Korreshi në novelën e tij “Haxhiu i Frakullës” nuk e ka ridimensionuar në perspektivën historike lulëzimin e dikurshëm të Beratit. Një botë e pasur shpirtërore dhe kulturore, krahas mjeshtërisë së zanatçinjve të të gjitha kategorive.
Por sot, ky qytet, ndërtuar sipas një harmonie të mrekullueshme urbanistike, me një stil elegant dhe të papërsëritshëm, rrezikon të venitet nga mungesa e frymëmarrjes, e shpresës dhe e alternativës.
Propaganda sado që të zgjasë, do të përfundojë. Në fund, do ketë një bilanc, të prekshëm nga të gjithë. Çështja është nëse do presim një fund të hidhur për ta lexuar për këtë qytet, apo do të zgjohemi e do të themi se “ky qytet është i gjyshërve, i yni dhe i fëmijëve tanë!”.
Sa herë që më duhet të shkruajë për Beratin, ndër mend më vijnë vargjet e poetit Ilir Belliu: “Si unazë me rri në gisht/ Ky qytet i egër…/ E më trisht”. Është lidhshmëria e pazgjidhshme dhe sakrale mes asaj që ëndërron dhe pamundësisë së realizimit. Është vuajtja dhe brenga që duhet të na shoqërojë të gjithëve për të kërkuar dhe shpresuar për një të ardhme më të mirë.