Artizanati dhe mirëqenia e grave dhe vajzave në qendër të Panairit të Artizanatit, Golem, Kavajë

September 8, 2022 || views

Golem, 27 gusht 2022
Të shtunën e 27 gushtit, Bulevardi i Pishave të plazhit të Golemit u gjallërua dhe zbukurua nga ngjyrat dhe motivet e trashëgimisë sonë të pasur kulturore dhe tingujt e muzikës etno. Panairi i Artizanatit bëri bashkë dhjetra artizane nga Kavaja dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë si Durrësi, Tirana, Elbasani, Vau Dejës, Berati dhe Gjirokastra, të cilat ekspozuan produktet të prodhuara mjeshtërisht nga duart e tyre dhe tërhoqën vëmendjen dhe zgjuan kuriozitetin e të gjithë të pranishmëve. Shumë turistë, vizitorë dhe pushues vendas dhe të huaj vizituan panairin dhe u ndalën në tavolinat e mbushura me produkte të ndryshme artizanati: punime tezgjahu, pocerie, kostume popullore, qilima, qëndisme, punime grepi dhe shtize, makrame, filigrani, rezine etj duke u njohur me mjeshtërinë dhe kreativitetin e artizaneve në prodhimin e produkteve të punuara me dorë.

 

 

Panairi ofroi workshopse demonstruese të punës me dorë duke ftuar fëmijë, të rinj e të reja, të cilët nën kujdesin e artizaneve provuan të realizojnë procese të thjeshta të punës së dorës. Fëmijë të shumtë u bashkuan për të provuar magjinë e të krijuarit art me duart e tyre dhe u larguan të lumtur duke marrë e vete copëzën e artit që sapo krijuan. Panairi synoi promovimin e artizanatit si instrument i fuqizimit ekonomik të grave, rëndësisë së sektorit për turizmin, trashëgiminë kulturore dhe identitetin kombëtar dhe mirëqenies sociale dhe ekonomike të grave dhe vajzave. Gjithashtu, një ekspozitë modeste e fotografive të vjetra në lidhje me artizanatin dhe Kavajën krijoi një kënd tërheqës për shumë vizitorë.

 

Aktiviteti u cel nga tingujt dhe performanca e grupit të valleve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve eKavajë të cilët na prezantuar Vallen e Qilimave. Organizatorët e këtij eventi përshëndetën artizanet pjesëmarrëse dhe të pranishmit. Fillimisht, Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtre e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural tha ndër të tjera: “Organizatorët e këtij aktiviteti – ANRD, Bashkia Kavajë, UN Women– ndajnë njëmendësi mbi rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave në mirëqenien familjare dhe komunitare, të vështirësive që ato përjetojnë, dhe rëndësisë së fuqizimit ekonomik të tyre. Një cështje e tillë kërkon instrumente të ndryshëm që përshtaten me kontekste të ndryshme vendore në të cilat gjenden gratë dhe vajzat dhe të mbështeten në potencialet vendore. Për këtë arsye, panairi synon të promovojë artizanatin si instrument të fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave dhe mirëqenies sociale dhe ekonomike të tyre, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë së pasur kulturore dhe identitetin kulturor të vendit tonë”.

 

Nënkryetarja e Bashkisë Kavajë, Valbona Karkini Mustafa përmendi traditën e pasur artizanale të qytetit Kavajë dhe shprehu angazhimin e Bashkisë në rigjallërimin e kësaj trashëgimie të pasur dhe fuqizimin social ekonomik të grave dhe vajzave të angazhuara në zinxhirin e vlerës së artizanatit.
Zëvendës shefe e UN WOMEN Shqipëri, Estela Bulku përshëndeti këtë aktivitet duke theksuar mbështetjen për rimëkëmbjen ndaj tërmetit që UN Women në bashkëpunim me partnerët po ofron, pjesë e së cilës është edhe ky event. “Zona e Durrësit, Kavajës dhe të tjera qytete ende vuajnë pasojat e tërmetit të nëntorit 2019. Projekti synon të mbështesë gratë që të fuqizohen ekonomikisht si pjesë e përpjekjeve të rimëkëmbjes pas tërmetit”.

 

Pas vizitave në tavolinat e panairit dhe njohjes dhe bisedave me artizanet pjesëmarrëse, u zhvillua një panel diskutimi me fokus artizanatin, sfidat dhe potencialet që ai ofron për mirëqenien e grave dhe vajzave të reja. Në panel u ndanë ide të ndryshme mbi sfidat dhe problematikat që hasen në këtë sektor, vështirësitë e artizaneve, si dhe përvoja konkrete nga artizane të ndryshme me fokusmundësitë për të përmirësuar situatën dhe rekomandimet në këtë drejtim.

 

Panairi ishte një mundësi ideale që krijoi ura lidhëse midis konsumatorëve dhe artizaneve. Vizitorë dhe turistë të shumtë vendas dhe të huaj u mahnitën nga punimet e mrekullueshme që artizanet kishin krijuar dhe shpesh herë nuk hezituan që të blenin produkte me vlerë nga fondi i pasur i trashëgimisë së pasur kulturore. Aktiviteti dëshmoi qartë se si nisma të tilla ndihmojnë në rritjen e vetvlerësimit të artizaneve për punën e tyre, përmirësimit të marketingut, rrjetëzimit dhe fuqizimit të grave artizaneve. Të tilla aktivitete duhet të jenë të qëndrueshme në kohë dhe të mbështeten nga të aktorët.

 

 

Ky aktivitet u organizua nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës dhe me mbështetjen e UN Women (Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave) në Shqipëri në kuadër të Ndërhyrjës FUQIZIM EKONOMIK I GRAVE NË ZINXHIRIN E VLERËS SË ARTIZANATIT NË BASHKINË KAVAJË, i mbështetur nga Projekti me Ndjeshmëri Gjinore për Rikuperimin dhe Rindërtimin pas Tërmetit, mbështetur nga UN Women në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze, përmes Fondit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

 

për më shumë imazhe, vizitoni linqet e mëposhtme: